12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

UNDP-ja alarmon: Shumë të papunë e vështirësi të tjera

Më të lexuarat

Raporti i shtatë i zhvillimit njerëzor në Kosovë i publikuar të hënën nga UNDP-ja, lidhur me sektorin privat dhe punësimin në Kosovë u kontestua në disa pika të gjetjeve të tij gjatë prezantimit, nga ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiq. Rashiq vlerësoi se rezultatet e këtij raporti lidhur me shkallën e papunësisë, mesataren e pagave mujore si dhe mënyrën e rekrutimit të punëtorëve në sektorin privat nuk përputhen me ato që MPMS-ja i posedon duke i quajtur si “joreale”.

Sipas gjetjeve të UNDP-së, shkalla e papunësisë në Kosovë është veçanërisht e lartë ku në mesin e të rinjve nga mosha 15-vjeçare deri në 24, janë 73 për qind të papunë. Ndërsa nga mosha 25-54 vjeç janë 42 për qind.

Mesatarja e pagave mujore në sektorin privat, sipas raportit të UNDP-së është e ulët në rreth 260 euro. ”Një maqedonas ka një pagë mujore dyfish më të madhe se një kosovar”, ka thënë Denis Nushi, menaxher i projektit të UNDP-së.

Ndërsa sa i përket burimit primar për punësimin e personelit në sektorin privat, në raport thuhet se 44.5 për qind punësohen me rekomandime, 34 për qind e të punësuarve sigurojnë vendin e punës përmes lidhjeve familjare, 15 për qind nga informimi përmes medieve dhe 3.5 për qind me ndihmën e Zyrave për punësim.

Si barrierat më të mëdha të të bërit biznes në Kosovë, konsiderohen konkurrenca e padrejtë, evazioni dhe informaliteti, praktikat jokonkurruese, krimi, vjedhja dhe çrregullimet e tjera si dhe furnizimi me rrymë.

E ministri Rashiq ka vlerësuar se ky raport është shqetësues nëse shikohet “nga ana neutrale” apo nga ana e njerëzve që nuk i kanë të gjitha informatat lidhur me tregun e punës apo me numrin e të rinjve të papunë “apo me rrethanat ekonomike dhe sociale”.

“Nga të dhënat që kemi pasur prej vitit 2002, kur u formua Ministria e Punës, e deri sot janë 265 mijë persona të cilët janë në tregun e punës. Ne nuk kemi institucione që duhet t’i rrumbullakojnë të gjitha të dhënat dhe t’i paraqesin para publikut, por, sipas meje, kjo nuk do të thotë se niveli i të papunëve është aq i lartë sa u prezantua sot këtu. Do të thotë se nuk pajtohem se papunësia është në nivelin 45 për qind, apo 73 për qind për persona të cilët janë 15 deri në 24 vjeç”, ka thënë ai.

Sa u përket pagave mesatare mujore në sektorin privat ai ka thënë se janë 328 euro.

“Ka diferenca nga vendi në vend, nuk po kundërshtoj, por po flas në bazë të të dhënave që ne kemi. Nga ana e të dhënave të Ministrisë po deklaroj”, ka shtuar ai.

Lidhur me punësimin përmes zyrave të punësimit, Rashiq ka thënë se, sipas të dhënave të Ministrisë “diku 24 për qind është pjesëmarrja e tyre në punësim”.

Por, Mytaher Haskuka, udhëheqës i ekipit për politika në UNDP, ka njoftuar se të dhënat për përpilimin e raportit janë bazuar nga Agjencia e statistikave si dhe nga shifrat e publikuara për këto çështje.

Kurse ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, i ka komentuar disa pika të këtij raporti, sidomos kufizimin e gruas në fuqinë punëtore, strategjitë sektoriale si dhe arsimin. Sipas ministres Kusari-Lila, sfida më e madhe është krijimi i vendeve të reja të punës që gjenerohen nga sektori privat, ndërsa Qeveria është ajo që duhet t’i heq barrierat, e të krijojë ambiente të volitshme të punës. “Qeveria e Kosovës e llogarit sektorin privat si partner në zhvillimin afatgjatë të Kosovës”, ka thënë ajo.

E koordinatorja e OKB-së për zhvillim dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Osnat Lubrani, ka bërë të ditur se edhe raporti i sivjetmë është fokusuar në përfshirjen sociale dhe trajton thelbin e sfidave ekonomike dhe sociale në Kosovë dhe kapacitetin e vendeve të punës në rritje.

Shqetësimi më i madh në Europë dhe po ashtu në Kosovë, sipas Lubranit, është se shumë të rinj po diplomojnë nëpër shkolla dhe në fakultete pa perspektivë të gjetjes së vendeve të mira të punës. Shqetësimi tjetër që ajo ka potencuar është se kompanitë e vogla kanë kufizime dhe pengesa në marrje të kredive gjë që “pengon” investimet dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Lubrani ka thënë se institucionet e Kosovës kanë një rol vendimtar për krijimin e një ambienti për fuqizimin e sektorit privat. “Thuhet se duhet të merren vendime të vështira dhe kjo po ashtu për shkak se duhet të ketë jo vetëm të menduar afatshkurtër, por edhe afatmesëm e afatgjatë, për të gjetur zgjidhje më të qëndrueshme”, ka shtuar ajo. Lubrani ka bërë të ditur se raporti i UNDP-së jep disa rekomandime dhe sugjerime se si të kapërcehen këto sfida, duke përfshirë parandalimin e praktikave jo të mira të biznesit, nevojën për të siguruar respektim të plotë të ligjeve, për të siguruar mekanizma rregullativ në uljen e shpenzimeve të sektorit publik dhe në formulimin e ligjeve të reja të mira.

Në rezultatet kryesore të dala nga raporti i shtatë i zhvillimit njerëzor në Kosovë ndër të tjera thuhet se historia e Kosovës dhe trendët ekonomikë të pasluftës kanë anuar në rritjen drejt një modeli të rritjes “përjashtuese” dhe kryesisht drejt një modelit të rritjes së papunësisë. Analiza e barrierave të biznesit thuhet se tregon më shumë në zgjidhjet për ndryshimin kulturor sesa atë legjislativ. Investimet dhe modelet e krijimit të vendeve të punës po ashtu sipas raportit kërkojnë riorientim për të bashkuar njerëz me sektorët e gatshëm rritës. Ndërsa ciklet e varshmërisë “duhet të thyhen” për një të ardhme ku pasuria rritet përkrah dinjitetit dhe lirisë njerëzore.

Raporti i UNDP-së rekomandon që në Kosovë të ndërtohet vizioni për rritje gjithëpërfshirëse dhe punë intensive, të krijohet klima e duhur për ndërmarrësi të drejtë dhe të qëndrueshme si dhe rekomandohet që të bashkohen më shumë meshkuj dhe femra me një treg të paanshëm. /koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit