8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Turqi – mësimet fetare në shkolla

Më të lexuarat

Në bazë të një ligji të ri të qeverisë shumë shkolla janë shndërruar në institucione fetare

Shumë prindër në Turqi u ndodhën para një surprize këtë muaj me fillimin e vitit shkollor, kur ata mësuan se shkollat ku mësonin fëmijët e tyre ishin shndërruar në institucione fetare, ose siç njihen, Imam Hatip-e. Ky konvertim është në kuadrin e reformave të sistemit arsimor që po vë në zbatim qeveria turke me bazë islamike.

Në Shkollën tetëvjeçare Mehmet Akif, prindërit presin të marrin fëmijët. Programi mësimor këtu është ndryshuar dhe ka marrë tipare islamike, në dukje për përgatitjen e imamëve dhe klerikëve të tjerë. Disa prindër janë tejet të shqetësuar:
Por disa prindër e mirëpritën ndryshimin, si për shembull kjo nënë që mban në kokë shaminë sipas në përputhje me praktikat islame.

“Ne jemi vend mysliman dhe Imam Hatipet shërbejnë për t’u mësuar fëmijëve besimin tonë. Kjo ka rëndësi për mua pasi dua që djali im të mësojë fenë e tij. Të gjitha këto kritika janë të ekzagjeruara, sepse ne jemi një vend mysliman, prandaj feja duhet të jetë pjesë e arsimimit”- thotë një prind tjetër.
Një Imam Hatip si ky, një nga më të vjetrit në Stamboll, ku ka studjuar kryeministri Rexhep Taip Erdogan, fillimisht u ngrit për të përgatitur imamët. Por shkollat, të cilat kombinojnë arsimimin normal me orët e edukimit fetar, gëzojnë popullaritet tek ajo pjesa besimtare e popullatës turke.

Kombinimi i edukimit fetar si klasat e recitimit të Kuranit me programin normal mësimor, nënkupton një ngarkesë të madhe për fëmijët.
Por mësuesi Azmi Dogan thotë se shkollat fetare luajnë një rol të rëndësishëm në komunitetin besimtar të Turqisë.
Ai thotë se nxënësit marrin mësime për çdo aspekt të fesë islame, qoftë interpretimin e Islamit si edhe fjalët e profetit. “Çdo fëmijë që shkollohet këtu është i kualifikuar të bëhet imam ose një zyrtar fetar”, thotë ai. “Për nxënësit kjo nuk përbën problem pasi prindërit e tyre duan që fëmijët e tyre të rriten në këtë frymë”.
Analistët thonë shkollat fetare Imam Hatip, që nga themelimi i tyre në vitin 1950, kanë qenë burim debatesh në shtetin laik të Turqisë. Në vitet 1990 shumë nga këto shkolla u mbyllën si pjesë e një përpjekjeje të ushtrisë për ta ruajtur frymën pro-laike të vendit.
Partia qeverisëse e Turqisë miratoi një ligj të reformës arsimore në fillim të këtij viti që lejon shkollat të specializohen në arsimin fetar, duke u dhënë nxënësve edhe një program të rregullt mësimor. Ky veprim nxiti debate të ashpëra në parlament dhe shkaktoi protesta masive nga turqit laikë dhe mësuesit, të cilët thonë se ligji po promovonte një axhendë islamiste dhe do të ulte standardet e arsimit.

Por ndihmës profesori i sociologjisë në Universitetin Bilgi të Stambollit Kenan Cayir thotë se këto shkolla mund të kenë një ndikim pozitiv.

“Ato nxisin mendimin se feja nuk është në konflikt me modernen, pra feja dhe moderniteti mund të bashkëjetojnë. Kjo është çështje e debatueshme në Turqi, sepse sipas këndvështrimit të qytetërimit laik feja është në konflikt me modernitetin, kështu që feja duhet lënë anash”.

Qeveria me bazë islamike thotë se zgjerimi i shkollave Imam Hatip është thjesht një rikthim i shkollave që u mbyllën në vitet 1990.

Por këto pretendime nuk kanë shuar zemërimin në rritje në mesin e disa prindërve.
Në këtë protestë para një shkolle të konvertuar kohët e fundit, prindërit shprehen se qeveria po u imponon arsimin fetar fëmijëve të tyre.
Ali Boga, një anëtar i parlamentit nga partia në pushtet AK, thotë se zgjerimi i shkollave Imam Hatip mund të jetë vetëm fillimi.

“Ne jemi këtu si të diplomuar të shkollës Imam Hatip ose si aleatë të saj. Ne do të rrisim numrin e këtyre shkollave. Ne kemi shansin t’i kthejmë të gjitha shkollat në shkolla Imam Hatip”.

Qeveria nuk e ka hedhur poshtë ekzistencën e planeve të tilla. Nga ana e tij, kryeministri Erdogan i ka kundërshtuar kritikët e këtyre shkollave, ndërsa ministri i arsimit ka thënë se kundërshtarët e reformave janë përkrahës të terroristëve ose laikë me prirje fanatike. Debati tregon se arsimi mund të bëhet një tjetër fushë beteje në këtë vend gjithnjë e më të polarizuar./voa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit