11.3 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

“Tour de Hajj”: nga Londra drejt Mekës me biçikletë…në garë me veten!

Më të lexuarat

Nga Armand Bora, Medine

Për të gjithë dashamirësit e sportit të çiklizmit, “Tour de France” është padyshim ngjarja më e rëndësishme sportive.

Të gjithë ndjekin me kërshëri garën e fortë midis çiklistëve për të fituar vendin e parë e duke merituar kështu të veshë edhe “le maillot jaune” (bluzën e verdhë) e kthyer tashmë në një simbol të këtij sporti.

Jo vetëm te ky sport, por në përgjithësi sportet janë ngritur mbi garën mes njëri-tjetrit. Ndërkohë që një garë tjetër, ajo me vetëveten ka mbetur në hije, edhe pse gara brenda vetes tënde është garë që të jep suksese dhe fitore më të rëndësishme.

E ngritur me qëllimin e një gare brenda vetes ishte edhe nisja me biçikleta nga Londra drejt Arabise Saudite i 8 djemve të rinj anglezë. Një distancë sfiduese kjo për çdo profesionist të këtij sporti.

Gjashtë javë pedalim duke kaluar përmes Francës, Zvicrës, Liehtenshtejnit, Italisë, Greqisë dhe Egjiptit dhe për të mbërritur fillimisht në Medina dhe për të vazhduar më tej drejt Mekës ku edhe do të realizojnë njërin nga detyrimet kryesore te çdo muslimani, Haxhin.

Kjo është edhe arsyeja që edhe në vitet në vazhdim ky aktivitet do të njihet pikërisht si “gara drejt Haxhit”.

Idea e realizimit të këtij rrugëtimi lindi nga anglezi Donald Douglas i konvertuar në fenë islame 11 vite më parë si një nevojë për të përmirësuar brenda vetes së tij ndjesinë e rrugëtimit të Haxhit.

Në ditët e sotme ka humbur diçka shpirtërore te ky rit, shpjegon ai. Dikur pelegrinët udhëtonin për 6 deri edhe 12 muaj për të mbërritur në Mekë. Në këtë udhëtim të gjatë ata kishin mundësi të takonin shumë njerëz, të meditonin gjatë dhe të kuptonin thelbin e atij adhurimi që po bënin, të merrnin kënaqësinë dhe shpërblimin për lodhjen dhe sakrificat. Të gjithë këto elementë të Haxhit janë dobësuar nga humbja e udhëtimit tokësor, udhëtimit që për pelegrinët është garë me veten për t’u përmirësuar dhe merituar shpërblimin final.

Është karakteristikë për pjesën më të madhe të të gjithë atyre që konvertohen në nje fe tjetër apo pranojnë një besim pas një faze mosbesim, që të jenë shumë të vëmendshëm ndaj elementëve që kalojnë pa u vëne re nga ata që lindin dhe rriten brenda një tradite të caktuar fetare.

Madje edhe dijet e tyre mbi historine e zhvillimit dhe rritjes së besimit janë shpesh më të thella se e të tjerëve.

Donald Wahid me autorin e shkrimit, Armand Bora

Kjo ka ndodhur edhe me Donald Wahid i cili tani ka dëshirë ta thërrasin me emrin e tij të ri Abdul Wahid. Rrugëtimin e tyre përmes qyteteve evropiane, tregon anglezi Abdul Wahid e shfrytezuan për t’u shpjeguar qytetarëve që takonin se çfarë është besimi islam. Dëshira e tij për të folur dhe shpjeguar histori nga zhvillimi dhe përhapja e fesë islame nuk u zbeh as pranë varrezave të martirëve të betejës se Uhudit, ku hipur në kodër ai tregonte mbi këtë betejë dhe dëshmorët e rënë në të.

Për të mos ta mbyllur vetëm me ketë eksperiencë, anglezi nga Whitechapel East London ka plane per ta vazhduar edhe në vitet në vazhdim këtë rrugëtim duke ftuar të rinj edhe nga vende të tjera dhe të gjithë bashkë të risjellin traditën e vjetër të udhëtimit drejt Mekës. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit