11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Vajza siriane largohet nga shkolla për t’u kujdesur për familjen e saj

Më të lexuarat

Si shumë nga bashkatdhetarët e saj edhe 11-vjeçarja Rahaf është viktimë e luftës brutale civile të Sirisë, e cila duke lënë prapa ëndrrën e saj për t’u bërë mësuese është e detyruar të braktisë shkollën për t’u kujdesur për familjen e saj.

Përderisa babai i saj është i sëmurë, ajo kujdeset për pesë vëllezërit e motrat dhe prindërit e saj duke shitur biskota në rrugët e qytetit sirian Al-Bab.

Rahaf thotë se ajo del nga shtëpia në orën 10 paradite, ndërsa kthehet në orën 10 në mbrëmje.

“Arrij të shes dy kuti me biskota në ditë. Kaloj në dyqane, në makina… disa njerëz i blejnë ato, disa jo”, shprehet Rahaf.

Familja e saj u shpërngul në Al-Bab pasi u detyruan të lëshojnë provincën Deir ez-Zor, kur shtëpia e tyre u shkatërrua.

Përderisa konflikti, zhvendosja dhe dhuna janë bërë pjesë e jetës së përditshme në Siri, shumë fëmijë janë detyruar të marrin rolin e kujdestarëve të familjes së tyre.

– Braktisja e shkollës

“Kur i shes biskotat në rrugë, shoh fëmijë të tjerë që dalin nga shtëpia për në shkollë. Do të doja të isha si ata. Më mungon shkolla dhe miqtë e mi në klasë”, shprehet Rahaf, e cila ishte e detyruar të braktisë shkollën.

Duke folur për ëndrrat e saj, ajo thekson se nëse do të fitonte mundësinë për t’u kthyer në shkollë do të studionte për t’u bërë mësuese.

“Dua që vëllezërit dhe motrat e mia po ashtu të shkojnë në shkollë. Ata ende nuk dinë të lexojnë. Të paktën unë di të lexoj dhe të shkruaj”, tha Rahaf.

– Kushtet e ashpra të jetesës

“Kur ulesha në dhomën time këtu në al-Bab, kujtoj shtëpinë time në Deir ez-Zor. Kur hyja në dhomën time kisha lodra. Do të doja të luaj me to. Muret ishin plot me piktura qeramike”, shprehet Rahaf.

Duke theksuar se i ndjen mungesën e shtëpisë, Rahaf thekson se do të donte të luaj me miqtë e saj në lagje.

Shtëpia në të cilën jeton familja e 11-vjeçares siriane ka një strukturë skeletore pa dyer e dritare.

“Në dimër bëhet shumë ftohtë. Fryn era brenda shtëpisë dhe shiu rrjedh kudo”, thotë ajo, duke shtuar se familja nuk është gjithmonë në gjendje të ngrohë shtëpinë, pasi ata nuk kanë para të mjaftueshme.

“Dua që kjo luftë të mbarojë. Kjo luftë ka therur aq shumë njerëz, shkatërroi shtëpitë e tyre. Shpresoj që kjo luftë do të mbarojë dhe do të kthehemi në shtëpinë tonë, në mënyrë që të mund të kthehem në shkollën time”, shprehet Rahaf.

Siria është e përfshirë në një konflikt shkatërrues që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit u përplas me protestat pro-demokratike.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), që atëherë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milionë janë shpërngulur, ndërsa fëmijët vazhdojnë të mbajnë barrën e konfliktit.

Zhvendosja e vazhdueshme në vend çon drejt një parregullsie në jetën e fëmijëve, gjë që veçanërisht ndikon në qasjen e tyre në arsim.

Sipas një raporti të Fondit të Emergjencës të OKB-së për Fëmijët (UNICEF), në vitin 2018 rreth 5.6 milionë fëmijë sirianë janë prekur nga konflikti në vazhdim dhe mbi 2.1 milionë fëmijë nuk ndoqën mësimet, ndërkohë disa kurrë nuk i kanë parë klasat e shkollave./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit