6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Trampizim i marrëdhënieve në Lindjen e Mesme

Më të lexuarat

Redi Shehu

 

Nuk vonoi shumë dhe efekti i valles së shpatave mes Trump-it dhe sauditëve u shpalos me gjithë surprizën dhe egërsinë e vet. Një marrëveshje e cila i habiti të gjithë me marramendjen e saj 400-miliardëshe, si dhe dhjetë milionë dollarë nga ana e mbretit saudit për Melaninë, si ndihmë për fondacionin bamirës të saj, u pasuan thjesht me një cunami në marrëdhëniet mes shteteve arabe të Lindjes së Mesme. Krejt papritur, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Jemeni në bllok ndërmorën masa ashpërsuese në marrëdhëniet e tyre me shtetin e Katarit, me pretendimin se ky i fundit mbështet dhe financon terrorizmin. Masat përmblidhen në ndërprerjen e lidhjeve diplomatike me Katarin, në tërheqjen e qytetarëve respektivë nga vendet e tyre brenda një kohe prej 14 ditësh, në embargo në të gjitha nivelet, deri edhe në atë ushqimor, në pezullim të të gjitha linjave ajrore katareze në dhe drejt këtyre vendeve, në heqjen e licensës dhe ndërprerjen e transmetimeve të rrjetit botëror Al Jazeera në këto vende, si dhe deri në masa absurde të ndërmarra nga Emiratet dhe Bahrejni për ata që shprehin simpati në publik për shtetin e Katarit, të cilët duhet të dënohen gjer në 15 vjet burg dhe 136 mijë dollarë gjobë. E gjitha kjo, nisur nga një deklaratë e pretenduar se është bërë nga emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, në Agjensinë e Lajmeve të Katarit, por që është mohuar nga ky i fundit për vërtetësinë e saj, se gjoja marrëdhëniet me Iranin duhet të zbuteshin nga ana e vendeve të Gjirit.

Tani, këtu historia fillon e bëhet interesante, duke pasur parasysh që sot në botë moda më e fundit në marrëdhëniet ndërkombëtare ka si ikonë përdorimin, tjerrjen dhe përtypjen e terrorizmit në nivel politik, ekonomik dhe mediatik, për të rikonfiguruar pushtete në rajone të ndryshme të globit. Një ditë pas këtij aksioni të koordinuar të këtyre shteteve arabe, Trump rreshtohet në një linjë me ta përmes Twitter-it, duke akuzuar Katarin si mbështetës të terrorizmit. Çudia më e madhe për vetë Trump-in është se baza më e madhe amerikanë në Lindjen e Mesme, me rreth 10 mijë ushtarë, ndodhet pikërisht në Katar, e se ky i fundit për dekada ka qenë dhe është aleat strategjik i Shteteve të Bashkuara në të gjitha sipërmarrjet, përfshirë edhe luftën kundër terrorizmit.

Kjo turbullirë e papritur ka sjellë edhe reagimin e shteve të tjera që e mbështesin Katarin dhe i konsiderojnë “fake story” të gjitha akuzat e Saudisë dhe Egjiptit, sepse tre shtetet e tjera të grupit anti-Katar janë veçse satelite te Saudisë. Vetë ministri i Jashtëm i Katarit pohoi për CNN-in se është tashmë e vërtetuar nga FBI-ja se faqja zyrtare e Agjensisë së Lajmeve të Katarit ishte hakeruar dhe deklaratat e vëna në gojën e emirit El-Thani janë tërësisht të rreme. Vetë ekipi i FBI-së, i ardhur për të hetuar për çështjen në fjalë, provoi se hakerimi kishte ndodhur vërtet. Megjithatë, këto prova nuk i bindën pesë shtetet kundërshtare që të zmbrapsen nga aksioni i tyre; përkundrazi, ato patën paralajmëruar për përkeqësim të situatës. Ndërkohë, Turqia, Rusia, Irani dhe shtete të tjera, si Pakistani, Kuvajti, Omani, gjysma e Libisë dhe Jordania, mbështesin tërësisht dhe pjesërisht Katarin në të drejtën e vet si shtet autonom dhe legjitim brenda Këshillit të Kooperimit të Gjirit. Ndërkohë që Turqia dhe Irani kanë marrë përsipër furnizimin me ujë dhe ushqime të Katarit, i cili dëmtohet në masën 85% nga bllokada tokësore e Saudisë dhe e shteteve satelite të saj. Përveç kësaj, parlamenti turk aprovoi menjëherë edhe dërgimin e ushtarëve turq në bazën e vet në Katar (flitet për 5 mijë ushtarë) për të parandaluar çdo tentativë, qoftë edhe militare, që cenon integritetitn territorial të këtij vendi.

Çfarë po luhet pas gjithë kësaj ? A i ka bërë mirë hesapet Trump-i me këtë, ashtu siç e quan edhe ministri i Jashtëm gjerman, Gabriel, trampizim të marrëdhënieve ndërkombëtare? I gjithë ky presion i paprecedentë ndaj Katarit përmblidhet në dy akuza të shteteve iniciatore, që pretendojnë se Katari mbështet dhe financon terrorizmin, dhe së dyti, e akuzojnë atë për lidhje dhe marrëdhënie me Iranin. Po kush është në të vërtetë mbështetësi dhe financuesi më i madh i terrorit dhe i shkaktarëve të tij? Le t’i hedhim një sy të shkuarës së afërt të shteteve si Arabia Saudite, Egjipti, apo edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për të parë se cilat kanë qenë raportet e tyre me të keqen që ka ndodhur në këtë rajon.

Me fillimin e Pranverës Arabe në Tunizi, ku populli rrëzoi diktatorin Ben Ali, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe i ofruan këtij satrapi azil dhe strehim, dhe kanë qenë kundër të gjitha zhvillimeve demokratizuese në vendet e Pranverës Arabe. Kur, në vitin 2013, presidenti i parë i zgjedhur me votë popullore demokratike në Egjipt, Muhamed Morsi, u rrëzua dhe u burgos përmes një grushti ushtarak të përgjakshëm të udhëhequr nga gjenerali mizor Al Sisi dhe ku humbën jetë mijëra qytetarë egjiptianë, Arabia Saudite dhe Emiratet së bashku i dhanë këtij përbindëshi 30 miliardë dollarë dhuratë për ta mbajtur të shtypur popullin egjiptian akoma edhe sot. Pavarësisht se ky i fundit rrëzoi sistemin demoratik në Egjipt dhe ka në burgjet e tij 40.000 të burgosur politikë! Po ashtu, në katrahurën që ka përfshirë Libinë e sotme, të ndarë në dysh, Egjipti i Al-Sisit dhe Emiratet e Bashkuara Arabe mbështesin kasapin e Libisë Kalifa Haftar, duke i dhënë furnizime me armë dhe para këtij personi të akuzuar ndërkombëtarisht për krime lufte. Në Siri, gjatë gjithë konfliktit, Saudia dhe Emiratet kanë qenë mbështetëse të Bashar Al Asadit. Kur, në vitin 2007, Lëvizja Hamas fitoi bindshëm zgjedhjet e përgjithshme në të gjithë Palestinën, Saudia dhe Emiratet e konsideruan atë një grupim terrorist, edhe pse kishte fituar me votë popullore, dhe kanë qenë këto shtete që e kanë lënë në harresë kauzën palestineze pavarësisht gjenocidit të ushtrisë izraelite që vazhdon për gjysmëshekulli të aplikohet mbi palestinezët autoktonë. Saudia dhe Emiratet kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me diktatorin e Jemenit, Abdullah Saleh, dhe kur në vitin 2011 Pranvera Arabe e rrëzoi atë nga pushteti, këto të fundit i ofruan atij azil dhe mbrojtje të plotë në vendet e tyre.

Pra, po flasim për pesë shtete që në mënyrë të vazhdueshme kanë mbështetur diktaturat dhe terrorin ndaj pothuajse të gjithë popujve të Lindjes së Mesme, dhe sot i gjejmë bashkë në bllok kundër Katarit. E gjithë kjo histori me akuza për terrorizëm ndaj shtetit katarez bie erë për faktin se bëhet nga qeveri sponsorizuese dhe mbajtëse të terrorit diktatorial prej kohësh. Kurse pretendimi lidhur me marrëdhëniet e Katarit me Iranin i bie të mos jetë serioz për sa kohë vetë Emiratet kanë një vëllim tregtar shumë të madh me këtë të fundit. Ndërsa, nga ana e tij, akuzave që i janë bërë, ministri i Jashtëm i Katarit u përgjigjet duke thënë se mbështetja për Lëvizjen Hamas dhe Vëllazërinë Muslimane nuk konsiderohet mbështetje për terrorizmin, sepse që të dyja janë lëvizje politike të cilat kanë fituar zgjedhjet, si në Palestinë dhe në Egjipt, prandaj mbështetja katareze nuk është për organizatat, por për popujt që i kanë zgjedhur ato.

Trampizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare pritej të kishte efektet e veta, por, për hir të së vërtetës, jo kaq shpejt. Burime gazetareske arabe flasin për faktin se Katari nuk pranoi t’i nënshtrohej pagesës së haraçit prej një trilion dollarësh që Trump i kërkoi secilit prej vendeve pjesëmarrëse në takimin dyditor me të. Nxitimi i tij për të mbështetur Saudinë dhe shtetet rreshtuar me të kompromenton vetë Trump-in si iniciator të konfliktit të fundit.Në fakt, ai ka bërë dhe po bën atë që prej kohësh është gatuar në Lindjen e Mesme: mbështetje ndaj diktatorëve dhe shfrytëzim përmes tyre të të gjitha resurseve natyrore të këtyre vendeve. Atëherë, në këto raste, parimet demokratike shkojnë me pushime, sepse, kur e do puna, edhe mund të mbyllim ndonjë sy, edhe pse miliona vetë vuajnë nën zgjedhën dhe masakrat e “aleatëve”. E nëse është kështu, dhe kështu është, atëhere të paktën të mos i akuzojnë të gjithë këta popuj si të paaftë për të ndërtuar shoqëri demokratike. Ato bënë me Pranverën Arabe, por nuk ia dolën t’i shkojnë deri në fund vetëm se dikush nuk ishte shumë i kënaqur me këtë gjë. /tesheshi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit