Turqia, vendi i dytë në botë për turizmin hallall

0
57

Indonezia dhe Malajzia në mesin e vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) për turizmin hallall janë renditur ndër vendet më të mira që kanë ofruar kushte të përshtatshme për muslimanët.

Sipas “Raportit 2019 për Indeksin e preferencave të udhëtimit të muslimanëve” të MasterCard dhe CrescentRating, Indonezia dhe Malajzia janë renditur të parat duke ndarë 78 pikë në renditjen e vendeve që ofrojnë kushte të përshtatshme për turizmin hallall.

Në listën ku janë vlerësuar vendet anëtare të OBI-t, pas këtyre dy shteteve në vendin e dytë është renditur Turqia e cila është ndjekur nga Arabia Saudite në vendin e tretë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) në vendin e katërt.
Ndërsa në listën e vendeve jo anëtare të OBI-t i pari është renditur Singapori, i cili është ndjekur nga Tajlanda në vendin e dytë dhe Tajvani, Britania e Madhe dhe Japonia në vendin e tretë.

Në raportin e vitit të kaluar ku Malazia u rendit e para dhe Indonezia me EBA-të në vend të dytë dhe të tretë me të njëjtat pikë, thuhet se Turqia ishte renditur në vendin e katërt.

Ministri i Turizmit i Indonezisë, Arief Yahya në një deklaratë në muajin shkurt tha se me rritjen në sektorin e turizmit hallal kanë përcaktuar objektivin për të arritur në vend të parë në renditjen e këtij viti.

Në hulumtimin e platformës së udhëtimit CrescentRating me qendër në Singapor përfshihen 130 vende nga e gjithë bota dhe merren në konsideratë mundësitë e prerjes hallall, vendet e adhurimit, shërbimet dhe aktivitetet e përshtatshme me Islamin si dhe lehtësia e udhëtimit dhe mundësive për blerje.