7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Trajtoji njerëzit ashtu siç ke dëshirë të të trajtojnë

Më të lexuarat

 

Që të kesh raporte të mira me njerëzit, duhet të përzgjedhësh kriteret e zhvillimit të raporteve me ta. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!], në një prej porosive të tij, na prezanton një kriter madhështor për raportet tona me të tjerët, thotë: ‘…dhe le të sillet me të tjerët atë që do të sillen me të.’[1] Kjo këshillë profetike refuzon kategorikisht motivet injorante në sjelljet e njerëzve ndërmjet vete. Në vend të tyre sjell ndërgjegjen dhe shpirtmadhësinë si pasqyrë ku njeriu shikon për t’i shtyrë përpara raportet me të tjerët.

Për ta kuptuar më drejtë se për çfarë kriteri bëhet fjalë, do t’i referohemi një rasti nga koha profetike. Erdhi një djalosh i ri tek Profeti [Paqja qoftë mbi të!] dhe tha: O i Dërguari i Allahut, më jep leje për kurvëri! Kur e dëgjuan këtë, njerëzit iu kthyen: Mjaft! Mjaft! Çfarë fjalësh janë këto?! Ai Profeti [Paqja qoftë mbi të!] i tha: Afrohu! U afrua dhe u ul afër tij. «A e dëshiron këtë për nënën tënde?»- e pyeti. Jo, pasha Allahun, Allahu më bëftë kurban për ty! –iu përgjigj djaloshi. «As njerëzit nuk e duan këtë për nënat e tyre, dhe vazhdoi ta pyet: Po për vajzën tënde, a e do një gjë të tillë?» Jo, pasha Allahun o i Dërguari i Allahut, Allahu më bëftë kurban për ty! –iu përgjigj. «As njerëzit nuk e duan këtë për vajzat e tyre, dhe e pyeti: Po për motrën tënde, a e do një gjë të tillë?» Jo, pasha Allahun o i Dërguari i Allahut, Allahu më bëftë kurban për ty! –iu përgjigj. «As njerëzit nuk e duan këtë për motrat e tyre, dhe e pyeti: Po për hallën tënde, a e do një gjë të tillë?» Jo, pasha Allahun o i Dërguari i Allahut, Allahu më bëftë kurban për ty! –iu përgjigj. «As njerëzit nuk e duan këtë për hallat e tyre, dhe e pyeti: Po për tezën tënde, a e do një gjë të tillë?» Jo, pasha Allahun o i Dërguari i Allahut, Allahu më bëftë kurban për ty! –iu përgjigj. «As njerëzit nuk e duan këtë për tezet e tyre!»-iu përgjigj, dhe vendosi dorën në gjoksin e tij e u lut: «O Allahu im, falja mëkatin, pastroja zemrën dhe ruaja nderin!»

Djaloshi më kurrë nuk u mor me punë të tilla (të pista).[2]

Ky është kriteri që duhet të aplikojmë në jetë: Atë që nuk kemi dëshirë të na e bëjnë të tjerët, mos tua bëjmë as ne.  Që të marrësh vendimin e duhur për raportet me njerëz, më parë duhet ta vësh vetën tënde në pozitën e tjetrit: a do të doje të sillej ai me ty siç ti sillesh me të? Tërë kjo në fe përmblidhet me atë që e quajmë morali i mirë. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Besimtarët me imanin më të përsosur janë ata që kanë moralin më të mirë.”[3] Po kështu ka thënë: “Nuk ka diç që në peshoren e veprave vjen më rëndë se morali i mirë.”[4]

Kjo reflekton personalitetin e besimtarit, i cili shquhet për dashamirësi, mirësjellje, pjekuri, sepse, pavarësisht sjelljeve të tjerëve, ai sillet mirë. I mjafton udhëzimi profetik:  “…dhe me moral të mirë shoqëroji njerëzit”[5] që të shfaq këtë pjekuri dhe vetëdije të lartë fetare.

Porosia: Atë që nuk kemi dëshirë të na e bëjnë të tjerët, mos tua bëjmë as ne.

 

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

Video e realizuar nga: Albunion Media

[5] E transmeton Muslimi.
[1] Transmeton Imam Ahmedi në Musned.
[2] Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu ndërsa Albani e konsideron autentik.
[3] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani në Sahihu-t-Tergib, e konsideron autentik.
[4] Hadith i transmetuar nga Tirmidhiu dhe i saktësuar nga Albani.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit