18.1 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Trendi kosovar, në kafene tërë ditën

Më të lexuarat

Kafenetë e mbushura plot. Pamja që mbretëron sot në qytetet e Kosovës cilësohet më e bukura dhe dominuese në bisedat e qytetarëve, si imazh ilustrues për të treguar e rrëfyer rreth ndonjërit prej qyteteve të Kosovës.


“Mirë po u bëka në këtë lokal, hajde shkojmë”, është tashmë kjo thirrja popullore e rinisë kosovare që ia bëjnë njëri-tjetrit, për tubimin më të preferuar ku ata duan të tregojnë veten, por dhe të bisedojnë për gjithçka që i preokupon.
Të shtunën në Prishtinë, për t’u ulur në lokalet më të frekuentuara të të rinjve, të duhej jo pak kohë të presësh në këmbë derisa të lirohet ndonjë vend. Kjo ndodh për çdo ditë dhe jo vetëm ditëve të vikendit. Kjo pamje është prezente dhe në qytete tjera të vendit.
Por, për të qenë në trend (modern) dhe për të shkuar në kafene, këta të rinj së pari vishen bukur, flokët duhet të jenë me ngjyrë ekstravagante, moda e fundit e telefonave celularë të jetë para tyre e vendosur në tavolinën ku janë ulur…, të thithin duhan, të ngrenë gotën me alkool… Këtë po bën rinia kosovare sot. I pëlqen të rrijë në kafene.
Të jesh trend vetëm me këto veti, sot është karakteristike për të rinjtë kosovarë, mosha e të cilëve nuk përfshin vetëm rininë universitare dhe atë të shkollave të mesme, por është prezente edhe tek filloristët. Të ecësh përpara për ta do të thotë të kesh mobil të shtrenjtë, laptop ndonëse shpesh kanë problem me njohjen e anglishtes për të përdorur si duhet, kurse numërojnë deri në 10 klasë të kryera, disa në fillore, e tani në gjimnaz vijojnë këtë lëndë, për çdo vit kanë mësuar gjuhën angleze.
As në shkollat tona “nuk iu duhet gjimnazistëve laptopi me vete”, nuk është pjesë e shkollave, pasi profesorët sapo kanë filluar të kuptojnë këtë teknologji dhe edhe nëse kanë dhënë testin ECDL (provimi për njohjen e kompjuterit në nivel shtetëror) kusht sot për secilin mësimdhënës, nuk kanë si ta zbatojnë dhe as ku ta zbatojnë.
Nxënësit e tyre duhet të dëgjojnë çka flet profesori, të lexojnë në shtëpi, dhe atëherë kur nuk kuptojnë të marrin mësim shtëpie, të bëhet profesor apo mësuese babai dhe nëna se ora në shkolla nuk mjafton, vjen ndërrimi tjetër, shkolla ka pak hapësirë, dhe për lëndët informatikë, në ato rurale veçanërisht, si dhe jo pak në ato urbane nuk ka kabinete informatike, për lëndë të muzikës, edukatë fizike, biologji, kimi… që të mbahen me infrastrukturën e mjetet përkatëse…, që të këta nxënës të bëhen më të zotë, që të implementohet moto e qeverisë “Kosova shtet i dijes”.
Por, për ata që po dedikohet shteti i dijes dhe duhet të jenë promotor për ta bërë të realizueshëm, i gjen vetëm kafeneve.
Të rrish në kafene, të konsumosh alkool, të thithësh drogë… është kosovari i ri modern
Institucionet kosovare nuk po punojnë për rininë. Ekspertë të shkencave sportive, artit e sociologë thonë se menaxhmentet e shkollave nuk organizojnë vizita në teatro e kinema, e Ministria e Arsimit ndërton shkolla pa infrastrukturë për lëndën e edukatës fizike…, e qeveria, sipas tyre, merret vetëm me angazhime politike, kurse rinia merr pjesë çdo ditë e më shumë në dukuritë negative devijuese.
Mungesa e aktiviteteve kulturore, sportive ku të rinjtë do të shprehnin talentin, ndjekin pasionin-hobi, të krenohen për të arriturat, të jenë fitues të garave sportive, teatrore, muzikore… dhe të kalojnë kohën e lirë, po ndikon që në të ardhmen në Cv-biografi të tyre të mos ketë diçka më të vlefshme sesa të shënohet njoh kompjuterin, gjuhët e huaj mjaftueshme, apo mirë…
Është karakteristike dhe për rininë evropiane të ketë veshjen, dukje në trend, por dallimi me rininë jashtë vendit është se ajo ka dhe me çka të krenohet, për arritjet e saj në fusha të ndryshme të jetës.
“Ne nuk kemi ku të rrimë më shumë përveç kafenesë. Do të doja të merresha shumë me notin, por pishina e vetme më e lirë është ajo verës në ambient të hapur, të tjerat në ambiente të mbyllura janë shumë shtrenjtë dhe më shumë në kuadër të hoteleve”, thotë ky i ri kosovar, që ka zgjedhur të pijë një kafe me miq të tij në lokalet që më shumë ata i emërtojnë “tek banesat e Lesnës”.
Këto lokale që shtrihen afër kompleksit universitar, në anën e djathtë të Fakultetit të Filologjisë, shërbejnë dhe kafetë me 50 centë, çmim i konsiderueshëm për disa të rinj e më shumë studentët.
Quhet Liridon Mustafa, dhe thotë se punon në një firmë private për ndërtim, por kishte konkurruar të studionte në Fakultetin e Shkencave Sportive, dhe nuk kishte arritur të kalonte provimin. Ndonëse mendon se do t’ia dilte të kryente këtë fakultet, nuk kishte pasur përgatitjen e duhur.
“Dëshira ime ka qenë të merrem me shkencat ekzakte, e doja biologjinë si i vogël, por në mungesë laboratori më dukej lënda e thatë të mësoja përmendsh, dhe suksesi më demotivoj të ndiqja më shumë këtë lëmi”, thekson ai duke iu drejtuar shkencave sportive, për studim, por dhe këtu iu desh praktika.
“Nuk jam marrë me sport, ndonëse ka qenë për mua shumë i preferuar. Sporti i vetëm që mund ta bëjmë është futbolli, të cilin në qoftëse nuk kemi fusha adekuate mund të luajmë në fusha të hapura, tani ka filluar që me biznes privat të hapen dhe salla të mbyllura që i frekuentojmë”, thotë ai që kohën e lirë e kalon me shok në kafene, apo internet kafe duke shfaqur zotësinë të fitojë një lojë garuese që zhvillohen në kompjuter me pjesëmarrje të shumë të rinjve.
Këtu, thotë se i zë shpesh mëngjesi. Tani ai ka një shpresë për të ardhmen. Ajo është ikja jashtë vendit se rroga nuk i mjafton as për kafet që pi dhe ushqimin gjatë ditës. Kjo bie ndesh me deklaratat e çdo ministri, kryeministri, e presidenti se Kosova po përparon dhe ka rininë më të lartë në Evropë, dhe po krijon kushte për të.
Të rinjtë nuk duan të jenë me “kulturë”
Të shtunën, mbi platonë e Pallatit të Rinisë, pesë fëmijë luanin me top, ata aty kishin parë hapësirë për të bërë qejf. Por, dhe këtu luanin të kufizuar. Një e goditur e fortë e topit, mund ta hidhte topin disa metra poshtë, mbi tavolinën e një prej restoranteve poshtë kësaj platoje, duke rrezikuar dhe jetën e ndonjërit nga ata që ta zë topin pa rënë poshtë platos.
Por, mbi këtë ndërtesë që është emërtuar Pallati i Rinisë, disa gjimnaziste kishin zgjedhur të bënin foto për t’i vendosur në rrjetin social “facebook”. Kështu shfrytëzohet Pallati i Rinisë nga rinia.
Turniret kosovare që mbahen në sport, shumë pak kanë spektatorë, por, spektatorët e rinj mungojnë edhe në teatro, e kinema…
Drejtoresha e Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berisha, thotë se mungon interesimi i të rinjve për të ndjekur shfaqjet teatrore. Ajo thekson se 90 për qind të rinisë kosovare i sheh në kafene, e aspak nëpër teatro apo kinema… ”Si ta kalon vitin e dytë të shkollës së mesme, një i ri më shumë kalon kohën në kafene njëjtë si qytetarët kosovarë të moshave madhore”.
E, të vetmit tek të cilët vërehet pak interesim për teatër, ajo përmend studentët, për të cilët ka ulur dhe biletat. Ajo hedh fajin tek menaxhmentet e shkollave dhe pedagogët që nuk bëjnë organizime për të dërguar nxënësit në teatro, kinema.
“Vetëm mbajnë një lëndë dhe u kry. Veçanërisht prej shkollës se mesme faji është tek organizimi i shkollave, në këtë nivel të shkollave për të shfrytëzuar teatrin mungon interesimi”, thekson ajo duke bërë një krahasim me vite më parë kur ishte vet nxënëse.
“Ishte kulturë atëherë të ndiqje teatër dhe kinema”. Berisha thotë se kjo bëhej me organizimin e shkollës që i dërgonte nxënësit në teatër. Ajo thekson mungesë vizioni në institucionet kosovare për të krijuar rini të shëndosh.
Institucionet izolojnë rininë
Shkollat e Kosovës nuk kanë infrastrukturën për zbatimin e lëndëve dhe nuk ofrojnë mundësi nxënësve për të zhvilluar personalitetin e tyre në baza edukative, brenda shkollës. As institucionet komunale nuk kanë hapur qendra sportive e kulturore që do të plotësonte nevojat e rinisë, e largonte nga kafenetë.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Sportive, Ajvaz Berisha, thekson se si fakultet disa herë u ka bërë vërejtje institucioneve e veçanërisht ka adresuar një të tillë edhe me shkrim në Ministrinë e Arsimit, lidhur me mungesën e infrastrukturës së lëndës të edukatës fizike nëpër shkolla. Ai thotë se po ndërtohen shkolla të reja pa këtë infrastrukturë, pa salla me mjete sportive.
“Pa marrë parasysh se cila parti ka ardhur në pushtet gjendja ka mbetur e njëjtë”, thotë ai duke bërë të ditur se nuk ka marrë përgjigje asnjëherë për vërejtjet që kanë dhënë si fakultet.
Ai thotë se për të ndërtuar një sallë në shkolla për sport nuk duhen më shumë se 200-300 mijë euro, dhe për shkolla kërkohen 3-4 milionë, që e sheh të realizueshëm dhe këto salla në kuadër të këtyre mjeteve.
“Tri herë në javë së paku fëmijët duhen të merren me sport. Por, kjo nuk po ndodh në Kosovë”, thotë Berisha, ndërsa në vendet tjera jashtë Kosovës, sidomos ato evropiane zbatohet ky standard. Nxënësve iu sigurohet transporti për të marrë pjesë në aktivitete sportive nga shtëpia në shkolla dhe në turnirë. Sporti, sipas tij, jo vetëm që ndikon në shëndetin e fëmijëve, por dhe largon stresin, e sidomos ata të moshës më të rritur i shmang nga dukuritë tjera negative si nga alkooli, duhani…
Berisha thekson dhe mungesën e turnirëve nëpër komuna të ndryshme të vendit për rini ku do të rritej shpirti garues dhe interesimi për t’u marrë me hobi dhe bërë aktiv në jetën kulturo-sportive dhe jo vetëm në kafene.
Të rinjtë kosovarë po përdorin drogën dhe alkoolin. Këtë e thanë sociologë dhe mjekë para të rinjve, në një debat “Alkooli, duhani dhe droga në shkollat tona” që u mbajt për të rinjtë. Sociologët thanë se alkooli shpërndahet edhe për të rinjtë e moshës nën 18 vjet nëpër lokale, kurse mjekët treguan si trajtojnë ata që marrin drogën dhe pasojat që shkatërrojnë shëndetin e tyre.
Sociologu Fadil Maloku, ka kërkuar nga institucionet kosovare që të përkushtohen më shumë për rininë dhe mos të orientohen vetëm kah angazhimet politike. Ai ka theksuar se rinia kosovare po rrezikohet nga konsumimi i drogës, alkoolit dhe duhanit, që, sipas tij, po shkojnë në rritje.
Maloku ka thënë se të rinjtë duhet të vetëdijesohen dhe mos të marrin droga të ndryshme, pasi sipas tij, ka mënyra të tjera për të qenë në trend me të tjerët dhe nuk është vetëm droga mjeti për ta bërë një të ri që të duket më modern dhe në rrjedha me bashkëmoshatarët e tij.
Ndonëse shoqëria kosovare, sipas tij, ruan ende elemente të tradicionalizmit, dukuritë negative që kanë ardhur me demokracinë- tranzicionin, Maloku tha se përfshijnë çdo ditë dhe më shumë rininë./BS/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit