12.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Unë jam “Fondacioni Shejkh Ahmed Keftaro”!

Më të lexuarat

Sot paskan gjuajtur shkollën time në Damask… Më e madhja Qendër Islame në Lindjen e Mesme (e njohur ndryshe si: Fondacioni “Shejkh Ahmed Keftaro”). I shtrenjti Damask, që më mungon kaq shumë, që nga ajo ditë e funddhjetorit të vitit 2010, kur e vizitoja për herë të fundit, në një vizitë zyrtare. (Disa muaj më pas, nisën lëvizjet e para të “pranverës arabe”, të kobshmes “pranverë”, që si një murtajë e fletëve të historisë së lashtë, dogji e shkrumboi një nga një të gjitha ato vende, ku ra si flamë.., edhe Sirinë e shtrenjtë, djepin e lashtë të civilizimeve dhe qytetërimeve të njerëzimit…)

Jam i lënduar pa masë! Është prekur imuniteti i një djepi dijeje, adhurimi, qytetërimi e kulture të pashoq, janë lënduar studentë të pafajshëm, në bankat e auditoreve… Është prishur qetësia e hijshme e një kalaje të pashembullt diturie e prezantimi me vlerat e vërteta të Islamit!

Sado i vogël a i madh të jetë dëmi në lëndimet e studentëve (dy të vdekura, një pjesë e tyre në gjendje të rëndë nga plagët e pabesa, sipas raportimeve të para zyrtare) a mureve të kalasë tonë të madhe, dhembja e prekjes së këtij imuniteti dhemb më shumë e prek në nerv!

Shkollat dhe universitetet nuk preken asgjëkundi në botën e qytetëruar! Vetëm në botën e katilëve barbarë ndodh një gjë e tillë! E, ata, katilët e Shkollave e universiteteve, vetëm fé e lidhje me qytetërimet ndërtuese nuk mund të kenë! Djepet e qytetërimit dhe përparimit të një kombi nuk preken, as digjen, as shkrumbohen, as bombardohen, as dhunohen! Është krim, shumë krim i madh është!

Në fakt, ky lajm më ka prekur pa masë. Më kanë gjuajtur edhe mua! Më kanë goditur pas shpine, pabesisht! Më kanë lënduar, por nuk më kanë thyer, nuk kanë thyer as misionin e shkollës sime, ne nuk thehemi me bomba e terror, as nga çmenduria dhe histerizmi kriminel! Shpirtin e Thirrjes tonë nuk e mposht dhuna, as terrori, as ekstremizmi e injoranca! Nuk e mposht dekadenca morale, as shthurja intelektuale, as afetarizmi ekstrem, as primitivizmi materialist e pashpirtësia e laikëve a laicizmit radikal, as aleancat e të keqes, as bekuesit e tyre!

Kanë gjuajtur shpirtin e mësimeve dhe misionit mbarëbotëror që kjo shkollë bart në themelet e saj! Dhe, bota duhet të reflektojë në këtë fakt! Këto gjuajtje janë më të rënda se atentati i redaksisë së një reviste satirike në zemër të Evropës, disa muaj më parë!

Ky sulm sfidon jo vetëm lirinë e fjalës, por edhe shenjtërinë e mesazhit të paqes dhe atë të mbjelljes së farës së vëllazërisë së sinqertë të humanizmit në mesin e individëve të kësaj race njerëzore, të cilës i përkasim!

Sot, është sulmuar një nga djepet më të spikatura të mësimit dhe edukimit botëror me esencën e Islamit, Kur’anit dhe Traditave të mrekullueshme të Hz. Muhammedit (a.s), profetit që tha: “Ne profetët jemi vëllezër nga nana të ndryshme”!

Është sulmuar ai djep, në të cilin, prej mbi pesëdhjetë vite, muslimanë e të krishterë nga mbarë bota, ulen e kuvendojnë, respektohen e nderohen, si pasues të një besimi të lashtë, në një origjinë të shenjtë! Është sulmuar një djep, ku janë përkundur me dhjetëra e qindra thirrës të suksesshëm të Islamit në mbarë botën, të cilët punojnë pa ndërprerje e me vullnet të madh për përhapjen e vlerave universale të kësaj feje gjithëpërfshirëse dhe respektuese të kujtdo; bindjes, mendimit dhe rrugëtimit të tij besimor e intelektual në jetë!
Sot është goditur mesazhi i paqes, i harmonisë së njeriut me vëllanë e tij njeri, i dijes së kulluar, që prodhon vlera e nxitje për ta shikuar jetën me optimizëm e shpresë, me dëshirë për të ndërtuar ura komunikimi dhe vlera dijeje dhe urtësie, që njeriun e marrin për dore drejt lartësimit në këtë botë, para të përjetshmes!

Sot është lënduar Kasijuni[1] i eulijave dhe i ulemave, kërkuesve të dijes dhe vullnetmirëve, që s’i pengon forcë errësire në botë për të vazhduar me sinqeritet atë rrugë të dritshme të dijes dhe mbjelljes së farës së udhëzimit në mbarë botën!

Sot është lënduar në varrin e tij, Kryemyftiu i Madh i Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro (1915-2004) dhe mesazhet e tij, që për dekada të tëra u përpoq të mbillte kudo në botë! Sot është prekur jo vetëm një Shkollë në zemër të Damaskut, por edhe krejt thirrjet qiellore dhe vlerat më të larta të mësimeve hyjnore, që burojnë nga ky Djep Drite dhe udhëzimi që ai jep për jetën dhe të ardhmen e njeriut!

Është drita e mësimeve të profetit të Zotit, Muhammedit (a.s), besa e shekujve, Islami i paqes, i dijes, i harmonisë dhe i veprave të sinqerta, që garantojnë kudo Paqe e Urtësi, Harmoni në mesin e njerëzve dhe Liri në përzgjedhjen e secilit, pa paragjykim e nënçmim!

Sot, teksa shihja pamjet e dëmeve materiale të shkaktuara nga sulmi i pabesë ndaj godinës së Shkollës sime në Damask, më erdhën ndër mend vitet e gjata të shkollimit dhe të edukimit. Takimet e shumta ndërkombëtare, konferencat e dialogut ndërfetar, atij ndërislam, vizitorët e mëdhenj të xhamisë tonë dhe Kryemyftiut Shejkh Ahmed Keftaro, si: Rozhe Garodi (mendimtari i shquar francez), Robert Crane (ish-Kryetar i Këshillit të Sigurimit të ShBA në kohën e presidentit Nickson), Robert Scholer (pastori i famshëm i Kishës së Kristaltë në Kaliforni), Papa Shnoda (Papa i Koptëve të Egjiptit), mons. Michael Fritzgerald (ish-kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar në papatin e Gjon Palit II), Papa Gjon Pali II (Papa i Katolikëve, Vatikan), William Backer (President i Organizatës “Muslimanë dhe të Krishterë pa Kufi”), Dr. George Kerry (Arqipeshkvi i Kanterberisë), japonezët e Omotos, Baron Michael Levy (këshilltar i kryeministrit britanik Tony Blair), Nexhmedin Erbakan (mendimtari dhe politologu i madh turk), Muhamed Aliu i famshëm, Elixha Muhamed (ShBA), Luis Farakan (Udhësheqës i “Popullit Musliman” në ShBA), e shumë e shumë personalitete ndërkombëtare të mendimit të lirë, besimit me dimensioneve të tij, intelektualë elitarë dhe prijës të shquar të njerëzimit!

M’u kujtuan ata dhe një takim i Edukatorit tonë të madh, Kryemyftiut Shejkh Ahmed Keftaro me një gazetare hollandeze, detajet e të cilit ai i tregon në një libër autobiografik, ku thekson: “Europa sot, nuk është më ajo e djeshmja. Tashmë ka nisur të shkundë pluhurin e fanatizmit dhe të hapë sytë. Evropianët panë se Islami është fé e mendjes dhe e logjikës, e çdo gjëje të dobishme për njeriun, e çdo parimi të saktë, që mendja e shëndoshë pranon, e çdo morali dhe mirësjelljeje. Këto janë sihariqe, për të cilat pat shkruar edhe filozofi anglez Bernard Show, që thoshte, se: “Nuk do të kalojë një shekull, pa u përhapur Islami në çdo cep të Evropës, së bashku me gjuhën e dadit (arabishten)” Mëngjesin e xhumasë së shkuar më vizitoi një zonjë gazetare hollandeze, rreth të gjashtëdhjetave… Para dy vitesh kishte përqafuar Islamin, pas studimesh të lodhshme dhe të hollësishme. Pastaj kishte përkthyer kuptimet e Kur’anit në gjuhën hollandeze. Kishte përkthyer edhe katër mijë hadithe profetike dhe kishte nisur të ftonte popullin e saj në Islam. Me dhjetra hollandezë përqafuan Islamin në duart e saj. Nuk u befasova, kur ajo më shprehu neverinë e saj karshi muslimanëve, sidomos pasi kishte vizituar shumë prej vendeve islame. Nuk u befasova nga neveria e saj për injorancën e shumë prej muslimanëve ndaj vetë fesë së tyre dhe largimin e tyre nga praktikimi i fesë dhe zëvendësimi i argumenteve të qarta me legjenda e iluzione. Më përmendi hadithin: “Nuk do të bëhet kiameti, derisa të lindë dielli nga perëndimi i tij” dhe më tha: “Unë nuk e kuptoj ndryshe këtë hadith, vetëm se Evropa do ta përqafojë Islamin, me studim e kuptim, praktikim dhe dije, pastaj dielli i Islamit do të lindë nga perëndimi evropian drejt lindjes arabe dhe islame. Ia ktheva: Nëse në të shkuarën Islami kishte një diell, që lindi nga Lindja arabe, në kohën tonë, ai do të ketë dytë tillë; një diell nga perëndimi evropian dhe një diell nga lindja arabe dhe islame”

Pastaj m’u kujtuan shkrimet e dijetarëve dhe intelektualëve të shquar të kohëve të afërta, si: Noam Chomsky, Zingrid Honke, Dr. Crisi Morison, Rozhe Garodi, Dr. Robert Crane, Michael Hart, Gustav le Bon, e shumë perëndimorë, që e lexuan dhe e studiuan Islamin me objektivizëm, derisa u bënë muslimanë.

All-llahu ekber! Ai është më i madh se tanësia! Edhe se terrori, dhuna, ekstremizmi, mizoria, tirania, barbaria e injoranca e kujtdo që ka lidhur besën me shejtanin e mallkuar, në lindje a në perëndim!

All-llahu ekber! Mesazhi i shenjtë i afrimit të njeriut me vëllanë e tij njeri, nxitja kur’anore për takimin e kulturave, popujve dhe besimeve të tyre në tryezat e dialogut, por jo vetëm, nxitja për të jetuar në paqe në një botë të rënduar nga tymnaja e luftrave dhe mashtrimeve, natyrshëm, që qëndrojnë mbi krejt përpjekjet e atyre që dje na goditën pabesisht duke na dhënë një sinjal, para të cilit, jo vetëm që nuk thyhemi, por ngrihemi edhe më të bindur në rrugën dhe thirrjen tonë!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

[1] Quhet mali, mbi të cilin shtrihet një pjesë e Damaskut, prej ku kanë dalë dijetarë e edukatorë të famshëm në historinë 15 shekullore të Islamit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit