13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Udhëzimi – dhurata më e mirë

Më të lexuarat

Shumë njerëz që e pranojnë Islamin tregojnë se gjëja më e mirë që iu ka ndodhur në jetë është pikërisht pranimi i fesë Islame. Gjithashtu, tregojnë se si nëpërmjet zbatimit të këtij besimi kanë gjetur qetësinë shpirtërore, kënaqësinë dhe lumturinë. Në të vërtetë, njeriu shpeshherë harron vlerën e madhe të kësaj dhurate, gjegjësisht besimit.

Allahu i Lartësuar furnizon me ushqim, fëmijë, pasuri etj., muslimanin dhe jomuslimanin, mirëpo udhëzimin ua jep vetëm atyre që Ai i do.

 

Kur besimtari shikon përreth vetes njerëzit, të cilët nuk besojnë dhe nuk e zbatojnë fenë islame, atëherë e kupton se vërtetë duhet të jetë shumë i lumtur, meqë Allahu e ka dalluar atë me udhëzim, gjegjësisht e ka bërë që ta dojë dhe ta zbatojë këtë fe. Sa ndjenjë e mirë është kur e kupton njeriu se Krijuesi i Lartësuar ia ka dhënë atij dhuratën më të çmuar që ekziston dhe se e ka ngritur atë mbi shumë njerëz tjerë!

Kur të vdes ai i cili nga kryelartësia nuk deshi të besojë dhe t’i nënshtrohet Allahut të Gjithëfuqishëm, atëherë ndërpriten të gjitha të mirat e kësaj bote, të cilat i shfrytëzojnë besimtarët dhe jobesimtarët. Me këtë mosbesim, kurrë më nuk do të mund të ndjejë diç të mirë dhe për të nuk do të ketë më as ushqim e as ujë, veçse vuajtje e dënim.

Allahu i Lartësuar thotë në Kur’anin fisnik: “Sikur e gjithë ajo që është në Tokë të ishte pronë e jobesimtarit, e edhe njëherë më shumë, dhe ta jepnin këtë vetëm për të mos vuajtur në botën tjetër, nuk do t’iu pranohej. Ata i pret vuajtje e rëndë. “

Në kontekst të ngjashëm transmetohet hadithi nga i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Zotit qofshin mbi të, në të cilin thuhet: “Kur të vijë jobesimtari para Allahut të Madhërishëm në Ditën e Gjykimit dhe ta shohë zjarrin ku do të hidhet, do të dëshirojë që e gjithë ajo që është mes tokës dhe qiellit të ishte në pronësi të tij dhe ta japë atë, në mënyrë që të shpëtojë nga zjarri. Mirëpo, Allahu i Plotfuqishëm do t’i thotë atij: “Nuk kam kërkuar nga ti këtë gjë, sepse ti nuk je në gjendje ti kesh të gjitha këto, e as nuk do të pranohej edhe po t’i kishe. Unë nga ti kërkova shumë më pak, kërkova të më nënshtrohesh, por ti kundërshtove, prandaj të pret një vuajtje e turpshme.”

Ndërsa, besimtari, përveç qetësisë, lumturisë dhe fuqisë që ia jep besimi i tij në këtë botë, pas vdekjes do të përgëzohet me lajmet e mrekullueshme nga meleku, i dërguar nga Allahu i Lartësuar dhe me kënaqësi të përjetshme në xhenet. Prandaj, ji i lumtur, o besimtar dhe vepro vepra të mira, ngaqë nuk ka dhuratë më të mirë se udhëzimi.

Për fund, i këshilloj të gjithë ata që ende janë të privuar nga kjo dhuratë e çmuar: “Kujto se nuk ke qenë asgjë, nuk ke ekzistuar fare dhe se Allahu të krijoi nga një pikë uji, t’i krijoi gjymtyrët në formën që Ai dëshiroi, pra a është e vështirë për Atë të të ringjallë pas vdekjes tënde?! Pra, pendohu te Zoti yt, dhe drejtoju Atij sinqerisht për udhëzim, dhe do ta shohësh se Krijuesi yt është i Mëshirshëm dhe i përgjigjet robërve të Tij…

Lus Allahun të na i zbusë zemrat tona, duke i kthyer ato drejt rrugës së Islamit dhe të na largojë mendjemadhësinë, zilinë dhe brengat… amin!!

 

Përktheu: Arsim SYLA

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit