13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Edhe një Xhami në Shkodër – U inaugurua xhamia e re në kalanë e Drishtit

Më të lexuarat

Shkodër: Kalaja e Drishtit, kalaja e teuhidit!

Shkodër: Kalaja e Drishtit, kalaja e teuhidit!

U inaugurua xhamia e re në kalanë e Drishtit

Paraditën e së enjtes, më 5 nëntor 2015, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” dhe Shoqatën “Istanbul”, ka organizuar ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së re në kalanë e Drishtit.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe z. Hidayet Bayraktar, ambasador i Turqisë në vendin tonë, prof. dr. Birol Çetin, koordinator i përgjithshëm i TIKA-s në vendin tonë etj.

Ceremonia, që ngjante si një festë e bukur, nisi me fjalën e rastit nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në të cilën falënderoi kontribuesin nga Turqia, si dhe të gjithë ata që mundësuan që sot ta kemi këtë xhami të bukur, që kishte mbetur në mëshirë të fatit dhe neglizhencës së dekadave të shkuara.

Myftiu falënderoi donatorët turqë, duke theksuar se në mes dy popujve, ka shumë emërues të përbashkët, që janë ura lidhëse shekullore, që sa vijnë e forcohen dhe konsolidohen. Njëkohësisht vlerësoi praninë e ambasadorit turk, si shenjë nderimi dhe vlerësimi për këtë ceremoni dhe krejt Shkodrën.

Ndër të tjera, Myftiu tha: “Sot, nga kjo minare nazike, ezani do të thërrasë pesë herë në ditë drejt forcimit të besimit dhe dëshmimit të Islamit në jetë, pa ndrojtje e frikë, pa hezitim e luhatje, për të jetuar e dëshmuar se nuk ka Zot tjetër, pos All-llahut, Krijuesit të vetëm të gjithësisë!”

Me këtë rast, Myftiu i dhuroi ambasadorit të Turqisë, z. Hidayet Bayraktar, simbolin e 25 vjetorit të rilejimit me ligj të fesë në vendin tonë, në kuadrin e të cilit u zhvillua edhe kjo ceremoni inaugurimi.

Ndërkohë, në fjalën e tij, ambasadori turk, falënderoi organizimin e kësaj ceremonie, si deh donatorin nga Konya, i cili u bë shkak për këtë mirësi të madhe.

Ambasadori Bayraktar theksoi se miqësia gjashtëshekullore e dy popujve tanë, është garanci për një bashkëpunim edhe më të madh në të ardhmen.

Ceremonia u përshëndet edhe nga z. Ridvan Seferaj, Kryetar i Shoqatës “Istanbul”, i cili vuri theksin te rëndësia e qëndrimeve në krah të besimit dhe përpjekjes për të jetuar e punuar me vlerat e tij. Ai falënderoi bashkëpunimin me Myftininë e Shkodrës, si dhe kontributin e vyer të donatorit bamirës, që dha nga pasuria e tij për restaurimin e kësaj xhamie.

Pas prerjes së shiritit, pjesëmarrësit ndoqën programin e bukur artistik nga nxënësit e medresesë dhe falën bashkarisht namazin e mesditës.
_________________________

Të nderuar vëllezër besimtarë,

Dita e sotme, pa dyshim që ka një bekim të madh për të gjithë ne, sepse po inaugurojmë së bashku përfundimin e punimeve për restaurimin e plotë të xhamisë në kalanë e Drishtit.

E veçanta e këtij inaugurimi është pikërisht vendi, gjeografia, historia, shpirti, besa, trashëgimia, amaneti, gjurma, geni, përkushtimi dhe ruajtja e fesë islame dhe traditave të saj, në këtë kala të teuhidit, përtej kufijve të skamjes së imponuar nga neglizhenca dhe nëpërkëmbja e kësaj zone muslimane, ndër dekada!

Sot, xhamia e juaj do të rihapë dyert për ju, për ne, për çdo besimtar e vizitor. Si të thuash, të gjithë ne po përjetojmë sot një datë historike, që na sjell ndër mend lëvizjen e muslimanëve të Shkodrës, në ditët e para të nëntorit 1990, për të rihapur dyert e xhamisë së Plumbit, në një skaj të largët të qytetit, ku lëvizja dhe komunikimi nuk ishte si sot, ishte dyfish më e vështirë se çdo lëvizje tjetër…

Sot, nga kjo minare nazike, ezani do të thërrasë pesë herë në ditë drejt forcimit të besimit dhe dëshmimit të Islamit në jetë, pa ndrojtje e frikë, pa hezitim e luhatje, për të jetuar e dëshmuar se nuk ka Zot tjetër, pos All-llahut, Krijuesit të vetëm të gjithësisë!

Sot, në këtë ditë të gëzuar, në këtë kala besimi, nuk ka sesi të mos na vijë ndër mend se kalatë shqiptare, ndër shekuj dhe akoma sot, ishin dhe vazhdojnë të jenë dëshmitare të Islamit, nëpërmjet xhamive të tyre.

Xhamia në kalanë e Beratit, xhami e cila daton që në vitin 1390, dëshmitare e Islamit në trojet shqiptare, që para osmanëve.

Xhamia e në kalanë e Borshit. Xhamia në kalanë e Krujës.

Xhamia në kalanë e Prezës, që patëm nderin të ishim dëshmitarë të inaugurimit të saj, para pak muajsh, (së bashku me presidentin e Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan dhe kryetarin e Dijanetit, prof. dr. Mehmet Gormez).

Xhamia në kalanë e Lezhës së Sulltan Sulejmanit, që sfidon edhe sot injorancën dhe mesjetarizmin.

Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut (a edhe para tij), në kalanë e Shkodrës, toponimi i së cilës na lidh me arabët muslimanë, që sollën Islamin në Italinë e Jugut që në shekullin e 9-të. Etj.

Dhe, ja, xhamia e bukur e kalasë së Drishtit, që falë Zotit, tashmë po hap dyert e saj, edhe me mbështetjen e vëllezërve tanë turqë, me të cilët na lidh historia e shekujve të gjatë, kalifati ynë i përbashkët osman, traditat dhe gjurmët e vëllazërisë së sinqertë islame dhe njerëzore, që përkthejnë më së miri ndër ne, ajetin kur’anor 71 të sures Teube: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, ndalojnë nga e keqa, e falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë All-llahu. All-llahu është ngadhnjyes, i urtë.”

Dua të shpreh falënderimet dhe mirënjohjen më të madhe për donatorin e nderuar nga Turqia, si dhe ndërmjetësin për realizimin e këtij bashkëpunimi me vlerë, z. Ridvan Seferaj, Kryetar i Shoqatës “Istanbul”. I shpërbleftë All-llahu me mirësitë e Tij të panumërta!

Një falënderim të veçantë për ambasadorin e Turqisë në vendin tonë, z. Hidayet Bayraktar, që na nderoi me praninë e tij në mesin tonë.

Në fund, më lejoni t’ju përhajroj dhe të lutem që banorët e kësaj zone të kenë bekimet e All-llahut në jetën e tyre, mbrojtjen dhe përkujdesjen e Tij, ata dhe fëmijët e tyre, brez pas brezi! Amin!

All-llahu i Madhëruar, ju ruajtë e ju dashtë!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Fjala e rastit në inaugurimin e xhamisë së re në kalanë e Drishtit)

(myftiniashkoder)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit