Turqia shfrytëzon pozitën e saj diplomatike para takimit të NATO-s

0
42

Një marrëveshje e arritur në minutën e fundit sqaroi çështjen lidhur me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian në takimin e nivelit të lartë të NATO-s, i cili hap punimet të dielën në Çikago. Analistët e pane vonesën e marrëveshjes si një shembull të shprehjes të forcës diplomatike nga ana e Turqisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stabolli:

Vetëm pak ditë para fillimit të takimit të nivelit të lartë të NATO-s, Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, dhe kreu i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, më në fund u ftuan të marrin pjesë në takimin e Çikagos. Vonesa ishte rezultat i kundërshtimit nga Turqia të asaj që Ankaraja e shikon si mungesë të trajtimit të barabartë mes zyrtarëve të NATO-s dhe atyre të BE-së. Ja si u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Selcuk Unal.

“Shumë vende pyetën se pse dy zyrtarë të lartë të BE-së janë ftuar, ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nuk është ftuar. Së dyti, pse nuk janë ftuar organizata të tjera ndërkombëtare dhe rajonale, që gjithashtu bashkëpunojnë me NATO-n, të cilat mendohej se do të ishin ftuar”?

Sipas zëdhënësit turk Unal, mosmarrëveshja u zgjidh pasi u ra dakord që udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së takimit dhe në disa sesione të tij, përfshirë ato ku do të diskutohet rreth Afganistanit.

Vonesat e anëtarësimit të Turqisë në BE shihen si faktori kryesor që Ankaraja u angazhua një këtë mosmarrëveshje diplomatike para takimit të Çikagos, thotë ish diplomati i lartë turk, Sinan Ulgen.

“Kjo tregon pakënaqësinë, deziluzionin, madje edhe kundërshtimin në rritje që ndjen Turqia lidhur me përpjekjet për t’u anëtarsuar në BE dhe kjo po çon në këtë lloj mjedisi negativ, ku Turqia po përpiqet të shfrytëzojë marredhëniet e saj me NATO-n për t’i bërë presion BE-së. Në shumë mënyra, ne pa dyshim po shikojmë një politikë të jashtme turke më agresive”.

Vëzhguesit politikë thonë se besimi i Ankarasë për të shfaqur këtë kundërshtim ndaj Bashkimit Evropian është rezultat i rëndësisë rajonale në rritje të Turqisë. Turqia kufizohet me Sirinë, Iranin dhe Irakun. Dhe me kryeministrin e saj karizmatik, Recep Tayyip Erdogan, ndikimi dhe popullariteti i të cilit shtrihet në të gjitha vendet e Pranverës Arabe, Ankaraja është bërë një aleate gjithnjë e më e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara.

Cengiz Aktar, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në  Universitetin Bahcesehir të Stambollit, thotë se mbështetja e Uashingtonit i jep Ankarasë një avantazh të rëndësishëm strategjik.

“Turqia ka një farë avantazhi më të madh se sa vendet e tjera të Lindjes së Mesme, të Mesdheut, por edhe të Evropës. Qeveria e Ankarasë po e përdor dhe po e shfrytëzon këtë situate për të përfituar sa më shumë”.

Një raport i publikuar këtë muaj nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, me bazë në Shtetet e Bashkuara, vë në dukje se rritja e rëndësisë së Turqisë po rezulton në shtimin e lidhjeve me Uashingtonin. Zëdhënësi i Ministri së së Jashtme turke Unal mohon se Ankaraja po ndjek një politikë të jashtme më agresive.

“Vendeve anëtare të NATO-s si Turqia, që nuk janë anëtare të BE-së, por janë anëtare të Aleancës, u duhet të mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre legjitime, që rrjedhin nga anëtarësia në aleancën ushtarake”.

Ndërsa Turqia luan gjithnjë e më shumë një rol aktiv në NATO nga Kosova në Afganistan, vëzhguesit politikë paralajmërojnë se ekziston mundësia që tensionet mes Ankarasë dhe Brukselit të pasqyrohen hapur në aleancën e NATO-s../voa