5.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Truri dëmtohet nga sportet e rënda fizike

Më të lexuarat

Është ditur prej kohësh se boksierët dhe sportistë të tjerë mund të kenë probleme në tru nga goditjet e përsëritura në kokë. Një studim i ri përpiqet të zbulojë kur fillojnë dëmtime të tilla dhe sa kohë kalon deri në shfaqjen e simptomave. Studiuesit thonë se zbulime të tilla mund të ndihmojnë për t’i bërë këto sporte më të padëmshme për sportistët:

Studimi përqëndrohet mbi shëndetin e trurit tek sportet me kontakt fizik. Pjesëmarrësit aktualë përfshijnë 109 boksierë dhe sportistë të arteve marciale me moshë mesatare 29 vjeç.

Autori i studimit është Dr. Charles Bernick. Ai thotë se sportet me përleshje fizike janë parë prej kohësh si faktorë të problemeve degjenerative të trurit që njihen si encefalopati traumatike kronike, ose CTE.

“Askush nuk e di se si konkretisht goditjet e vazhdueshme të kokës shkaktojnë probleme afat-gjata të trurit. Pra, nuk e dimë si ndodh konkretisht procesi”.

Dr. Bernick është ndihmës drejtor i Qendrës Lou Ruvo për Shëndetin e Trurit, pranë Klinikës së Clivlendit dhe anëtar i Akademisë Amerikane të Neurologjisë. Ai thotë se studimi përqendrohet në tre aspekte: zbulimi i ndryshimeve të para në tru, më pas përpjekjet për identifikimin e personave që zhvillojnë probleme afat-gjata dhe më së fundi, zbulimi i faktorëve  që përcaktojnë prirjen e individit për këto probleme.

Dr. Bernick thotë se sa më shumë trauma në tru të ketë personi, aq më i lartë është rreziku i shfaqjes së CTE.

“Ajo që nuk dimë është momenti kur problemi bëhet i pariparueshëm. Truri mund të tolerojë shumë goditje, por kur tejkalohet niveli i tolerancës, atëherë problemi shndërrohet në sëmundje. Pyetja që ngremë është përse ndodh kjo dhe pyetja tjetër është nëse ka ndryshime në tru në këta sportistë, edhe në rastet kur nuk shfaqin simptoma”.

109 boksierët dhe sportistët u ndanë në tre grupe, bazuar në numrin e viteve që janë marrë me sport:

“Ata që e kishin praktikuar sportin për më pak se 6 vjet; në grupin tjetër sportistët me një karrierë deri në 12 vjeçare dhe në grupin e tretë ata që kanë karrierë mbi 12 vjeçare. Më pas analizuam secilin grup për të parë nëse gjatësia e karrierës kishte lidhje me ndryshimet që pëson truri nga goditjet dhe trauma”.

Dr. Bernick thotë se viti i parë i studimit tregon rezultate që lidhen me madhësinë e trurit:

“Sportistët që kishin një karrierë sportive mbi 6 vjeçare, kishin tkurrje në disa zona të trurit, gjë që mund të matet nga shkenca. Por vetëm tek personat me karrierë mbi 12 vjeçare dallonim ndryshime në veprimtarinë e trurit. Nga kjo mund të nxjerrim se mund të ketë një moment vendimtar në këto ndryshime – pra truri mund të jetë në gjendje të përballojë një masë traume, por nëse tejkalohet kjo masë, atëherë mund të shohim tkurrje të trurit, por simptomat shfaqen shumë më vonë”.

Fakti që studimi përqendrohet tek boksierët dhe sportistët që merren me arte marciale lidhet me vendin ku po zhvillohet studimi:

“Studimi po zhvillohet në Las Vegas, që është kryeqyteti i botës për sportet e kontaktit. Shumë nga sportistët stërviten në këtë qytet”.

Ai thotë se studimi ka mbështetjen e plotë të praktikuesve dhe administruesve të këtyre sporteve. Rezultatet e përgjithshme të studimit janë bërë publike, ndërsa rezultatet individuale iu dorëzuan vetë sportistëve të përfshirë në studim.

Dr. Bernick thotë se synimi nuk është që të eliminohen këto sporte, por të ndihmojë që sportet të bëhen sa më të padëmshme për sportistët. Për shembull mund të vendosen kufizime mbi numrin e ndeshjeve që bën çdo vit një boksier. Rezultatet mund të shërbejnë edhe për sporte të tjera.  Dr. Bernick thotë se këto rezultate mund të përdoren për të ndihmuar edhe viktima të traumave në tru të shkaktuara gjatë shërbimit ushtarak./voa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit