18.1 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Tri mësime që mund të nxirren nga paniku i tërmeteve

Më të lexuarat

Frika është një faktor i rëndësishëm në jetën e njerëzve. Ajo na ndihmon për mirë në jetë, deri kur bëhet irracionale. Disa këshilla se çfarë mund të bëhet pas histerisë masive të fundjavës

Nga Enton Palushi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel vazhdoi të dëgjonte ulur himnin edhe kur priti homologen serbe pas episodeve me dridhjen e fortë të trupit. Shpjegimi që ka dhënë zyra e shtypit e kancelares është se Merkel ka një problem psikologjik: frika se mund t’i përsëritet dridhja, bën që ajo t’i ndodhë sërish. Media vazhdon të jetë e pabindur. Si mund t’i ndodhë diçka kaq irracionale gruas më të fuqishme në botë? Si mund të ketë ajo frikë nga frika? Mirëpo frika në shumicën e rasteve është irracionale. Ankthi, paniku, fobitë dhe shumë prej sëmundjeve mendore që prekin të paktën një në dy persona në një pikë të jetës së tyre, kanë në bazë çrregullimet e frikës.

Se çfarë është në gjendje të bëjë frika, e provuan të shtunën e më pas edhe të dielën banorët e qyteteve më të rëndësishme në vend pas dridhjeve të tërmeteve.

Gjithçka u duk se kulmoi të dielën, rreth dy orë para mesnatës, kur u tha se një lajm i përhapur nëpër portale dhe në median sociale provokoi një panik masiv. Megjithatë, edhe në rastet më të njohura të histerisë masive, që nga Murtaja e Kërcimit në Mesjetë e deri te rasti më klasik në historinë e komunikimit masiv, ai kur radio-dramatizimi i pjesës së njohur “Lufta e botëve” i bëri amerikanët të besonin se po përjetonin një pushtim marsianësh, nuk ka qenë thjesht media një faktor që ka ndikuar në ngjalljen e panikut masiv.

Kështu ndodhi edhe me shqiptarët të dielën për të paktën katër arsye.

E para, sepse tërmetet vazhdonin të lëkundnin tokën pa pushim. Përballë këtij fakti duket e vështirë që të funksionojë menjëherë mënyra racionale e të menduarit dhe gjykuarit.

E dyta, sepse pas tërmetit të madh të ditës së shtunë, shumë njerëz ishin në gjendje të shokut post-traumatik, çka i ka bërë ata lehtësisht vulnerabël ndaj çdo situate. Në kohën kur psikologët, psikiatrit, sociologët, sizmologët, dhe të gjithë logët duhej të dominonin në media, vendin e tyre e zunë gjithologët e qeverisë, që ngjallin ankth te njerëzit edhe në ditë normale.

E treta, sepse qytetet ku jetojmë fshehin ‘sekretin e hapur’ të korrupsionit. Gazetari britanik Tim Judah ishte i pari që ngriti pyetjen nëse godinat e Tiranës dhe Durrësit do tregonin se janë ngritur konform rregullave. Në vendin më të korruptuar në Europë, frika se kishte ardhur koha për të paguar rëndshëm kostot e ryshfetit, u bë realitet.

E katërta, sepse tek e fundit edhe pse jemi njerëz, ashtu siç thotë një nga neurologët më të mirë në botë, Robert Sapolsky, nuk ndryshojmë nga derri i egër kur ndodhet përballë luanit. Në rast rreziku, tek njerëzit njësoj si te çdo kafshë, aktivizohet sistemi: lufto ose fluturo (fight or flight). Meqë përballë tërmetit nuk ke se çfarë lufton, atëherë duhet të fluturosh (të arratisesh).

Por kjo nuk do të thotë që nga e gjithë kjo situatë të mos nxirren të paktën tri mësime të rëndësishme.

***

Fillimisht duhet kuptuar se sa punë duhet bërë që të përmirësohen standardet më minimale të raportimit në media. Rojet e dyerve (gatekeepers-at) duhet të jenë një hallkë e rëndësishme në çdo redaksi, pavarësisht pretendimeve për vështirësitë që ka çdo media. Thënë kjo, nuk duhet harruar një fakt i rëndësishëm, se pavarësisht se e gjithë qeveria iu turr portalit antiqeveritar Syri.net, të gjithë kemi pjesën tonë të fajit, të vogël ose të madhe, në nxitjen e panikut. Kur them ‘të madhe’, këtu përfshihen edhe televizionet kryesore që karikuan me panik gjatë gjithë ditës qytetarët, por e gjetën ‘kurbanin’ te një portal online.

Sikundër, nuk mund të mos ndihesh i neveritur kur sheh një qeveri që turret e gjitha ndaj një faqeje në internet, e cila i ka bërë opozitë të ashpër, ashtu si luani kur sheh një gazelë. Mos harroni që bëhet fjalë për një qeveri që ka mbyllur një televizion për teka personale duke na faturuar mbi shpinë një gjobë prej 140 milionë eurosh dhe që shënon rekorde negative në librat e organizatave ndërkombëtare të lirisë së medias.

***

Kritika të forta duhen rezervuar edhe për politikën, më saktë për qeverinë dhe deri diku edhe për presidentin, që e përdorën një shkencëtar të dyshimtë grek për të injektuar panik te qytetarët prej javësh të tëra, herë për bullizëm politik e herë për hakmarrje politike të tipit: a ju thashë? Protagonizmi qeveritar në ditët e tërmeteve, deklaratat e tyre dhe prania çdo sekondë përpara mediave duke folur për gjithçka, që nga plasaritjet në mure e deri tek përcaktimet se kush duhet të shkojë në burg, vetëm sa kanë shtuar ankthin te qytetarët e vendit.

***

Në fund, disa gjëra edhe për qytetarët. Vërtet stili i jetesës nëpër metropole është i ngarkuar me stres dhe ankth. Nuk mund ta mohosh se truri dhe trupi ynë nuk është i përgatitur për të qenë çdo ditë në gjendje ‘fight or flight’ (lufto ose fluturo). Por është koha që të tregoheni stoikë dhe të ushtroni disa virtyte të rëndësishme. Tregoni kurajo, vetëpërmbajtje dhe moderim sepse do u duhen shumë kur të vijnë ditë të zeza si ajo e 21 shtatorit. Paniku është i rrezikshëm jo vetëm sepse e mban zemrën dhe trurin tuaj në gjendje kaotike. Paniku është i frikshëm sepse mund të prodhojë viktima shpesh më shumë se vetë tragjedia natyrore. Shumica e njerëzve të plagosur të shtunën e kishin pësuar pikërisht prej ankthit të tepruar.

Dhe një gjë të fundit: kurrë më parë nuk ka qenë kaq pranë dija me njeriun. Tani keni mundësi që të lexoni e të kuptoni më mirë për shumë gjëra edhe pse infostormi është i ngarkuar me spekulime e konspiracion. Rastet e panikut masiv, të shoqëruar me aksidente dhe shtypje masive nuk do i mungojnë botës. Por të paktën të mos bëhemi lajm për këtë të fundit. Të na vrasë tërmeti, por jo paniku. Këtë të fundit mund ta kontrollojmë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit