Ujërat, parakusht i zhvillimit të shteteve – inxhinieri i ambientit Baton Begolli thotë se Kosova duhet ndërtuar akumulues për të plotësuar normën

0
27

Pasuria e shteteve me resurse natyrore, veçanërisht me ujëra, është njëri nga përcaktuesit e peshës së shteteve në aspektin gjeopolitik dhe gjeostrategjik.

Kështu ka theksuar inxhinieri i ambientit, Baton Begolli, i cili ka theksuar se ndër të tjera ujërat janë parakusht i politikave zhvillimore të shteteve.

Begolli në një intervistë për Telegrafin ka thënë se Kosova nuk është në mesin e vendeve të pasura me ujëra, madje sipas tij, vendet e rajonit qëndrojnë shumë më mirë në raportin e tyre me plotësimin e kërkesave dhe nevojave për ujin.

“Ne si Kosovë jemi të vobektë, madje më të vobektit në rajon. Nëse një shtet i ka 1700 metër kub për kokë banori në vit atëherë konsiderohet se ka një gjendje të mirë, përderisa ne si vend i kemi 1600 metra kub në shfrytëzim, që i bie që kemi stres ujor, respektivisht nuk kemi sasi të mjaftueshme për t’i përballuar kërkesat”, ka shtuar ai.

Madje sipas tij, vendet e rajonit qëndrojnë shumë më mirë edhe me sasinë e ujit që e kanë në diskonim.

https://www.facebook.com/watch/?v=395095104520871

“Vendet e rajonit kanë bërë akumulime të sasisë së ujit, ku për kokë banori i kanë 700 metë kub të akumuluara, ndërsa ne i kemi vetëm 290 metër kub, e që do të thotë që jemi te vobektë nëse duam me zhvillu ujin në dispozicion”, ka theksuar Begolli.

Tjetër problem që është për tu shqetësuar sipas inxhierit të ambientit, është që Kosova ndonëse ka mungesë të sasisë së mjaftueshme të ujërave, ajo ballafaqohet edhe me rrezikimin e ujërave aktual.

“Zonat e mbrojtura ujore rrezikohen prej ndërtimeve rreth e rrotull. Fillimisht e shohim eksploatimin e lumenjve, duke rrezikuar shkatërrimin e lumenjve në tërësi, sepse në shumë segmente është bërë eksploatim pa kontroll dhe respektim të kritereve. Mund të eksploatohet për t’i hequr aluvionet nga lumenjtë, por jo në këtë mënyrë dhe deri në këtë masë”, ka shtuar Begolli.

Sipas tij, zhvillimet urbane siç janë bërë deri me tani kanë pasur efekt negativ në zhvillimin e akumulimeve të ujërave.

“Ne nuk po i marrim parasysh zhvillimet urbane ne tërësi, respektivisht në zonat që duhet me qenë të rezervuara për zhvillimin e resurseve, sepse është jetike për vendin me pas akumulimet e reja”, tha ai.

Begolli ka thënë se ndërtimi i hidrocentraleve në mënyrën që ka ndodhur deri më tani përbën një shqetësim tjetër për gjendjen e ujërave në vend, ku sipas tij, janë ndërtuar hidrocentrale në vendet ku parashihet të ndërtohen diga për akumulim të ujit.

“Hidrocentralet janë problem shumë i madh. Rasti i Lepencit ta zëmë është paraparë të ndërtohet një digë, dhe përnjëherë janë bërë 11 hidrocentrale, ku shtatë ose tetë prej tyre do të jenë poshtë rrjedhes, dhe rrjedhimisht kur ndërtohet diga nuk do të kenë kurfarrë efekti. Çfarë duhet të veprohet, t’i shpronësojmë ato, t’ua paguajmë dëmshpërblimin. Pse janë lejuar të ndërtohen hidrocentralet nga Ministria e Ambientit dhe institucionet. Ka shumë veprimtari të cilat duhet të shqyrtohen në mënyrë serioze se çfarë efekti do të kenë”, tha ai.

Begolli ka theksuar se një pjesë tjetër e zgjidhjes është ndërtimi i impianteve, të cilat sipas tij, jo domosdoshmërisht duhet të jenë në çdo vendbanim.

“Nuk duhet të ndërtojmë vetëm impiante lokale, por të synojmë të bëjmë edhe impiante regjionale, në mënyrë që mos t’i ngarkojmë qytetarët vazhdimisht me kosto”, tha ai.

Begolli mendon se janë tri segmente në të cilat duhet të orientohet çështja e ujërave në Kosovë, ku sipas tij, duhet trajtuar ujërat e zeza në sasi shumë më të madhe se që është aktualisht, të zhvillohen resurse të reja, si dhe të punohet në nxjerrjen e kuadrove të reja në këtë shkencë.

“Mendoj se duhet ta orientojmë rininë tonë me u profilizu në këto drejtime, sepse kemi është kuadër deficitar. Nuk duhet të orientohen vetëm në ekonomik, juridik, por edhe në këto drejtime, dhe t’i jepet mundësia atyre”, ka shtuar ai.