10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Tregimi kur’anor për suksesin në këtë botë dhe në botën e ardhshme

Më të lexuarat

Surja Jusuf është shpallur në Mekë, vitin e 10-të pas misionit pejgamberik të Muhamedit (savs), dhe ai vit në historinë islame quhet “viti i dëshpërimit’, sepse në atë vit vdiq bashkëshortja e Pejgamberit (savs), hz. Hatixhja (r.a.), e cila që nga fillimi i misionit të tij pejgamberik, ishte mbështetja më e madhe dhe më e mirë, dhe mixha i tij Ebu Talibi, i cili nuk e pranoi Islamin, por qëndroi plotësisht në mbrojtjen e Pejgamberit (savs).

Kjo është surja e vetme në Kuran, në të cilën është treguar një tregim i plotë jetësor. Për këtë arsye, Allahu i Plotfuqishëm, në fillim të sures e njofton të Dërguarin e Tij, se Ai në të do t’i tregojë atij për ngjarjet më të mrekullueshme apo tregimet më të bukura.

Ky, në të vërtetë, edhe është tregimi më i bukur, i cili fillon me një ëndërr dhe përfundon me interpretimin dhe shpjegimin e asaj ëndrre.

Ajo që është veçanërisht interesante në këtë tregim, është fakti që këmisha e Jusufit (a.s.), është përdorur nga vëllezërit e tij si dëshmi e pafajësisë së tyre, kurse në fakt, ajo ishte dëshmi e tradhtisë së tyre. Më pas, vetë Jusufi (a.s.), e përdori si dëshmi të pafajësisë së tij, në lidhje me ngjarjen me gruan e sundimtarit, e cila u përpoq ta bindte atë për mëkat, kështu që këmisha e tij ishte provë e pafajësisë dhe arsye për tu liruar nga burgu. Dhe më në fund, këmisha e Jusufit (a.s.), u përdor gjithashtu si lajm i gëzueshëm, pas të cilit, Allahu i Plotfuqishëm ia ktheu shikimin babait të tij, Jakubit (a.s.), i cili ishte verbuar nga pikëllimi për djalin e tij Jusufin.

Mirëpo, ky tregim nuk është përmendur në Kuran vetëm si tregim për një ngjarje nga e kaluara e largët, por gjithashtu, ai e ka qëllimin dhe mesazhin e tij kryesor, të përmendur në ajetin e 90, ku thuhet: “Me të vërtetë, ai që ruhet nga të këqijat dhe bëhet i durueshëm, Allahu, me të vërtetë, kurrë nuk ua humbë shpërblimin bamirësve.”

Pra, mesazhi kryesor i këtij tregimi është:

– Beso në caktimin e Allahut,

– Bëju i durueshëm,

– Mos u dëshpëro.

Gjithashtu vërejmë, se ky tregim ka kthesa të mahnitshme dhe kthesa nga të cilat mësojmë, se ndonjëherë një gjë e bukur mund të ketë përfundim të keq dhe anasjelltas.

– Jusufi ishte i dashur nga babai i tij me një dashuri të papërshkrueshme, që është gjë e bukur, por rezultati i asaj dashurie ishte i tillë, që Jusufi (a.s.), për shkak të xhelozisë së vëllezërve të tij, u hodh në pus.

– Hedhja në pus është një gjë e tmerrshme, por rezultati përfundimtar i hedhjes së Jusufit (a.s.) në pus, ishte se ai u prit dhe nderua në shtëpinë e sundimtarit.

– Pritja në shtëpinë e sundimtarit është një gjë e mrekullueshme, por rezultati përfundimtar i asaj pritjeje, ishte i tillë që Jusufi (a.s.), përfundoi në burg.

– Shkuarja në burg është diçka e shëmtuar dhe e neveritshme, por rezultati përfundimtar, ishte që Jusufi (a.s.), u bë ministër  i financave në Egjipt.

Prandaj, le të jemi të vetëdijshëm, o besimtarë, se lëvizjet (ngjarjet) në univers janë mbi nivelin e njohjes sonë, kështu që mos ta ngarkojmë veten me këtë, por të lejojmë që Krijuesi, sipas njohurisë dhe mençurisë së Tij absolute, t’i menaxhojë këto lëvizje.

Dhe nëse shohim ndonjë ngjarje dhe fenomen, mençurinë e të cilit nuk e kuptojmë, mos të dëshpërohemi dhe mos të ankoheni, por të besojmë në caktimin e Krijuesit të Plotfuqishëm dhe të Gjithëdijshëm, dhe le ta dimë se rezultati përfundimtar, është në dobi të atyre që kanë frikë Allahun dhe që mbështeten tek Ai.

Çuditërisht, kjo sure nuk përmban karakteristika të Jusufit si pejgamber, por këto karakteristika gjenden në suren e el-Gafir ose el-Mumin, në të cilën, një besimtar nga familja e Faraonit, i fton njerëzit të besojnë në misionin e Musait (a.s.), dhe ua kujton atyre argumentet e qarta, të cilat kohë më parë, ua kishte sjellë atyre, pejgamberi Jusuf (a.s.).

Në suren Jusuf, përmenden tiparet dhe karakteristikat e Jusufit si njeri, i cili që nga fëmijëria ishte përballur me sprova shumë të vështira, por në fund kishte triumfuar. Sikur dëshirohet të na thuhet, se Jusufi (a.s.), nuk erdhi me mrekulli, por ishte njeri i zakonshëm, mirëpo, ai i frikësohej Allahut dhe ia doli mbanë në jetë.

Ky është një mësim dhe mesazh për çdo musliman dhe muslimane që e godet sprova e sëmundjes, frikës, varfërisë, etj. dhe është shpresë për çdo musliman dhe muslimane që dëshiron të ketë sukses në jetë, pavarësisht realitetit të ashpër dhe të hidhur.

Surja Jusuf, gjithashtu, është surja kuranore, në të cilën përmendet dëshpërimi dhe humbja e shpresës. Për këtë flasin ajetet e mëposhtme:

“Dhe kur e humbën shpresën në të (Jusufin), u shpërndanë dhe bisedonin fshehurazi.” (Jusuf, 80)

Pastaj:

“O bijtë e mi, shkoni e hulumtoni Jusufin dhe vëllain e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Me të vërtetë, shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humbin, përpos populli mohues.” (Jusuf, 87)

Pastaj:

“Dhe kur pejgamberët gati e humbën shpresën dhe menduan se do të shpallen për gënjeshtarë, atëherë i arriti ndihma Jonë.” (Jusuf, 110)

Sikur don të na thotë: “O besimtar, Allahu është Zoti i Plotfuqishëm, andaj pse dëshpërohesh?!”

Jusufi (a.s.), pavarësisht nga të gjitha rrethanat dhe sprovat e tij të vështira, nuk u dëshpërua dhe nuk e humbi shpresën. Prandaj, ky tregim kuranor për Jusufin (a.s.), është tregim i suksesit edhe në këtë botë dhe në botën e ardhshme.

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit