14.4 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Trump mund të ikë pa mbushur vitin, por problemet e Amerikës sapo do të fillonin

Më të lexuarat

Nga Paul Mason 
Një listë e shkurtër me “të panjohura të njohura” sugjeron se presidenca e Donald Trumpit nuk do t’i kalojë 12 muajt. E dimë që një juri e madhe, me kompetencën për impeachment (ngritja e akuzave për sjellje jo korrekte nga ana e funksionarëve), është gati prej javësh, të shqyrtojë faktet e përfshirjes së Kremlinit në fushatën e Trumpit. E dimë që Donald Jr mori një email nga një ndërmjetës që ofronte një takim si pjesë “e përkrahjes së Rusisë dhe qeverisë së saj për z. Trump” dhe se, kur kjo u bë publike, vetë presidenti e përbuzi takimin si shpifje.

Ne dimë edhe se këshilltari special Robert Mueller nuk po heton thjesht marrëveshjet ruse të ish-shefit të fushatës Paul Manafort dhe ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare Michael Flynn. Në javët e fundit, është bërë e qartë se Mueller po heton edhe lidhjet midis oligarkëve rusë dhe bizneseve të Trumpit, të përshkruara nga gazetari investigativ Craig Unger si “lavatriçe” për paratë e pista të mafiozëve rusë.

Skenari që qarkullon në qarqet Demokrate është që Trump përpiqet dhe nuk ia arrin të shkarkojë Muellerin, një apo më tepër të dyshuar marrin imunitet dhe barku zbrazet. Pastaj Trump ose jep dorëheqjen, ose del në gjyq. Mike Pence bëhet president. Vetëm atëherë mund ta marrim vesh se çfarë duan vërtet miliarderët e krahut të djathtë që qëndrojnë prapa projektit. Sepse Trump nuk ka qenë kurrë zgjedhja e tyre e parë: Në gjashtë muajt e parë të fushatës, donatori kryesor i elitës për fushatën e Trumpit ishte vetë Donald Trump. Vetëm kur konservatori religjioz Ted Cruz nuk ia doli të bënte për vete masat paratë e bizneseve ultra të djathta filluan të rrjedhin drejt Trumpit.

Edhe atëherë, vëllezërit Koch, të cilët kanë financuar grupe presioni të djathta me rreth 400 milionë dollarë, mbajtën distancë, deri sa aleati i tyre Pence u instalua si partneri i Trumpit në fushatë. Nëse Pence bëhet president, ky do të jetë momenti i vërtetë i zbulimit të të panjohurave. Të gjitha gjepurat që Trump poston në Twitter në tre të natës, të gjitha thërrimet që i dalin nga goja në mitingje, do të shihen si prologu sureal i ngjarjes kryesore. Por cila është ngjarja kryesore?

Në fakt, në SHBA janë dy projekte të veçantë të krahut të djathtë, por që ndërthuren. I pari, i lidhur qartësisht me vëllezërit Koch, përshkruhet më së miri nga eufemizmi i tij i adoptuar: “mbrojtja e të ardhurave”. Ai e sheh çdo dollar të borxhit amerikan prej 19 trilionë dollarësh si një rrezik të ardhshëm për fitimet e sipërmarrjes private; projekti dëshiron taksim të ulët dhe – siç thuhet se e ka përshkruar njëherë përkrahësi i Trumpit, Rober Mercer – një shtet “të tkurrur sa përmasat e një koke gjilpëre”. Mbi të gjitha, projekti i parë dëshiron heqjen e rregulloreve për bizneset e mëdhenj, përfshirë pagat minimale, i cili u mohon njerëzve më të varfër në Amerikë “mundësinë për sukses të fituar”, sipas fjalëve të strategut kryesor të Kochëve.

Influenca e madhe e “parave të errëta” të Kochëve është dokumentuar në librin e vitit 2016, me të njëjtin titull, nga Jane Mayer (Dark Money: The Hidden History of the Billionaires Behind the Rise of the Radical Right – Paratë e errëta: Historia e fshehtë e miliarderëve prapa ngritjes së të djathtës radikale). Këto para financojnë, midis të tjerash, rreth 300 kurse akademike në kolegje dhe universitete, ku linja pedagogjike diktohet nga e djathta: studentët mësojnë se Keynes (ekonomist anglez) është i keq, kushtet e këqija të punës janë të mira dhe ndryshimet e klimës janë thjesht një mit.

Projekti libertarian (që predikon sa më pak ndërhyrje nga shtetit) karakterizohet nga fokusimi intensive tek ekonomia. Ashtu si ideologjia neoliberale i redukton të gjithë humanët në homo economicus, ideologjia e Kochëve nuk do t’ia dijë për kombësinë, shtetësinë apo veset personale. Ajo mund të jetojë me të bardhë e të zinj, burgaxhinj, emigrantë apo drogaxhinj.

Ana tjetër e ideologjisë së të djathtës ekstreme dëshiron një shtet shtypës, imponim normash shoqërore konservative dhe – nëse është e nevojshme – një kushtetutë të zbrazur për ta arritur këtë. Nëse analizojmë Trumpin përmes veprimeve të tij në vend të fjalëve që thotë, është intoleranca ajo që ka fituar gjatë shtatë muajve të parë të presidencës së tij. Kur një gjyqtar bllokoi vendimin e tij për ndalimin e muslimanëve, ai sulmoi rolin kushtetues të gjyqësorit. Kur gazetarët zbuluan gabime, ai i etiketoi si “armiq të popullit amerikan”. Kur James Comey refuzoi thirrjen e Trumpit për “besnikëri”, u shkarkua.

Para Krishtlindjeve, ka gjasa që elita amerikane ultra e djathtë të vihet para zgjedhjes: Të vazhdojë me Trump, prapa një muri ish-gjeneralsh dhe me rrezikun e impeachment të mundshëm. Apo, të kthehet te plani fillestar që kishin më 2016, një presidencë libertariane, shoqërisht konservative, të drejtuar nga Pence.

Siç e shohim ne nga Britani, është e qartë një paralele me situatën tonë. Në të dy vendet, një grup elite detyroi një çarje me globalizimin. “Amerika e para” dhe Brexit janë të dyja përpjekje për të shpëtuar projektet kombëtare të tregut të lirë duke hequr qafe sisteme dhe rregulla multilaterale.

Por kur kufizuesi i jashtëm të hiqet, e djathta moderne ka këtë dilemë të pazgjidhur: niveli i lirisë ekonomike që dëshiron prodhon gjithmonë nivele pakënaqësie që kërkojnë kufizimin e lirive politike. Tipat përkrahës të Brexit këtu dhe tipat si Steve Bannon në SHBA ndajnë të njëjtën fantazi për llojin e shoqërisë së kontrolluar nga tregu në të cilën duan të jetojnë, por që nuk shohin rrugën tjetër për ta arritur përveçse përmes një periudhe kaosi.

Ato çka ata krijuan, midis qershorit dhe nëntorit 2016, ishin dy demokraci të paqëndrueshme – të paqëndrueshme jo sepse institucionet e tyre janë të dobëta, por sepse elitat e tyre janë të përçara dhe liberalizmi politik pa një drejtim të caktuar. As vënia e Trumpit nën akuzë dhe as shtyrja e Brexit nuk mund ta zgjidhë këtë problem thelbësor.

The Guardian

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit