14.1 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Tirania shqiptare e intelektualëve

Më të lexuarat

Ergys Mërtiri

Ata që dëmtojnë më shumë shoqëritë e sotme nuk janë njerëzit e thjeshtë e të pashkolluar, përkundrazi, janë njerëzit që i mbajmë për të ditur, të mençur e që ushtrojnë ndikim mbi masa të gjera. Problemet më të mëdha vijnë pikërisht nga ata të cilëve ua dëgjojmë fjalën dhe iu besojmë zgjedhjet tona politike, kulturore e ideologjike. Për aq sa bota ndikohet prej tyre, ata janë përgjegjës për çfarë shkon keq.
Epoka moderne njohu transformime të mëdha dhe të shpejta, një pjesë e mirë e të cilave erdhën nga projekte të guximshme politike e kulturore, që shpesh u bënë shkak për trazira, luftëra, kriza, si dhe instalimin e sistemeve ku vuajtën miliona njerëz. Fajin kryesor për të gjitha këto e kanë doemos ata që i shpikën këto projekte. Kuptohet që ka diçka që nuk shkon me mënyrën sesi ata mendojnë, por jo vetëm kaq. Mbi të gjitha, ka dhe një problem moral që i shtyn ata drejt ideve me pasoja të tilla.
Pas një studimi të ideve, qëndrimeve, por edhe jetës private të intelektualëve më me ndikim në shoqëritë moderne, Paul Johnson arrin në përfundimin se “një nga mësimet më të rëndësishme të këtij shekulli tragjik” është “të ruhemi nga intelektualët”. Sipas tij, ata janë përgjegjës për miliona jetë njerëzish, të sakrifikuara për hir të projekteve të tyre për përmirësimin e fateve të njerëzimit. Ndaj ata duhen mbajtur larg nga pushteti, ndërsa ajo çfarë thonë duhet parë me skepticizëm.
Për Johnson-in intelektualët vuajnë nga një sërë problemesh të natyrës etike, kulturore por edhe ideologjike, të cilat i bëjnë ata problematikë. Ata ndjekin disa modele strikte sjelljeje, nëpërmjet të cilave krijojnë rryma mendimi dhe “ortodoksi dominuese që gjenerojnë lëvizje irracionale, shkatërruese”. Sipas tij, ndonëse duken rebelë, ata janë ultrakonformistë ndaj rretheve të njerëzve miratimin e të cilëve kërkojnë, duke mos qenë të ndershëm në atë çfarë predikojnë. “Nga të gjithë despotizmat, më i keqi është tirania e pamëshirshme e ideve”, thotë ai, duke theksuar se intelektualët kanë prirjen të harrojnë se njerëzit vlejnë më shumë sesa idetë abstrakte, ndaj dhe ata duhet të kenë përparësi ndaj ideve.

Fallxhorët e modernitetit

Natyrisht, e gjitha kjo nuk është një kryqëzatë ndaj njeriut të ditur apo mendimtarit që përpiqet të kuptojë dhe të ofrojë zgjidhje mbi problemet e kohës. Termi prodhon njëfarë konfuzioni tek ai lexues që është i pamësuar me debatet mbi këto tema, duke qenë se tek intelektuali ai shikon shpëtimtarin e shoqërisë. Në fakt, në vetvete ky është një mit, i prejardhur nga një sërë mitesh të tjera që kanë të bëjnë kryesisht me iluminizmin, progresin, arsyen, revolucionarizmin apo modernizimin në përgjithësi. Bindje të tilla janë prodhim i vetë intelektualëve për veten e tyre dhe ky terren mitologjik është pikërisht trualli ku mbillet dhe kultivohet fara e intelektualizmit.
Termi në vetvete është i papërcaktuar qartë dhe ndryshon në varësi të qasjeve. Në një kuptim të përgjithshëm, intelektualë konsiderohen ata që merren me kritikën e ideve, qofshin këta filozofë, shkencëtarë, studiues, shkrimtarë, artistë etj. Megjithatë mund të vërejmë një dallim të madh midis rolit të intelektualit në shoqëritë tradicionale dhe rolit të tij në shoqëritë moderne. Nëse dikur roli i tij ishte ai i kërkuesit të së vërtetës dhe njohjes së botës, sot misioni i tij është ndryshimi i realitetit, në kërkim të një bote të re.
Intelektualët janë mendimtarë të angazhuar në kërkim të transformimeve kulturore, të cilat bëjnë të mundur ndryshimin rrënjësor të shoqërisë. Intelektuali është përgjithësisht një revolucionar që kërkon të përmbysë, në një mënyrë apo një tjetër, rendin ekzistues. Nga ky kuptim, ka një dallim të madh midis intelektualit dhe ekspertit apo profesionistit. Intelektualët nuk janë dijetarë në ndonjë fushë të caktuar, ndonëse nuk përjashtohet edhe të jenë të tillë, por janë ata që marrin përsipër të trajtojnë probleme të përgjithshme të shoqërive duke u përfshirë në çështje publike të çdo fushe.
Nga kjo perspektivë, siç e kanë trajtuar shumë autorë, intelektualët janë diletantë. Ata nuk lëvrojnë shkencat në mënyrë të drejtpërdrejtë, por lëvrojnë fushën e ideve në një rrafsh ideologjik. Pra, thënë ndryshe, intelektualët nuk prodhojnë dije të mirëfilltë, por ideologji nëpërmjet të cilave orientohen grupe të caktuara shoqërore.
Intelektuali, në këtë kuptimin, nuk ka ekzistuar gjithmonë. Shfaqja e tij u bë e mundur në kohët moderne, falë disa proceseve që transformuan krejtësisht mënyrën e jetesës, organizimin social, komunikimin, pushtetin dhe kuptimin mbi botën. Procese të tilla, si urbanizimi, shoqëritë e masave, lindja e shtetit komb, apo edhe ndikimi i pikëpamjeve si iluminizmi, janë fenomene që bëjnë të mundur krijimin e një profili të ri për njerëzit e dijes, të cilët, në kushtet e reja të organizimit social, marrin përsipër edukimin e masave.
Edukimi është instrumenti që bën të mundur kohezionin në kontekstin e një shoqërie që i ka rrëzuar strukturat, normat dhe vlerat tradicionale, për t’u rishpikur në një formë të re, krejt ndryshe nga çka ekzistuar për mijëra vjet. Në mungesë të vlerave dhe marrëdhënieve shoqërore të dikurshme, është e nevojshme që dikush t’i grumbullojë njerëzit rreth disa ideve, duke i orientuar ata drejt përfytyrimeve të reja mbi botën dhe shoqërinë, si dhe drejt përvetësimit të modeleve të reja të sjelljes dhe jetesës. Intelektualët janë ata që marrin përsipër këtë mision.

Duke iu referuar Ernest Gellner-it, mund të themi se gjithçka lidhet me krijimin e qytetarisë, e cila bëhet e mundur nga dy procese:
Së pari shoqëritë moderne shkatërrojnë hierarkitë, duke krijuar lidhje të drejtpërdrejta, pa ndërmjetësimin e grupeve dhe nëngrupeve shoqërore mes njerëzve dhe tërësisë së shoqërisë. Shoqëritë paramoderne karakterizoheshin nga një pluralitet i madh statusesh dhe pozicionesh sociale, të cilat bënin e bënin shoqërinë tepër të larmishme. Në modernitet të gjitha këto zhduken nëpërmjet barazisë, duke njëtrajtësuar individët në një shoqëri që karakterizohet tashmë nga anonimati, mobiliteti dhe atomizimi.
Së dyti, në modernitet dallojmë atë që Gellner e quan “natyra semantike e punës”. “Zhvillimi i industrializimit”, thotë ai, “zhduk punën fizike”.Punonjësi i fabrikave, pavarësisht se konsiderohet si punëtor krahu, në fakt paguhet për një aftësi që kërkon kualifikim dhe jo për forcën fizike. Natyra semantike e punës kërkon një nivel të mirë shkollimi, si dhe aftësitë për “komunikim pa kontekst”, jashtë statusit social të individëve të përfshirë në komunikim. Nga ana tjetër, shoqëria moderne është e para në historinë e njerëzimit ku arsimimi është bërë i përgjithshëm dhe ku çdo njeri ka akses në kulturën e lartë.
Në këtë kuptim, intelektuali ka për mision të zbresë kulturën e lartë në masa. Ai bëhet furnitor i kulturës së re, vlerave të reja, të cilat sjellin transformimin e shoqërisë. Ai gjithashtu farkëton qytetarinë duke krijuar autoritetet e reja që imponojnë modelet të cilat integrojnë individin në tërësinë e një shoqërie të rithemeluar mbi përfytyrime të reja.
Në fakt, ky mision nuk përmbushet në mënyrën e duhur. Ata nuk kanë aftësinë të ndërtojnë modele shteruese, duke qenë se operojnë në nivel ideologjie pa dijet e plota për të gjykuar me kompetencë. Por edhe sikur t’i zotëronin këto kompetenca, dijet sociale nuk mund të shterojnë të vërtetat mbi të cilat ndërtohen marrëdhëniet mes njerëzve. Racionaliteti intelektual nuk e zëvendëson dot rendin spontan të gjërave dhe përvojën e shtresëzuar që strukturon shoqëritë tradicionale. Për këtë arsye, bota e krijuar nga intelektualët nuk u bë dot botë e arsyes që zëvendëson mitet dhe besimet së shkuarës, por vetëm një botë e disa miteve dhe besimeve të reja të ambalazhuara nën logon e arsyes dhe shkencës.

Johnson i konsideron intelektualët si një fenomen i ri, i shfaqur më shumë gjatë dy shekujve të fundit. Ai shprehet se dikur, funksionet e intelektualit i luanin priftërinjtë, shkruesit apo fallxhorët, të cilët kanë pretenduar se drejtojnë shoqërinë, pa marrë parasysh nëse kulturat të cilave ata u kanë shërbyer ishin primitive apo komplekse. Por, hapësira e veprimit të tyre ishte e kufizuar nga kanonet e autoritetit të jashtëm dhe venomet e traditës. Ata nuk mund të bëheshin dot aventurierë të mendimit.
Pas shek. XVIII, thotë ai, fillon të shfaqet një tip i ri mendimtari, i cili mund të ishte deist, skeptik apo ateist, por “i gatshëm, jo më pak se një peshkop apo kardinal, t’i mësonte njeriut sesi të sillej”. Duke u vetëshpallur martir që sakrifikohej për interesat e njerëzimit, ai u vesh me një mision ungjillor për të shpëtuar njerëzimin. Për herë të parë në histori, thotë Johnson, disa njerëz morën përsipër që, me guxim e moskokëçarje, të transformonin shoqërinë vetëm me forcën e intelektit të tyre.
“Tradhtia e intelektualëve” e ka quajtur Julien Benda këtë fenomen të përfshirjes së njerëzve të dijes në politikë. Të diturit, thotë ai, kanë qëndruar gjithmonë, për mijëra vjet, indiferentë dhe të papërfshirë në grindjet politike dhe kjo ka ruajtur ndërgjegjen morale të shoqërive, me gjithë luftërat e përgjakshme të herëpashershme. Nga fundi i shek. XIX gjithçka filloi të ndryshojë, sipas tij. Të diturit u përfshinë në politikë duke u bërë pjesë e betejave të saj të përditshme, gjë që ka kompromentuar jo pak rolin e tyre në mbrojtjen e vlerave shoqërore.

 

Por, sigurisht, intelektualët nuk janë gjithmonë të korruptuar dhe të prirur drejt interesave. Shumë prej tyre janë idealistë dhe nuk joshen nga përfitimet e pushtetit. Por kjo nuk mjafton. Shpesh, pikërisht ata që duken idealistë mund të jenë edhe më të dëmshëm. Siç vëren Benda-s, vetë interesimi i njerëzve të dijes për veprimtari aktive është në thelb problematik dhe sidomos projektet për krijimin e një parajse tokësore nëpërmjet mjeteve politike, kanë qenë katastrofike. Në emër të një parajse të tillë, janë evokuar, justifikuar e madje edhe janë nxitur luftëra, të cilat i kanë çuar popujt drejt mjerimit dhe masakrave mizore.
Që kur Marksi hapi derën e filozofisë së angazhuar, duke shpërfillur rolin e mendimtarit si interpretues i botës në këmbim të misionit për ta ndryshuar atë, mendimtarët sakrifikuan soditjen për t’u hedhur në zjarrin e aksionit politik. Ata humbën edhe kthjelltësinë e të menduarit edhe pastërtinë e punës së tyre, ndërsa, pasojat e utopive që krijuan, sollën kosto të tmerrshme për njerëzimin.

Bijtë e revolucionit
Friedrich Hayek i përshkruan intelektualët si distributorë të dijeve, për të cilat ata nuk janë doemos ekspertë. Ata janë kështu ndërmjetës të ideve nga prodhuesit tek publiku, duke ushqyer opinionin me produktet që ata përzgjedhin. Ata shërbejnë, si një sitë, “përmes së cilës duhet të kalojnë të gjitha konceptimet e reja para se të arrijnë te masat”. Sipas tij, jashtë fushave tona të punës, ne jemi të gjithë njerëz të zakonshëm, të varur nga informacioni i cili përpunohet përmes mediumit të kësaj klase. Për shkak të rolit të tyre si ndërmjetës të ideve, intelektualët përcaktojnë se cilat ide arrijnë tek publiku i gjerë dhe ka të ngjarë të pranohen prej tij.
Kjo do të thotë se idetë që shpërndahen nuk varen shumë nga prodhuesit e vërtetë, qofshin këta filozofë, akademikë, studiues të cilët kanë kompetencat e duhura për të njohur dhe gjykuar mbi fenomenet shoqërore. Përzgjedhja e ideve bëhet nga ndërmjetësit, të cilët ndërhyjnë tek ato në bazë të preferencave apo interesave të tyre. Intelektuali, thotë Hayek-u, i gjykon idetë e reja, jo për meritat e tyre specifike, “por për nga gatishmëria me të cilën ato përshtaten në konceptimet e tij të përgjithshme, në pamjen e botës që ai e konsideron si moderne dhe të përparuar”. Ai favorizon përgjithësisht politikat e paqarta dhe idetë abstrakte në funksion të një zgjidhjeje më pragmatike në komunikim me publikun.
Kjo do të thotë se idetë përzgjidhen më shumë mbi bazë të një strategjie komunikimi, sesa mbi bazë të asaj çfarë i duhet vërtetë shoqërisë. Për të qenë të pëlqyer prej publikut, intelektualët përzgjedhin ide të paqarta, të përgjithshme, shpesh në formë klishesh të gatshme, të cilat përthithen lehtë dhe fitojnë përkrahje të gjerë. Duke zgjedhur rrugën më të lehtë drejt suksesit dhe nevojës së tyre për prestigj dhe mbështetje, ata lajkatojnë veset e publikut, përforcojnë bindjet, stereotipat dhe paragjykimet e tij, si dhe simulojnë instinktet e turmës.
Hayek-u identifikon socializmin si një ideologji që i përshtatet mjaft mirë asaj që kërkojnë intelektualët. Sipas tij, socializmi është një abstraksion i kthyer në një parim udhëzues, i cili parashtron një vizion utopik për një të ardhme më të mirë, çfarë është diçka tunduese dhe mjaft tërheqëse për publikun në krahasim me diskutimet teknike të ekspertëve për përmirësimin e sistemit.

 

Për këtë arsye, intelektualët janë masivisht të majtë. Ata predikojnë përmbysjen e sistemit dhe nuk kanë interes për diskutime teknike që kërkojnë përmirësimin e tij. Ata flasin për një shoqëri të drejtë, për barazi shoqërore, për përfshirje të qytetarit në vendimmarrje, të cilat ngjajnë interesante përballë reformave, sugjerimeve teknike të ekspertëve për të rregulluar tregun, prodhimin, efiçencën e qeverisjes në përmirësimin e kushteve të jetesës, etj. Kjo i bën ata tërheqës për një publik që priret të joshet pas premtimeve të mëdha, deri në momentin kur ata vijnë në pushtet dhe dështojnë plotësisht në praktikë.
Në librin e tij “Opiumi i intelektualëve” Raymond Aron ka analizuar hollësisht tundimin revolucionar të intelektualëve duke pohuar se revolucioni është “romantik” dhe tërheqës, përballë reformave “prozaike”, të mërzitshme dhe të lodhshme. Miti i revolucionit, si një strehë e mendimit utopik, arrin t’i përmbushë intelektualët, për shkak se iu përgjigjet mënyrës sesi ata veprojnë. Ata kërkojnë ndryshime radikale dhe të menjëhershme, pasi kjo i jep forcë aktivizmit të tyre.

 

Miti i revolucionit, thotë Aron-i ka përfituar nga keqkuptime të shumta, si p.sh. modernizmi estetik, i cili ka bërë të mundur një aleancë të pararojave artistike me ato politike të së majtës. Një keqkuptim i tillë është edhe prirja për të qenë antikonformistë ndaj moralit ekzistues. Kritika e moralit konvencional ka shërbyer si nyjë lidhëse midis pararojës politike dhe pararojës letrare, ndërsa ateizmi lidh metafizikën e kryengritjes me politikën e revolucionit, duke e konsideruar këtë të fundit gabimisht si kurorëzim të humanizmit.
Një tjetër arsye që Aron-i vëren mbi prirjen e intelektualëve drejt revolucionarizmit, është përhapja e nihilizmit gjatë shek. XX. Intelektuali padit fatin e paracaktuar nga kjo gjithësi e pakuptimtë, dhe “herë-herë bashkohet me revolucionarët, sepse zemërimi ose urrejtja del mbi të gjitha arsyet e tjera” dhe “vetëm shkatërrimi mund të qetësojë ndërgjegjet e dëshpëruara”. Veprimi, aksioni i jep fund paqëllimsisë së jetës apo kotësisë së gjendjes ku ai ndodhet. Revolucionari “zotëron përkryerjen, transcendencën dhe kuptimin: të ardhmen historike”.
Së fundi, Aron-i thekson se miti i revolucionit ofron strehë për mendimin utopik. “Ai bëhet ndërmjetësi i fshehtë dhe i paparashikueshëm midis realitetit dhe idealit”, duke ofruar optimizëm në një realitet nihilist, gjë që nuk kursen as simpatinë për dhunën, si mjet i vetëm për realizimin e utopisë.
Por, si shpjegohet prirja e shumë intelektualëve për të urryer kapitalizmin?
Robert Nozick e sheh njërën nga arsyet te pakënaqësia që ata kanë me shoqërinë, për shkak se mendojnë se ajo nuk i nderon dhe nuk i shpërblen sipas vlerës që ata besojnë se kanë në të vërtetë. Ata presin të jenë njerëzit më të vlerësuar pasi ndjehen se janë njerëzit më të vlefshëm. Ata gjykojnë se shoqëria duhet t’i shpërblejë anëtarët e saj në përputhje me meritat e tyre, gjë që nuk e bën me ta.
Duke iu referuar Ludwig von Mises, ai shpjegon se intelektualët reflektojnë kompleksimin e tyre kundrejt kapitalistëve, gjë që nuk vërehet te shtresat e tjera, si p.sh. punëtorët. Ata nuk e pranojnë dot faktin që kapitalistët janë më të shpërblyer, gjë që i bën të urrejnë kapitalizmin, si një sistem që nuk e plotëson parimin e shpërndarjes “secilit sipas meritave ose vlerës së tij”. Gjithashtu, kjo i bën të jenë shpesh edhe kundër tregut të lirë, pasi ai gjithashtu nuk i shpërndan të mirat sipas meritës. Biznesmenët dhe punëtorët e pasuksesshëm nuk e kanë këtë prirje kundër sistemit kapitalist si intelektualët. Kjo mund të prodhohet vetëm nga ndjenja e epërsisë së panjohur dhe e së drejtës së tradhtuar që ata kanë.

 

Përgjithësisht, njerëzit janë të gatshëm ta përmbysin një sistem që nuk iu jep atë që ata mendojnë se u takon. Revolucioni është hakmarrje e intelektualëve për mungesën e shpërblimit të pretenduar, si dhe ngushëllimi për dështimin e tyre në arritjen e pozicionit dominues në shoqëri. Kjo është arsyeja pse ata janë kundër politikës në përgjithësi, ndonëse tundimi i tyre është krejtësisht politik. Përveçse politikanët mbajnë atë që ata mendojnë se u përket atyre, pushtetin, – politika, gjithashtu, mban në këmbë sistemin që ata duan të përmbysin, sistemin që nuk i vlerëson ata sa meritojnë duke mos i vendosur në krye.

 

Gënjeshtarët e djallit
Shoqëritë totalitare krijojnë një lidhje të veçantë me intelektualët. Ato kanë shumë nevojë për ta, pasi janë themeluar mbi ideologji që kërkojnë të shtrihen në çdo hapësirë të shoqërisë. Pa një elitë intelektuale që përpunon, legjitimon, argumenton dhe shpërndan ideologjinë, si dhe ofron modelet e reja të sjelljeve dhe marrëdhënieve shoqërore, asnjë pushtet i tillë nuk do të mund të ishte i suksesshëm. Ai arrin të realizojë qëllimet e veta pikërisht falë gatishmërisë së intelektualëve për t’u vënë në shërbim. Janë ata që më shumë sesa aparati i terrorit shtetëror, u krijojnë mundësitë regjimeve totalitare të shtrijnë kontrollin e tyre absolut në shoqëritë ku janë instaluar.
Komunizmi në Shqipëri investoi jo pak në krijimin e elitave të tij. Ai ngriti universitetet, institutet shkencore, institucionet e artit dhe të kulturës duke prodhuar një elitë të re, e cila u vu në shërbim të realizimit të projektit të tij. Pasi shkatërroi elitat ekzistuese, ai i zëvendësoi ato me të reja, të formuara nga njerëz që gjithçka e arritën falë investimeve të tij. Këto elita u bënë avangarda e regjimit në planin kulturor, duke shtruar udhën e tij drejt dominimit total.
Në funksion të këtij qëllimi u përzgjodh një kategori të rinjsh, një pjesë prej të cilëve u dërguan të shkollohen jashtë, – në Bashkimin Sovjetik, Çekosllovaki, Poloni, etj., për të importuar prej andej përvojat e vendeve të tjera në instalimin e sistemit komunist. Shumë prej tyre u bënë pararoja e zhvillimeve në shkencë, letërsi, art, kulturë, duke arritur sukses në zbatimin e modeleve të importuara nga vendet ku studiuan.
Natyrisht kjo shtresë intelektualësh shikohej me një sy të veçantë nga regjimi dhe mund të thuhet se ka qenë jo pak e privilegjuar. Ata bënin një jetë pa shumë mundime në krahasim me të tjerët, kishin një status të lakmueshëm, një emër publik dhe paguheshin mirë. Një regjisor i kategorisë së parë merrte rrogën e një zëvendësministri, pa llogaritur këtu edhe përfitime të tjera, si lejet e krijimtarisë, shpërblime apo dieta. Kjo bëhej për shkak se partia në pushtet e konsideronte kinemanë sipas maksimës së Leninit “artilerinë e rëndë të propagandës”. Kujdesi i pushtetit dhe vëmendja publike e përfituar nga kjo kategori studiuesish, shkrimtarësh, artistësh ishte aq i madh, sa shpesh i bënte të xhelozoheshin edhe shumë prej udhëheqësve e vendit.
Nga një vështrim i përgjithshëm mund të dallojmë disa kategori intelektualësh në shërbim të një regjimi totalitar, të cilët i gjejmë edhe në Shqipëri.
Të parët janë militantët, ata që e ndihmojnë lëvizjen politike totalitare të vijë në pushtet. Fillimisht ata mund të jenë idealistë dhe të besojnë vërtet në utopinë e tyre, por më pas, kur gjërat shkojnë keq e më keq, ata detyrohen të mbesin peng i sistemit që kanë ndërtuar vetë. Ata nuk mund të dalin më kundër jo vetëm për shkak të privilegjeve që nuk duan t’i humbasin, por edhe për shkak të mungesës së kurajës për të pranuar dështimin e tyre. Në këtë mënyrë ata detyrohen ta heqin vallen deri në fund.
Në një kategori të dytë mund të përfshijmë ata që mund t’i quajmë oportunistët. Këtu klasifikojmë një masë të madhe intelektualësh, të cilët, pa asnjë meritë, pushteti i merr nga hiçi për t’i ngritur në majë, duke i ngarkuar me punët më të pista që i nevojiten. Në mungesë të një talenti të vërtetë, ata bëhen kryesisht shefa apo spiunë, për të mbajtur në kontroll të talentuarit. Ata janë edhe më të predispozuarit për të pranuar dhe mbrojtur çdo lloj poshtërsie, pasi ata i detyrohen pushtetit për gjithçka. Ata shërbejnë jo vetëm për të përçuar deri në fund direktivat e partisë, por edhe për të ushtruar presion mbi kolegë të tyre të lëkundur.

 

Kjo kategori krijon një mjedis të pasigurt në rrethet intelektuale, ku individët, më shumë se nga vetë regjimi, ruhen nga njëri-tjetri. Jeta kolektive kthehet në një xhungël ku gjithkush ruhet prej gjithkujt. Czeslaw Milosz flet për disa lloj intelektualësh që i përshtaten më shumë këtij grupi, të cilët ai i quan “qentë roje” të partisë, të cilët ndahen në dy lloje: ata që lehin dhe janë të egër dhe ata që janë tinëzarë e kafshojnë në fshehtësi. Këta të dytët, sipas tij, kanë përparësi në regjimet totalitare, duke krijuar një racë njerëzore që nuk mund të ndreqet më, Njeriun e Ri.
Në kategorinë e tretë janë të talentuarit, të cilët detyrohen t’i shërbejnë regjimit për shkak të tundimeve, presioneve, si dhe një sërë arsyesh të tjera që kanë të bëjnë me statusin e tyre personal. Këta e vuajnë më shumë kompromisin, ndonëse mundohen ta justifikojnë atë. Ata kalojnë nëpër një proces të gjatë manipulimi të vetes në funksion të legjitimimit të shtrembërimeve që janë të detyruar të bëjnë, si dhe të vetë krimeve të regjimit të cilat janë të detyruar t’i mbrojnë. Ata e humbin kështu kontaktin me të vërtetën duke prodhuar një koracë iluzionesh me të cilën gënjejnë veten dhe të tjerët.
Czeslaw Milosz ka lënë një rrëfim të shkëlqyer mbi operacionet logjike e psikologjike që ndodhin në ndërgjegjen e kësaj kategorie, duke shpjeguar në mënyrë të mrekullueshme dialektikën që i shpie ata drejt nënshtrimit të plotë. Në librin e tij “Mendja e robëruar” ai shpjegon se ata janë shumë të zgjuar dhe të aftë për akrobaci të hollësishme mendore në prodhimin e një morali justifikues.
Fillimisht ky lloj intelektuali bën disa lëshime, por gradualisht e kupton se ato nuk mjaftojnë, duhet rekrutim i plotë. Gjithçka kalon në një sërë fazash siç është ndjenja e fajit, vuajtja e më pas justifikimi dhe dorëzimi. Në fund, ai mësohet me faktin dhe gjithçka fillon të bëhet e lehtë. Ai fillon të ushtrohet në sportin e hipokrizisë duke njohur aftësitë e tij për t’i fshehur të vërtetat brenda vetes. Kultivimi i shtirjes prodhon një pervertim të brendshëm, duke bërë që ai të fillojë të çmojë dinakërinë.
Në këto kushte, ky lloj intelektuali krijon mekanizma mbrojtës. Ai ndërton “faltoren e tij intime” brenda botës së tij të brendshme, por në fakt, duke ushtruar vazhdimisht rolin që është detyruar të luajë, ai ka filluar ta brendësojë atë, aq sa ky rol është bërë tashmë vetja e tij. Ai tashmë e ka humbur veten.
Me një mprehtësi psikologjike, me një aftësi të jashtëzakonshme për të fshehur mendimin duke luajtur me fjalët, ai mendon se ia ka dalë të ruajë të fshehtën e tij. Tendosja sfilitëse për të qenë i vëmendshëm që vetja të mos e tradhtojë, i shkakton një ndjenjë kënaqësie mazokiste. Djallëzia e përdorur kundër djallit të bën të besosh se po ia hedh atij, por në të vërtetë, djalli e di mirë këtë dhe është i kënaqur. Ndonjëherë, pajtimi i jashtëm është gjithçka që ka nevojë tirania, thotë Milosz.

 

Çfarë i shtyn intelektualët ta pranojnë këtë? Sipas tij, janë një sërë faktorësh. Natyrisht privilegjet, rehatia dhe vlerësimi që regjimi siguron për ta, janë një faktor i rëndësishëm, por ka edhe të tjera që kanë të bëjnë më shumë me thelbin e natyrës së intelektualit.
Regjimet totalitare e afrojnë intelektualin me publikun. Arti, letërsia mendimi që kultivon komunizmi zhvishet nga elitizmi i artit dhe i filozofisë borgjeze për të zbritur në masa. Kështu materializmi dialektik bashkon elitat me popullin, çfarë është ëndrra e një intelektuali. Ai arrin ta zbresë atë tek njerëzit dhe t’i japë atij mundësinë të ndikojë mbi ta. Nga ana tjetër, partia kontrollon publikun dhe, për pasojë, ajo ka në dorë garantimin e suksesit të intelektualit. “Të jenë midis masave është tundim i fuqishëm i intelektualëve që kanë rënë viktima të alienimit”, shprehet Milosz. Kjo e bën atë të ndjehet i dobishëm. Nëse humbet publikun, ai ka humbur veprën e vet, pasi ajo nuk ka kuptim pa të. Në fakt, duke u konformuar, ai fiton publikun, por humbet vetë veprën, madje edhe veten.
Një tjetër arsye përse ky tip intelektuali konformohet është, sipas Milosz-it, edhe për shkak se ai nuk dëshiron të jetë humbës. Realiteti, nën një sundim totalitar, tregon se regjimi është i fortë dhe logjika historike i jep atij të drejtë. Ata ndjehen të pasigurt t’i kundërvihen rrjedhës së historisë, e cila i bën të ndjehen të dështuar. Për këtë arsye, duke u rreshtuar në anën e pushtetit, ata ndjehen se po hedhin hapa të sigurt dhe po ecin konform asaj çfarë kërkon koha.
E gjitha kjo nxjerr në pah pikërisht egoizmin e brendshëm të intelektualit, i cili e shtyn drejt korruptimit duke pranuar t’u shërbejë regjimeve kriminale. Ai kërkon të jetë fitues përpara se të jetë i virtytshëm, dhe për këtë arsye, ai zgjedh të ecë me rrjedhën e historisë, pa menduar se kjo rrjedhë mund të ndryshojë dhe ajo çfarë i mbetet është vetëm imoraliteti i zgjedhjes së vet. Paaftësia për të parë përtej fuqisë momentale të pushtetit e bën të dorëzohet. Duke zgjedhur moralin e fituesit, moralin e të fortit, ai korrupton veten dhe veprën e vet, në emër të së cilës justifikon haraçin e paguar ndaj diktaturës. Në fakt, ai e ka shitur, në këtë mënyrë, veprën e vet. Ajo nuk është më e tija, por e regjimit që ajo i shërben.

Intelektualët në Shqipërinë e tranzicionit
Tridhjetë vjet pas rënies së regjimit, shoqëria shqiptare gjendet ende në tranzicion, më e pashpresë se kurrë. Për tri dekada ajo nuk arriti të ndërtojë një projekt të qartë shoqëror e politik, nuk arriti të ndërtojë institucione e, për pasojë, nuk krijoi dot siguri, zhvillim dhe një të ardhme premtuese. Korrupsioni, kapja e institucioneve, konfliktualiteti politik, ideologjik e kulturor janë si askund tjetër, gjë që pengon çdo mundësi për zhvillim. Natyrisht intelektualët nuk mund të mos jenë fajtorë për këtë realitet.
Gjatë këtyre viteve ka qenë e vështirë që shqiptarët të prodhojnë elita të reja, të painfektuara nga e kaluara dhe me një vizion të qartë për të shtyrë përpara zhvillimet. Realiteti ka qenë i ashpër dhe shkurajues për të rinj me potencialin dhe moralin e duhur. Një pjesë e madhe e talenteve që mund të kishin ndihmuar në prodhimin e një realiteti tjetër është larguar nga vendi për të kërkuar një jetë normale në emigrim. Në këtë mënyrë, skena e debatit publik është sunduar nga njerëz të korruptuar, kryesisht me një të shkuar të kompromentuar gjatë diktaturës, të cilët prodhojnë një klimë antagonizmi dekurajues për zërat e arsyeshëm, duke e sunduar debatin publik nëpërmjet klishesh vulgare e skemash ideologjike që vazhdojnë të ruhen që nga koha e komunizmit.
Përveç kësaj, në përgjithësi klasa intelektuale në Shqipëri është thuajse e monopolizuar nga e majta. Gjatë gjithë këtyre tri dekadave, ajo ka arritur të instalojë pikëpamjet dhe pushtetin e saj kudo, duke nisur që nga mediat, shoqëria civile, institucionet e kulturës, etj. Mjafton t’u hedhësh një sy botimeve të kësaj periudhe për të parë se shumica dërrmuese e autorëve të përkthyer janë të së majtës. Kjo tregon se pluralizmi ideologjik në Shqipëri është plotësisht i zhbalancuar.

 

Nisur nga pikëpamjet që kemi parashtruar deri tani, mund të identifikojmë tre tipa kryesorë intelektualësh, pa llogaritur këtu një kategori tjetër që mund t’i identifikojmë si intelektualë të djathtë. Këta të fundit nuk do t’i bëjmë objekt analize jo vetëm për shkak të debatit që ekziston midis studiuesve, nëse ka apo jo intelektualë të tillë, – gjë që i kapërcen mundësitë e kësaj trajtese – por edhe për shkak se shumica e atyre që mund të konsiderohen të tillë në Shqipëri, janë të paqartë ideologjikisht dhe, në më të shumtën e rasteve, janë të ndikuar nga mitet e së majtës, siç janë ato që kanë të bëjnë me arsyen, iluminizmin, modernitetin, progresin etj.
Grupi i parë që mund të identifikojmë është ai i intelektualit që vjen nga e kaluara komuniste. Kjo kategori nuk është çliruar ende nga mënyra e të menduarit e kultivuar gjatë asaj kohe, ndonëse, në dukje, shfaqet me ide dhe bindje të reja. Ata vazhdojnë të operojnë me mendësinë e luftës së klasave, me një logjikë bardhë e zi, me kritere vlerësimi mik/armik, me stereotipa të ngurtë kategorizimesh për të tjerët, me shpjegime konspirative armiqsh që na kërcënojnë, etj. Në thelb, ata kanë mbetur njësoj, ndonëse duan të duken përparimtarë duke përkrahur idetë mbizotëruese të kohës të cilat, në fakt, janë sipërfaqësore dhe të cekëta. Njësoj si në diktaturë, ata përdorin shtirjen si mjet adaptimi me pikëpamjet sunduese. Në pamje të parë ata shfaqen si promovues të parimeve të një shoqërie të lirë dhe demokratike, por paradoksalisht ata i mbrojnë këto parime me të njëjtën logjikë, me të cilën dikur diktonin dhe shkatërronin armiqtë e klasës.
Aktiviteti i tyre intelektual nuk ofron asgjë të re, përveçse gardhon debatin publik me slogane që kanë për qëllim pikërisht të pengojnë depërtimin e pikëpamjeve të reja e të avancuara. Ata pengojnë çdo prurje mendimi që kërcënon gjendjen ekzistuese të dijes duke synuar t’i mbajnë në ngrirje bindjet e tanishme mbi historinë, kulturën, politikën apo shoqërinë. Qëllimi i tyre është ruajtja e status quo-së ideologjike, pasi është i vetmi terren ku ata vetë mund të jenë ende faktorë. Çdo zhvillim i ri i nxjerr ata jashtë loje, pasi, së pari, janë të paaftë të përditësohen me mendimin bashkëkohor, por edhe për shkak se dijet e reja nxjerrin në pah varfërinë, shterpësinë dhe imoralitetin e punës së tyre intelektuale.
Kjo kategori intelektualësh tashmë është haptazi nostalgjike për periudhën e Enver Hoxhës. Nuk bëhet fjalë për një ndjenjë të natyrshme nostalgjie, siç mund ta ketë çdo njeri për të kaluarën apo rininë e vet. Jo! Është nostalgji për vetë sistemin, për ato që, sipas tyre, konsiderohen vlerat e tij. Ata e duan thellë-thellë atë sistem sepse gjithçka e kanë arritur falë tij dhe vetëm gjatë kohës së tij ata janë ndjerë vërtet njerëz me rëndësi.
Ata flasin vazhdimisht për një nevojë që shoqëria e sotme ka për t’iu rikthyer së kaluarës duke ia njohur regjimit komunist disa të mira. Ata kërkojnë të rehabilitojnë shumë prej aspekteve të asaj periudhe, duke u përpjekur të relativizojnë krimin dhe terrorin nëpërmjet shpërqendrimit nëpër vlerësime sasiore pa kuptim. Ndërkohë ata nuk flasin kurrë për krimet, për varfërinë dhe skamjen e tmerrshme, për dështimin e madh të ekonomisë dhe industrializimit, për sakatimin shpirtëror e intelektual të Njeriut të Ri, për aspektet qesharake të propagandës së asaj kohe, etj.

 

Në fakt, ata e bëjnë këtë për shkak se e gjithë vepra e tyre dhe ata vetë i përkasin asaj periudhe. Ata e kuptojnë thellë-thellë se janë fajtorë për kontributin e tyre në atë sistem, ndaj dhe fati i tyre vazhdon të jetë i lidhur me të. Për këtë arsye, ata mundohen të zbusin gjykimin e shoqërisë për të, në mënyrë që edhe ata vetë të jenë më të pranueshëm.
Kategoria e dytë që mund të identifikojmë është ajo e intelektualëve liberalë, të cilët, ndonëse rininë e tyre e kanë kaluar përgjithësisht në bllok apo rrotull tij, – falë shërbimeve të baballarëve të tyre ndaj regjimit, – janë njohur për tipa antikonformistë, modernë, që nuk u nënshtroheshin lehtë kallëpeve kulturore të Njeriut të Ri që impononte partia. Shumica prej tyre kanë qenë kundër regjimit jo për ndonjë zell patriotik apo ndonjë veneracion serioz për lirinë dhe demokracinë, por thjesht për shkak se regjimi i pengonte të kishin një jetë konform modeleve kulturore hedoniste e vanitoze si ajo të cilën ata e preknin nëpërmjet ekraneve të televizioneve italiane.
Ky lloj rebelimi snobist ka ardhur më shumë si një reagim instiktiv ndaj shkretëtirës kulturore të Shqipërisë së atyre viteve dhe nuk ka arritur të prodhojë dot as më vonë, pas rrëzimit të sistemit, një narrativë serioze për ta çliruar vendin nga ajo trashëgimi. Ai buron më shumë nga një narcizizëm i brendshëm, i ngarkuar me komplekse moderniste prej botës së spektaklit perëndimor, të konsumuar në rini, nëpërmjet ekraneve të huaja, të cilat populli i thjeshtë i mbërrinte fshehtas, vetëm nëpërmjet kanoçeve UHV që rivalizonin zhurmuesit e regjimit. Antikomunizmi ekscentrik i kësaj kategorie ishte më shumë një kundërkulturë fëmijësh të përkëdhelur, të mbrojtur nga vetë regjimi i prindërve të tyre. Ky lloj antikomunizmi ushqehet më shumë nga pengimi që ushtronte partia, bie fjala për të veshur xhinse, për të mbajtur flokë të gjatë apo për të dëgjuar muzikë rock’n roll, sesa prej ndonjë ndjeshmërie kundër terrorit gjenocidal të pushtetit popullor.
Kjo lloj sjelljeje përfton një farë ekstravagance intelektuale e cila, në mënyrë paradoksale, karakterizon një shtresë të re borgjezie të lindur gjatë komunizmit falë privilegjeve të fituara prej shërbimeve ndaj tij. Duke mos u mjaftuar me këto privilegje, të cilat i merrnin të mirëqena, ata kanë ndierë parehatinë me sistemin, si edhe me të gjithë vendin, duke u krahasuar me të rinjtë në vendet perëndimore. Për pasojë ata nuk para kanë shfaqur ndonjë veneracion për fatin e popullit apo të shoqërisë në përgjithësi. Përkundrazi, në shkrimet e tyre të pasnëntëdhjetës konstatohet përbuzja për të. Ata e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin shoqërinë shqiptare si një fshat të prapambetur që ka aksidentuar fatin e tyre. Për këtë arsye ata nuk ndjejnë kurrfarë përgjegjësie intelektuale për vendin e tyre.

 

Kategoria e tretë që mund të identifikojmë është ajo e disa intelektualëve të rinj, kryesisht me prejardhje familjare ish-funksionarësh të lartë e të mesëm të regjimit të kaluar, të pajisur me një formim ideologjik revolucionar, shpesh-herë mjaft radikal, të cilët ose ushqejnë ende fazën fillestare të promovimit të ideve të tyre, ose kanë hyrë tashmë në nxehje për t’u hedhur në politikë nëpërmjet skemash të shumta. Shumica prej tyre artikulojnë teza kundër sistemit politik 30-vjeçar, të cilat përdoren në mënyrë populiste si një instrument për të tërhequr vëmendjen në avancimin e ambicieve të tyre politike. Në njëfarë mënyre, ata janë një përzierje e dy grupeve të para, janë liberalë e rebelë kulturalisht dhe revolucionarë ideologjikisht.
Ata reflektojnë, në mënyrë tipike, prirjet e shpjeguara më sipër për intelektualët. Janë populistë, oportunistë, konformistë, aventurierë, revolucionarë, dogmatikë, fanatikë e, mbi të gjitha, narcizistë. Për shumë prej tyre idetë janë thjesht instrumente për të avancuar agjendat personale. Ata përdorin klishetë ekzistuese, mitet aktuale, lodhjen e publikut me politikën si teknika për të dribluar pikëpamjet e tyre reale. Ndërsa shfaqen si rebelë antagonistë me gjendjen ekzistuese, në fakt ata konformohen plotësisht me pikëpamjet dominuese duke fshehur projektet politike midis qëndrimesh dhe akrobacish retorike politikisht korrekte. Të gjitha këto i bëjnë pa u interesuar aspak mbi pasojat që aksioni i tyre politik sjell në realitet. Për ta, realiteti është diçka që duhet përmbysur, cilado qofshin pasojat.

 

Oportunizmi është dominues në shumicën e rasteve. Ata tregojnë se nuk e kanë për gjë të hidhen nga militimi në grupe të së majtës radikale, si p.sh. organizata MJAF, të financuara me para kapitalistësh ndërkombëtarë që shtypin e shfrytëzojnë proletariatin botëror, në lëvizje me prirje të thella nacionaliste, si p.sh. VETËVENDOSJE, apo në ndonjë dikaster në zyrat e shtetit duke këmbyer rolin e ideologut revolucionar me atë të burokratit të Rilindjes. Kapërcime të tilla tregojnë, në mënyrë interesante, sesa mban flluska e luftëtarit të ideve që pretendon të përmbysë sisteme e të ndryshojë rendin e shoqëror.
“Opiumi i intelektualëve”, ideologjia dhe mitet moderne të së majtës janë simulantët kryesorë të këtij fenomeni. Ideja se politika është instrumenti për të përmbysur rendin ekzistues, në mënyrë që mund të ndërtohet një e ardhme e ndritur, është një tundim i pashlyeshëm që do të përkëdhelë gjithmonë përfytyrimet intelektuale të shumë njerëzve. Për sa kohë janë ende të rinj, është e natyrshme ta fotografojnë virtualisht veten me beretën e Che Guevara-s mbi krye, në pritje të një shpërthimi revolucionar. Me kalimin e viteve, kur baruti squllet në pritje të momentit që nuk vjen kurrë, kthimi i revolucionarëve në tokë bëhet një shfaqje që të lë gojëhapur me akrobacitë që ata janë në gjendje të bëjnë.

Shqipëria është një vend ku përfytyrime të tilla janë mjaft të përhapura dhe do të duhet një debat i gjerë e i guximshëm për t’i kthyer gjërat me këmbë në tokë. Utopitë mund të shërbejnë si objekt krahasimi për të menduar edhe një herë mbi realitetin ku jetojmë, por kur përdoren si kritere të së vërtetës, ato mund të bëhen shkatërruese, duke vrarë çdo përpjekje njerëzore për përmirësimin e gjendjes, në emër të një përmbysjeje që nuk ndërton asgjë. Tridhjetë vjet tranzicion dhe gjysmë shekulli diktaturë duhet të na kishin dhënë përvojën e duhur për të mos besuar më në përmbysje që premtojnë parajsën mbi tokë.
Medius 8

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit