Tri metoda për lehtësimin e lodhjes dhe ngarkesës psikologjike

0
91

Në kohën që po jetojmë dëgjojmë shpesh ankesa për mbingarkesë. Dhe ata të cilët ankohen shpesh për këtë nuk janë të varfrit. Shumica e tyre janë të shtresës së mesme ose punonjës të administratës. Gjithashtu, ata që kanë makina luksoze dhe banojnë në vila ankohen shpesh për jetën. Ata nuk ankohen për lodhjen fizike, por për atë psikologjike.

Përse lodhemi psikologjikisht?

“Nëse nuk interesohemi për të bërë një planifikim afatgjatë, do të shqetësohemi nga sfidat e së ardhmes së afërt.”

Është e nevojshme dhe e pashmangshme që të shqetësohemi për gjërat e rëndësishme në jetë. Por, nëse analizojmë shqetësimet e përditshme, do të zbulojmë faktin se shumica e shqetësimeve janë të pakuptimta ose të panevojshme për jetën tonë. Në shumë raste, shqetësohemi për probleme shumë të vogla ose ndodhi të parëndësishme. Këto shqetësime ndikojnë në shëndetin tonë dhe ulin nivelin e lumturisë sonë. Prandaj, duhet të përpiqemi që të largojmë shqetësimet e panevojshme dhe të pakuptimta.

Si të largojmë shqetësimet e panevojshme?

Në fillim duhet të gjejmë kohën e posaçme për përballimin e shqetësimeve.

Psikologu amerikan Roland shpjegon një metodë të veçantë për të trajtuar shqetësimet e ditës. Ai nuk na sugjeron që të largohemi nga shqetësimet, por propozon që të ballafaqohemi me problemet në një kohë të veçantë të ditës. Nga të dhënat del përballimi i plotë i shqetësimeve në një kohë të caktuar mund të na ndihmojë të kontrollojmë humorin. Kjo i ngjan metodës së trajtimit të pagjumësisë. Nëse keni frikë se nuk do të flini, mund të trazoheni më tej nga problemi i pagjumësisë; nëse përballeni me problemin e pagjumësisë gjatë natës, mund të bini në gjumë më shpejt.

Disa nga veprimet që mund të kryeni:

1. Gjatë ditës mundohuni të ndërprisni mendimet negative dhe të mos shqetësoheni duke menduar apo duke imagjinuar gjëra të paqena. Për këtë mund të bëni zhvendosjen e mendimeve, p. sh., nëse ju vjen një mendim negativ në kokë, menjëherë mendoni diçka pozitive ose përqendrohuni tek një objekt, lule etj. Thuajini vetes që ju keni orarin tuaj të posaçëm për t’u merakosur.

2. Çdo ditë përcaktoni një kohë prej 30 minutash për përballimin e shqetësimeve.

3. Kur ju shfaqet stresi apo mendimet negative në kokë, mos qëndroni në karrigen tuaj të zakonshme të punës ose të pushimit, për të shmangur lindjen e humorit negativ. Gjithashtu, mos e planifikoni kohë e përballjes së shqetësimeve para gjumit, pasi mund të mbeteni pa gjumë.

4. Mos hiqni dorë nga ky vendim, gjithmonë zbatojeni kohën që keni vendosur për përballimin e shqetësimeve.

Nëse do t’i respektoni këto hapa me kujdes, atëherë me kalimin e kohës mërzia që ju kaplon nga të menduarit e tepërt apo mendimet negative do të largohet njëherë e mirë.

Buzëqeshni për largimin e shqetësimeve

Mund të bëni një stërvitje të tillë: mundohuni të merrni frymë thellë dhe të qetësoheni, më pas mundohuni të buzëqeshni për 15-30 sekonda. Pas kësaj, pavarësisht sa i madh është shqetësimi, humori i keq zvogëlohet ose edhe zhduket pas buzëqeshjes në fytyrë. Ju mund ta provoni këtë përsëri përballë pasqyrës dhe do të ndiheni me të vërtetë shumë mirë.

Disa mund të pyesin se si ka mundësi që kjo buzëqeshje e stimuluar largon shqetësimin.

Sekreti i kësaj metode është marrëdhënia mes “qeshjes” dhe “gëzimit”. Çfarë është qeshja? Qeshja është shprehja e fytyrës kur jemi të gëzuar. Çfarë është gëzimi? Cili është ndryshimi mes qeshjes dhe gëzimit? Sipas psikologëve, qeshja është ndryshimi i trupit për të çliruar humorin. Gëzimi është përvoja e brendshme për humorin. Në përgjithësi, së pari ndodh që gëzohemi dhe më pas qeshim. Por, në të kundërt, ndryshimi i muskujve të fytyrës për formimin e qeshjes mund të sjellë gëzim të brendshëm, duke ndryshuar humorin e brendshëm. Për shkak se truri regjistron lidhjen mes buzëqeshjes dhe përvojës së gëzimit, kur përpiqeni të rregulloni muskujt e fytyrës, rregullohet në të njëjtën kohë dhe gjendja shpirtërore. Si rezultat, shqetësimet e brendshme pakësohen dhe largohen përmes buzëqeshjes suaj.

Si të largojmë shqetësimet

Po e ilustrojmë këtë me historinë e një nëne me dy djemtë e saj. Djali i madh shiste ombrella, kurse i vogli prodhonte kripë që e thante në diell. Në ditët me diell, nëna merakosej: “Sot është ditë me diell, djali i madh e ka shumë të vështirë që të shesë ombrella.” Në ditët me shi, ajo përsëri shqetësohej: “Sot është ditë me shi, djali i vogël nuk mund ta thajë kripën.” Ngaqë kështu nëna ishte gjithmonë në merak, u sëmur. Të dy djemtë nuk e dinin si t’i lehtësonin shqetësimet e nënës së tyre. Por në atë kohë erdhi një plak i mençur, që i tregoi nënës së tyre një mënyrë për lehtësimin e shqetësimeve: “Në ditët me diell, që janë të përshtatshme për prodhimin e kripës, duhet të gëzohesh për punën e djalit të vogël. Në ditët me shi, kur shiten shumë ombrellat, duhet të gëzohesh për punën e djalit të madh. Nëse e ndryshon modelin e humorit kështu, të gjitha shqetësimet do të largohen.” Nëna e zbatoi këtë këshillë dhe humori i saj u përmirësua, duke gëzuar një shëndet më të mirë.

Historia e nënës dhe e djemve të saj mund të shfaqet në variante dhe rrethana të ndryshme. Për shembull, nëse kompania juaj jep p. sh. 10 mijë lekë të rinj shpërblim për fundvit, ju mund të mërziteni për një vlerë kaq të vogël. Por nëse e ndryshoi mënyrën e të menduarit, duke thënë: “Sot kam marrë 10 mijë lekë shpërblim, që është më mirë se aspak,” mund t’ju lindë ndjenja e gëzimit dhe humori t’ju përmirësohet.

Jeta është e tillë. Kur përballemi me fate të njëjta, e shikojmë këtë gjë nga perspektiva të ndryshme dhe mund të kemi humor të ndryshëm. Nëse i shikojmë problemet e jetës nga një perspektivë më pozitive, do të gëzojmë një gjendje shpirtërore më pozitive në jetë. Jeta jonë gjithmonë ka dy anë: pozitive dhe negative. Le të shpresojmë dhe të përpiqemi që të gjejmë sa më shumë gjëra pozitive të jetës sonë.