10 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë kërkon nga Riadi lirimin e dijetarëve muslimanë

Më të lexuarat

Të hënën, aktivistët raportuan në median sociale se autoritetet saudite kishin arrestuar më shumë se 20 predikues dhe dijetarë muslimanë për arsye të paspecifikuara

DOHA (AA) – Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë ka kritikuar arrestimin e raportuar të predikuesve dhe dijetarëve muslimanë në Arabinë Saudite, në mesin e të cilëve gjendet predikuesi i njohur Selman al-Aude, njëherësh anëtar i bordit të administratorëve të unionit, duke kërkuar lirimin e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Të hënën, aktivistët raportuan në median sociale se autoritetet saudite kishin arrestuar më shumë se 20 predikues dhe dijetarë muslimanë për arsye të paspecifikuara.

Krahas Audes, në mesin e të arrestuarve thuhet se gjenden edhe predikues të shquar sauditë, si Aidh al-Karni dhe Ali al-Omari.

Arabia Saudite ende nuk ka dhënë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me arrestimet e raportuara.

Në një deklaratë të publikuar të hënën vonë, Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë me bazë në Doha sugjeroi se arrestimet kishin të bënin me krizën diplomatike, që tani gjendet në muajin e katërt, mes Katarit dhe bllokut arab prej katër shtetesh të udhëhequr nga Arabia Saudite.

“Në lidhje me krizën me vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), al-Aude nuk ka bërë asgjë, por kërkon një unitet mes këtyre vendeve vëllazërore”, thuhet në deklaratë.

Deklarata vazhdon duke cituar sekretarin e përgjithshëm të Unionit, Ali Karadagi, i cili ka thënë se Aude është i njohur për “përpjekjet e tij të predikimit” dhe “pozicionet e moderuara”.

Deklarata gjithashtu vë në dukje se Aude, në postimin e tij të fundit në Twitter, i kishte kërkuar anëtarëve të GCC-së “të bashkoheshin për hir të popullit të tyre”.

Së bashku me Katarin dhe Arabinë Saudite, GCC me gjashtë vende përfshin Kuvajtin, Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Omanin.

Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë gjithashtu i ka kërkuar mbretit saudit Selman bin Abdulaziz që të urdhërojë lirimin e predikuesve dhe studiuesve të arrestuar, të cilët, siç thuhet, “nuk duhet të përdoren si gurë shahu në mosmarrëveshjet politike”.

Ndryshe, në fillim të qershorit, Arabia Saudite, EBA-të, Egjipti dhe Bahreini shkëputën lidhjet diplomatike dhe ekonomike me Katarin, duke e akuzuar atë për “mbështetjen e grupeve terroriste në rajon”.

Katër vendet vendosën gjithashtu embargo mbi Katarin dhe përgatitën një listë të gjatë kërkesash, duke përfshirë mbylljen e transmetuesit të lajmeve me bazë në Doha, Al Jazeera, nën kërcënimin e sanksioneve të mëtejshme.

Katari ka refuzuar të plotësojë kërkesat, duke mohuar akuzat se mbështet terrorizmin dhe duke përshkruar përpjekjet e bllokut për ta izoluar atë si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe shkelje të sovranitetit të tij kombëtar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit