6.4 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

TIKA kontribuon në furnizimin e Ulqinit me ujë të pijshëm

Më të lexuarat

Donacioni me vlerë 20.000 i agjencisë turke TIKA do të lehtësojë dukshëm furnizimin e qytetit t e Ulqinit me ujë te pijshëm në këtë sezon turistik.

Mbështetja dhe ndihmat e ofruara nga Turqia nëpërmjet institucioneve të saj në Mal të Zi vlerësohen si një kontribut i rëndësishëm për shumë sektorë. Një ndër këto institucione që ofron prej vitesh kontributin e saj është edhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim(TIKA), duke mbështetur shumë sektorë me projekte që kapin vlerën disa milionë euro. TIKA prej vitesh ka realizuar një sërë projektesh në qytetin e Ulqinit.

Projekti i fundit që u mbështet nga TIKA ishte sigurimi i një pompe me kapacitet 35 litra në sekondë, që u montua në njërin nga burimet e ujësjellësit të komunës së Ulqinit. Tani në prag të sezonit turistik pompa do të përmirësojë furnizimin e qytetit me ujë të pijshëm.

Në ceremoninë e dorëzimit, krahas strukturave udhëheqëse komunale dhe përfaqësuesve të Ndërmarrjes Publike “ Veprimtaritë Komunale”, ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Turqisë në Podgoricë z. Serhat Galip, koordinatori i TIKA-s, Ahmet Altun, etj.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Nazif Cungu duke falënderuar përfaqësuesit e TIKA-s për këtë donacion tha se tani do të kemi një përmirësim të furnizimit me ujë. Ai njëkohësisht paralajmëroi dhe projekte të tjera që Ulqini do të realizojë falë mbështetjes nga ana e TIKA-s.

Koordinatori i TIKA-s Ahmet Altun tha se TIKA është dora që i jep ndihmë Malit të Zi, e qyteti i Ulqinit është mik i yni.

“…Qyteti i Ulqinit na u drejtua me kërkesë për të përmirësuar furnizimin me ujë të pijshëm dhe ne në këtë drejtim kemi reaguar me shpejtësi dhe sot me sukses është vënë në funksion pompa. Shpresoj se ajo do të përmirësoj situatën me ujë të pijshëm, sidomos kur kemi parasysh fillimin e sezonit turistik…”,- tha Ahmet Altun.

Koordinatori i TIKA-s, Ahmet Altun paralajmëroi edhe projekte të tjera për Ulqinin:

“…Prioritet është rikonstruimi i “Hamamit të Ali Pashës”, i cili po ashtu do të begatojë ofertën turistike të Ulqinit. Kemi në plan edhe rikonstruimin e “Xhamisë së Namazgjahut”. Për këtë projekt, përgatitjet teknike janë në fazën përfundimtare”,- tha Altun

Ambasadori i Turqisë z. Serhat Galip është mik i komunës së Ulqinit. Në këtë drejtim ai edhe për projektin në fjalë ka luajtur një rol të rëndësishëm. Z. Galip tha se “ është mirë që pompa u instalua para fillimit të sezonit turistik dhe muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Krahas Komunës së Ulqinit, TIKA është e pranishme pothuajse në të gjitha qytetet e Malit të Zi. Ajo ka paralajmëruar që në qytetin e Nikshiqit do të realizojë një projekt me vlerë prej 80.000 euro që do të lehtësojë dukshëm problemet e personave invalidë dhe me aftësi të kufizuara.

***

-Instituti “Yunus Emre” prezantoi kuzhinën turke në Podgoricë

Për të tretin vit me radhë Instituti “Yunus Emre” prezanton kuzhinën dhe specialitetet turke. Në darkën e rastit, të pranishmit e shumtë, përfaqësuesit e Korit Diplomatik, ata të institucioneve shtetërore dhe komunale, përfaqësuesit nga bota akademike, i përshëndeti Drejtori i Institutit Doc. Dr. Cihan Ozdemir, i cili tha “se ky aktivitet organizohet për të tretin vit me radhë dhe se prezantimin e kuzhinës turke në Podgoricë e sheh si pjesë e pasurisë së përbashkët”.

-Kuzhina Turke, një nga më të njohura në botë 

Ndërkaq, Ambasadori i Turqisë z. Serhat Galip në fjalën përshëndetëse tha se “kuzhina turke ka një traditë të gjatë dhe si e tillë paraqet njërën nga më të njohurat në botë”.

Ishte konstatim i përgjithshëm që kuzhina turke është njëra ndër kuzhinat më atraktive në botë për cilësi dhe shumëllojshmëri. Ushqimet karakteristike të Turqisë janë aq të shumëllojshme dhe të pasura sa mund të thuhet sigurisht se bëhet fjalë për një vend me tradita të jashtëzakonshme. Kjo kuzhinë, trashëgimtare e asaj Osmane është një nga më të famshmet dhe më të çmuara në botë. Panorama gastronomike e Turqisë,- u shprehën specialistët,- është e karakterizuar nga prezenca e shumë kuzhinave rajonale, shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, siç është i pamohueshëm fakti se kjo kuzhinë ka ndikuar në secilin prej këtyre vendeve.

***

-Sukses i sportistëve të Ulqinit në Garat Ballkanike në Stamboll

Në Stamboll u mbajt kampionati tradicional për fëmijë në sportin e karatesë. Në këtë eveniment sportiv u prezantua edhe klubi i karatesë “Albulena” nga Ulqini. Pjesëmarrësit duke shprehur falënderime për organizatorët, kishin arsye edhe për të festuar, pasi Ardian Gorana në kategorinë e grup-moshave 11 vjeç zuri vendin e tretë respektivisht me medalje bronzi. Në vendin e pestë u plasua Art Ujakshi.

Ekipet e ndryshme sportive dhe ata që merren me ruajtjen e traditave folklorike shpesh herë ftohen dhe marrin pjesë në evenimente të ndryshme që organizohen në qytete të ndryshme të Turqisë.

– Përgatiti për TRT në shqip nga Mali i Zi, Vera ALIBEGU KATANA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit