20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

“Turpi është krejt mirësi!”

Më të lexuarat

Dhjetë hadithet e përzgjedhura për sot, janë porosi të larmishme, të papërqëndruara në një temë specifike, por që përhapin dritë udhëzimi në disa sfera të jetës.

Ato janë këshilla të urta nga lajmëtari i All-llahut, që na tërheq vëmendjen se toka është e pastër për namaz, por edhe burim pastërtie në mungesën e ujit, sikurse na tregon se përdorimi i verës dhe i pijeve alkoolike është haram për muslimanin, njësoj si përdorimi i arit dhe i mëndafshit për burrat muslimanë etj.

Në fund, dy hadithe mbi vlerën e turpit, mendoj se kanë një vlerë të madhe, sidomos në këtë kohë, kur shumëkush nuk po ka më turp (edhe në mesin e atyre që predikojnë turpin!?) dhe paskrupullsitë po kthehen në virtyte në mesin e shoqërive përherë e më dekadente!?

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

1. “Ripërtërini besimin tuaj; shtojeni shprehjen: La ilahe il-lall-llah!” – (Hadithi nr. 3581, f. 218. Ahmedi dhe Hakimi, nga Ebu Hurejra).

2. “Më është bërë çdo tokë e pastër, xhami dhe pastrim!” – (Hadithi nr. 3595, f. 219. Ahmedi dhe Ed-Dija, nga Enesi).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Ka thënë Ez-Zejn El-Iraki: “Me pjesën e parë ka për qëllim pastërtinë, ndërsa me pjesën e dytë, ka për qëllim pastrimin për të tjerët…”. Ndërsa në “El-Ikhtijar”, thotë: “All-llahu ia ka bërë (Resulull-llahut) tokën të pastër dhe të përshtatshme për t’u falur… I është bërë edhe pastrim, që do të thotë se nëse bëhen gati për namaz dhe nuk gjejnë ujë për t’u pastruar, pastrohen me anë të tokës (tejemmum)…”] – (me përshtatje, vëll. 3, f. 424).

3. “All-llahu e ka bërë haram verën dhe çdo pije dehëse!” – (Hadithi nr. 3698, f. 225. Nesaiu, nga Ibn Omeri).

4. “Është bërë haram veshja e mëndafshit dhe e arit për burrat e ymmetit tim, është lejuar për gratë e tyre!” – (Hadithi nr. 3699, f. 225. Tirmidhiu, nga Ebu Musa).

5. “Xhenneti është rrethuar me vështirësi, xhehnemi është rrethuar me epshe!” – (Hadithi nr. 3732, f. 227. Ahmedi, Muslimi dhe Tirmidhiu, nga Enesi. Etj.).

6. “Kudo që të jeni, bini salavat përmbi mua, sepse salavati juaj më mbërrin!” – (Hadithi nr. 3768, f. 229. Tabaraniu, nga El-Hasen ibn Ali).

7. “Haxhilerët dhe umrexhinjtë janë vizitorët e All-llahut; i ka ftuar dhe i janë përgjigjur, i luten dhe u jep!” – (Hadithi nr. 3789, f. 231. Bezzari, nga Xhabiri).

8. “Haxhi i pranuar, nuk ka shpërblim tjetër veç xhennetit!” – (Hadithi nr. 3793, f. 231. Tabaraniu, nga Ibn Abbasi. Etj.).

9. “Turpi është prej besimit!” – (Hadithi nr. 3859, f. 234. Muslimi dhe Tirmidhiu, nga Ibn Omeri).

10. “Turpi është krejt mirësi!” – (Hadithi nr. 3863, f. 234. Muslimi dhe Ebu Davudi, nga Umran ibn Husejn).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 30 janar 2017

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit