9.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Unë jam afër, u përgjigjem lutjeve të lutësit

Më të lexuarat

Thirrja e Kuranit për lutje dhe nxitja për të është cekur në shumë vende në Kuran, ndër to përzgjedhim fjalët e Allahut të Lartësuar, që thotë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” (Bekare: 186) 

Gjithashtu thotë: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” (Gafir, 60), dhe ajete të tjera që bëjnë thirrje për lutje. Lutja nga aspekti gjuhësor nënkupton kërkesën e robit drejtuar Allahut për nevojat e tij, ndërsa nga aspekti terminologjik (fetar) ka disa kuptime, prej të cilave është edhe adhurimi. Me këtë kuptim është komentuar fjala e Allahut të Lartësuar: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!”, më adhuroni Mua dhe jini të sinqertë në adhurimin Tim. Transmetohet nga Thabiti, i cili thotë se i thashë Enesit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “O Ebu Hamza! A të është përcjellë se lutja (duaja) është gjysma e adhurimit?” U përgjigj: “Jo, por duaja (lutja) është i tërë adhurimi”.

Nëse lutja është adhurim ashtu siç është përmendur në hadith, atëherë adhurimi (ibadeti) gjithashtu është lutje, ngase nuk ka adhurim pa lutje. Mirëpo ajo që dëshirojmë të trajtojmë në këtë shkrim është rëndësia e lutjes nga aspekti i saj primar dhe gjuhësor dhe me këtë nënkuptojmë të drejtuarit e robërve drejt Allahut të Lartësuar duke kërkuar plotësimin e nevojave dhe largimin e brengave. Kjo është një çështje pothuajse e harruar në mesin e muslimanëve me gjithë rekomandimin e sheriatit për të dhe nevojën e madhe të muslimanëve për të.

Nga mirësia dhe bujaria e Allahut të Lartësuar është se dëshiron që robërit e Tij t’i luten Atij dhe ua ka garantuar përgjigjen. Në hadith thuhet: “Zoti juaj është i Turpshëm, Fisnik, turpërohet prej robit të Vet që kur i ngre duart, t’ia kthejë të zbrazëta.” Shënon Ahmedi.

Prandaj nga muslimani kërkohet t’i drejtohet Allahut të Lartësuar me lutje – pas bërjes së shkaqeve – dhe t’i kërkojë Atij ndihmë në çdo situatë, kur është në vështirësi dhe lehtësi. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Çdo musliman që i lutet Allahut të Lartësuar e nuk lutet për mëkat ose ndërprerje të lidhjeve me farefisin, Allahu ia jep njërën prej tri gjërave: i përgjigjet lutjes së tij ose ia rezervon për në botën tjetër ose e mbron nga një e keqe.” Thanë: “Atëherë ta shtojmë lutjen.” I Dërguari tha: “Allahu i Lartësuar atëherë edhe më shumë jep.” Shënon Ahmedi.

Lutësi mund të pyesë, përse ne i drejtojmë lutjet tona e ato nuk na pranohen? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje përzgjedhim përgjigjen e komentuesit të Kuranit Kurtubiut, Allahu e mëshiroftë, i cili kësaj problematike iu përgjigjet duke thënë: “Përgjigjja është të dihet fakti se fjala e Allahut të Lartësuar në dy ajetet “i përgjigjem”, dhe “do t’ju përgjigjem!”, nuk nënkupton përgjigjen absolute për çdo lutës dhe për çdo lutje. Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër thotë: “Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe ngadalë! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” (Araf, 55). Çdo këmbëngulës në mëkat, qoftë me dije apo pa të, është prej atyre që e kalojnë kufirin, ndërkaq Allahu ka lajmëruar se Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin, e si pra t’i përgjigjet atij? Ndërsa llojet e kalimit të kufirit janë të shumta.

Pastaj gjithashtu themi se përgjigjja e Allahut është e ndërlidhur me Vullnetin e Tij, i përgjigjet kujt të dojë nga robërit e Tij dhe i refuzon përgjigjen kujt të dojë për ndonjë urtësi që e do Ai. Këtë e argumenton edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Nëse do të dojë, Ai do t’ju shpëtojë nga ajo për të cilën e thërrisnit.” (Enam, 41).

Nëse na bëhet e qartë kjo, atëherë patjetër duhet të themi se pranimin e lutjes e pengojnë disa pengesa të cilave duhet t’u kushtohet rëndësi e madhe. Përgjithësisht ato janë kryerja e çdo gjëje që nuk e kënaq Allahun e Lartësuar, si ngrënia e pasurisë së ndaluar e të ngjashme me këto. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka përmendur “…një njeri që kishte udhëtuar gjatë, i pluhurosur dhe i rraskapitur, i cili ngriti duart në qiell duke thënë: “O Zot, o Zot! Mirëpo ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, veshja e tij është haram, është ngopur me haram. E si mund t’i përgjigjet këtij?!”

Për përgjigje të lutjes patjetër duhet të plotësohen kushte te lutësi, te lutja dhe te çështja për të cilën lutet.

Prej kushteve të lutësit ndër të tjera janë edhe këto: që lutësi të jetë i vetëdijshëm se askush tjetër përveç Allahut nuk ka mundësi t’i plotësojë nevojat, të lutet me nijet të sinqertë dhe me përkushtim, sepse Allahu nuk i përgjigjet lutjes së një lutësi me zemër të shkujdesur e të pavëmendshme, të largohet nga ngrënia e haramit, mos t’i humbasë shpresat në pranimin e lutjes dhe kushte të tjera të cilat i kanë përmendur dijetarët.

Ajo për të cilën dëshirojmë të konstatojmë nga sa u tha më sipër është fakti se çështja e lutjes në jetën e muslimanit nuk duhet të neglizhohet dhe muslimani nuk duhet ta privojë veten nga kjo mirësi e madhe të cilën ia ka falur Allahu. Muslimani duhet të tregohet i etur dhe i gatshëm për mirësi. A nuk thotë i Dërguari i Allahut: “Dhe kujdesu për atë që të sjell dobi”. Medito rreth thënies së të Dërguarit kujdesu, në mënyrë që të të sqarohet vlera e këtij udhëzimi profetik.

Pa dyshim se e tërë dobia qëndron te lutja, veçanërisht kur i plotëson kushtet. Këtë që e thamë e vërteton mbarimi i dy ajeteve që i përmendëm, ai i sures el Bekare, “për të qenë në rrugë të drejtë”, dhe ajeti i sures el Gafir “ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në xhehenem të poshtëruar.”

Përgatiti: Almedin Ejupi
25.10.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit