8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Turqia leksion Francës, fitojnë Gjermania e Italia

Më të lexuarat

Supriza e mbrëmjes vjen nga Turqia. Skuadra turke ka shënuar një fitore të pastër 2-0 ndaj Francës, duke marrë kreun e grupit H të eliminatoreve të Euro 2020.

Skuadra e drejtuar nga Gunes i dha leksione të vërteta kampionëve të Botës, teksa realizoi dy herë brenda pjesës së parë. Fillimisht ishte Ayhan që zhbllokoi shifrat, ndërkohë që Under vulosi rezultatin final. Pas kësaj fitoreje, Turqia mori kreun me 9 pikë, i ndjekur nga Franca dhe Islanda me 6 pikë.

Vetëm vendi i katërt për Shqipërinë, që gjendet në kuotën e 3 pikëve. Fitore arriti dhe Moldavia, kundërshtari i radhës për kuqezinjtë. Moldavët mposhtën minimalisht, 1-0 Andorrën.

Fitore me aromë kreun edhe për Italinë. Azurrëve iu mjaftoi pjesa e parë për të likujduar pastër, 3-0 Greqinë. Të besuarit e Mancini shënuan brenda 45 minutave të parë të tre golat e takimit. Barella zhbllokoi rezultatin, teksa Insigne dhe Bonucci kompletuan fitoren. Me këtë fitore, Italia merr kreun e grupit J me 9 pikë, i ndjekur nga Finlanda me 6, Greqia dhe Bosnje-Hercegovina me 4 dhe Armenia me 3. Lihtensteini mban vendin e fundit me 0 pikë.

Tre pikë të vyeshme mori edhe Gjermania në transfertën e Bjellorusisë. Pancerat triumfuan 2-0, ku golat mbajnë firmat e Sane e Reus. Kjo fitore i ngjet Gjermanët në kuotën e 6 pikëve në vendin e dytë të grupit C. Ky grup kryesohet nga Irlanda e Veriut me 9 pikë, por Gjermania ka zhvilluar një takim më pak. Holanda qëndron në vendin e 3-të me 3 pikë, ndërkohë që grupi kompletohet nga Estonia dhe Bjellorusia me 0 pikë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit