6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Uria dhe Kequshqyeshmëria

Më të lexuarat

Pasi që Ramazani është në prag, mu duk koha më e përshtatshme për të folur rreth urisë. Natyrisht se nuk po flas për llojin e urisë që na shfaqet kohë para se të ulemi të bëjmë iftar, por për urinë kronike, molisëse, dhe vrasëse nga kequshqyeshmëria. Uria me të cilën po përballen njerëzit e varfër, të cilët jetojnë në zona të shkatërruara nga skamja, të cilët janë në mesin e konflikteve të armatosura – ose brenda një kombinimi vdekjeprurës të këtyre dyjave. 

Fakti numër një: Një në shtatë persona është i uritur. Sot në botë, më shumë se një miliard njerëz nuk kanë mjaft ushqim për ti plotësuar nevojat e tyre të përditshmërisë. Shumica e të tyre jetojnë në vendet në zhvillim e sipër (98 për qind) dhe në zonat rurale, ndonëse uria në vendet urbane është në rritje. Uria kronike është kryesisht e koncentruar në shtatë shtete të cilat e përbëjnë 65 për qind të popullatës botërore: India, Kina, Republika Demokratike e Kongos, Bangladeshi, Indonezia, Pakistani, dhe Etiopia, por nuk duhet të harrojmë se uria gjithashtu ekziston edhe në pragjet tona, në komunitetet fqinje apo në shtetet që i kemi pranë kufinjëve tanë.

Fakti numër dy: Uria është në rritje e sipër. Në Samitin Botëror të Ushqimit të vitit 1996, u përcaktua një qëllim që numri i njerëzve që jetojnë në uri në tërë botën të përgjysmohet deri në vitin 2015. Kjo kishte për qëllim uljen e numrit të njerëzve të uritur prej një mesatareje prej 824 milion në vitet 1990-1992 në 412 milion deri në 2015. Në 2010-tën, Organizata e Ushqimit dhe Agronomisë (FAO) vlerësoi se kjo shifër kishte arritur në 925 milion.
Megjithatë, në vitet 1990 ishte bërë mjaft për të zvogëluar urinë, ajo prapë ka filluar të ngritet. Ndryshimet klimatike, krizat ekonomike, çmimet e larta të ushqimeve dhe konfliktet e reja të armatosura janë disa nga arsyet për këtë ngritje, por prapë se prapë kjo jep vetëm një shpjegim të pjesshëm: shkaktarët themelor të urisë mbeten të njëjtit.

Fakti numër tre: Më shumë se pesë milion fëmijë vdesin çdo vit si rezultat i drejtpërdrejt i kequshqyeshmërisë. Çdo ditë, me mijëra fëmijë vdesin nga kequshqyeshmëria dhe uria. Jo vetëm që nuk marrin sasinë e duhur të kalorive për të plotësuar nevojat themelore të trupit, por atyre gjithashtu u mungojnë lëndët ushqyese vitale, vitaminat dhe mineralet të cilat ne çdo ditë i hajmë thuajse pa i vërejtur fare. Organizata Botërore e Shëndetit vlerëson se 100-140 milion fëmijë kanë mungesë të vitaminës A, e cila dërgon në verbërim të 250,000 deri 500,000 prej tyre, dhe se gjysma e këtyre fëmijëve vdesin një vit pas verbërimit. Mungesa e zinkut rezulton në më shumë se 800,000 vdekje të fëmijëve brenda vitit. Ndërkohë që, UNICEF kishte raportuar se 20 milion fëmijë lindin të paaftë mendërisht për shkak se nënat e tyre nuk kanë konsumuar sasinë e nevojshme të jodit në ushqyeshmërinë e tyre gjatë shtatzënisë. Forma më e përhapur e kequshqyeshmërisë megjithatë mbetet mungesa e hekurit, shkaktari themelor i anemisë, që ndikon tek 30 për qind e popullatës botërore.

Fakti numër katër: Ekziston mjaft ushqim për ti ushqyer të gjithë. Ndoshta mund të duket një gjë e qartë kjo, mirëpo mjafton të vihet në pah sërish: njerëzit nuk mbesin të uritur për shkak se nuk ka ushqim të mjaftueshëm por për shkak se nuk kanë qasje deri tek ushqimi, në shumicën e rasteve për shkak se nuk kanë mundësi të blejnë ushqimin apo ta kultivojnë vetë, ose për shkak se kanë mbetur të ngujuar në mesin e ndonjë rajoni luftimesh, ndërsa vetëm në tetë për qind të rasteve kjo ndodh për shkak të ndonjë katastrofe natyrale ose emergjence.

Fakti numër pesë: Prodhimtaria bujqësore është në rënie. Javën e kaluar, OECD dhe FAO publikuan verzionin më të fundit të Pamjes Agronomike. Raporti vë në dukje se 25 për qind e tokës bujqësore është e degraduar në shkallë të lartë, se pamjaftueshmëria e ujit është problem serioz në shumë shtete, se ndryshimet klimatike pa dyshim se janë duke ndikuar në prodhueshmërinë bujqësore, dhe se rritja e prodhimeve bujqësore do të ngadalësohet në 1.7 për qind çdo vit për 10 vitet e ardhshme, e zvogëluar nga më shumë se dy për qind që ishte në dekadat e kaluara. Me fjalë të tjera, ne hasim në një pamje të pasigurisë së ushqimit duke qenë se kërkesa është në rritje e sipër ndërsa furnizimi tkurret, përveç nëse ndodh që të rritet prodhueshmëria bujqësore në të ardhmen.

Fakti numër gjashtë: Një e treta e ushqimit e cila prodhohet për konsum nga njerëzit humbet ose hudhet tutje. Po, po e përsëris, FAO ka vlerësuar se pikërisht një e treta e ushqimeve që prodhohen hudhet tutje ose humbet.

Fakti numër shtatë: Zhdukja e urisë është e mundur. Një miliardë njerëz është një numër i madh. Është një fakt turpërues për njerëzimin që kaq shumë njerëz në ditët e sotme të vdesin nga uria.
Dhe ata nuk vdesin për shkak se nuk ka ushqim të mjaftueshëm por për shkak se janë përjashtuar nga mirëqenia. Rritja ekonomike është rruga e vetme drejt largimit të varfërisë, dhe rrjedhimisht urisë. Të uriturit duhet të ushqehen në çfarëdo mënyre të mundshme, por ajo që kërkohet nuk është bamirësia me ushqime por drejtësia dhe njerëzia e të hapurit të tregtive ndërkombëtare për shtetet në zhvillim e sipër, dhënia atyre mundësitë për të investuar në edukim dhe në infrastrukturë, ndihma atyre që të posedojnë teknologjinë e nevojshme dhe aftësitë për të zhvilluar prodhimtarinë e tyre bujqësore dhe ekonomike.

Si sekretar i përgjithshëm i OECD Angel Gurria shkroi në raportin e tij të fundit: “Qeveritë duhet të heqin dorë nga praktikat e shfytyrimit të tregjeve dhe të krijojnë një ambient që mundëson zhvillimin e një agronomie të lulëzuar dhe të qëndrueshme të mbështjellur me prodhimtari të shtuar.”

Sonte, përderisa ti po qëndron para një ushqimi të kushtueshëm për syfyr dhe po e mbush stomakun për agjërimin e ditës së nesërme, çoj pak mendët tek ata për të cilët uria është një realitet i vazhdueshëm dhe për fëmijët të cilët nuk do t’ia dalin të arrijnë moshën e pjekurisë sepse kanë pasur fatkeqësinë të jenë të lindur në varfëri të skajshme. Mund të themi se ky është një realitet i epokës sonë, por le të mos jetë realitet i së nesërmes. Disa nga ne ndoshta do të mbesin pak më keq, mirëpo a është e drejtë që të tjerët ti lëmë (skajshmërisht) të varfër në mënyrë që ne të qëndrojmë (relativisht) të pasur???

Shkruan: Imane Kurdi
Imane Kurdi është shkrimtare për çështjet Evropiane, nga Arabia Saudite.
Marrë nga: Saudi Gazette

Përktheu dhe përshtati: H. Helshani/kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit