11.3 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Unë nuk di a ka poshtërim më të keq, se sa kur një njeri nuk e pranon se nuk është i denjë për një pozitë të caktuar

Më të lexuarat

Kur Anvar el-Sadati i kishte ofruari Mustafa Mahmudit që ta drejtonte një ministri, ai e kishte refuzuar, duke thënë: “Unë nuk mund ta menaxhoj institucionin më të vogël, që është familja (jam i divorcuar), si atëherë mund të kem sukses në menaxhimin e ministrisë?!” Mustafa Mahmud një personalitet i njohur në planet, kështu që nuk ka nevojë të prezantohet posaçërisht.

Mjafton të thuhet se Mustafa Mahmudi ishte filozof, mjek, shkrimtar dhe mendimtar, ka pasur 400 emisione televizive – kryevepra, në kuadër të programit “Shkenca dhe feja” dhe është autor i 89 librave. Ai është filozof në librin ‘Dialog me mikun ateist’, besimtar në librin ‘Nga dyshimi deri në besim’, mendimtar në librin e tij ‘Islami politik’, novelist në librin ‘Mesihu Dexhall’ dhe romancier në librin  ‘Përmbytja’.

E pyeta veten me një pyetje për të cilën nuk e gjeta përgjigjen: Nëse Mustafa Mahmudi nuk ishte i përshtatshëm për drejtimin e ministrisë, atëherë kush është?

Nuk ka dyshim se ai ishte i përshtatshëm dhe i aftë, por njeriu që hoqi dorë nga posti ministror, ishte aq bujar sa që kishte frikë nga dështimi. Për fat të keq, sot po jetojmë në shtete të mbushura me ministra dhe zyrtarë, të cilët janë të humbur në ato pozita sikurse fëmija në rrobat e babait.

Unë nuk di a ka poshtërim më të keq, se sa kur një njeri nuk e pranon se nuk është i denjë për një pozitë të caktuar dhe është i paaftë për një shërbim të caktuar.

Mirëpo, si ta kërkojmë një shkallë të tillë të bujarisë dhe ndershmërisë, kur po shohim dhe e dimë se cilësia e vetme të cilën e posedojnë qindra ministra në vendet tona është pikërisht paaftësia. Shumë mjekë të dështuar janë bërë ministra të shëndetësisë dhe drejtorë të spitaleve, ndërsa shumë zyrtarë të dështuar në detyra të vogla, drejtojnë punë të mëdha, e po ashtu oficerët të cilët e kanë humbur luftën, janë bërë gjeneralë dhe ministra të mbrojtjes.

Kur do ta mësojmë ligjin më të rëndësishëm nga fusha e menaxhimit: Nëse doni ta zhvlerësoni reputacionin e një pozicioni të lartë, atëherë në atë pozitë emërone një të padenjë, ndërsa nëse doni ta rritni reputacionin e një pozicioni më të vogël, atëherë në atë pozitë emërone një të përshtatshëm, të aftë dhe të respektuar.

Unë nuk e mohoj faktin se një person i caktuar mund të jetë i pasuksesshëm në ndonjë aspekt të jetës së tij, dhe të jetë i suksesshëm në ndonjë funksion publik. Është e mundur që një grua e divorcuar të jetë e suksesshme në drejtimin e Ministrisë së Familjes, si dhe një njeri i cili nuk e di as në cilën klasë është fëmija i tij, mund të ketë sukses në drejtimin e ndonjë institucioni.

Mirëpo, kjo ndodh rrallë. Një person që nuk di ta menaxhojë shtëpinë dhe familjen e tij, do të dështojë edhe në drejtimin dhe menaxhimin e ministrisë. Kur njerëzve të paaftë dhe të pasuksesshëm ua ndalojmë që të vijnë në poste publike, ne i ruajmë ata nga dështimi, por i ruajmë njëkohësisht edhe njerëzit e tjerë nga dështimi i tyre.

Megjithatë, mbetet pyetja: Pse njerëzit e dështuar nuk e pranojnë se janë të tillë?

Dhe, kur njeriu i pasuksesshëm dhe i paaftë do ta refuzojë një pozicion që është përtej aftësive të tij/saj dhe të thotë: “Më falni, unë nuk jam i/e aftë për këtë pozicion dhe nuk dua që të dukem qesharak/e si një fëmijë i veshur me rrobat e babait të tij/saj.”

Edhem Sherkavi;

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit