14.5 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Thirrje për dhunë apo strategji e timonit të hequr nga Basha

Më të lexuarat

Nga Fitim Zekthi

Mënyra e vetme me të cilën qeveria po i përgjigjet protestës së opozitës që prej një jave është sulmimi i saj si një protestë e drejtuesve të Partisë Demokratike, që synojnë të ndalin zbatimin e ligjit të vettingut. Edhe mjaft media dhe njerëz të shtypit janë rreshtuar me këtë qëndrim, duke thënë se protesta do të shuhet, PD do të hyjë në zgjedhje, koalicioni nuk do të prishet dhe ndërkombëtarët do të mbajnë anën e qeverisë.

Fjalimi i djeshëm i kryetarit të Partisë Demokratike, në të cilin ai tha si kundërpërgjigje ndaj largimit nga puna të një gruaje, vajza e të cilës mori pjesë në protestë, se do të shkulen zvarrë nga zyrat ata që abuzojnë me shqiptarët, se ata që duan luftë do të kenë luftë, shponi goma dhe thyeni xhama…etj., shërbeu edhe më shumë që shumica në qeveri dhe një pjesë e rëndësishme e mediave dhe opinionistëve të shfaqin ose zellin për të sulmuar protestën ose pamundësinë për të kuptuar se çfarë po ndodh.

Nuk tha aty askush që do të përmbyset me luftë qeveria apo që protestuesit do të vijnë me armë të sulmojnë qeverinë dhe qeveritarët. Thelbi ishte tjetër. Përballë një padrejtësie nuk ka neutralitet, njerëzit e pambrojtur nuk mund të jenë vetëm apo të harruar në duart e zyrtarëve apo qeveritarëve.

Desmond Tutu, peshkopi i madh afrikan, fitues i çmimit Nobel për paqe thotë se “të jesh neutral përballë një gjendjeje padrejtësie, do të thotë të jesh në anën e atij që bën padrejtësi. Në qoftë se një elefant ka vënë këmbën mbi bishtin e një miu dhe ti thua se do të rri neutral, miu nuk do ta vlerësonte këtë neutralitet”.

Për paradoks këto kohë janë vënë re qëndrime të çuditshme nga njerëz të ndryshëm dhe të rëndësishëm në media. Ata thonë se qeveria Rama është e korruptuar, se krimi është fuqizuar, se Rama nuk meriton të jetë kryeministër, por më mirë të rrijë ai se sa të vijë Basha dhe Berisha, të cilët sipas tyre do të jenë më të këqij. Ata nuk flasin për mundësinë që ka apo mundësinë që nuk ka vendi për të zhvilluar zgjedhje. Ata zgjedhin të jenë neutralë në lidhje me atë që vetë thonë për qeverinë, pra janë neutralë ndaj faktit që pohojnë vetë që “Rama nuk meriton të rrijë në qeveri, që qeveria është kriminalizuar etj”.

Analizat e tyre mbi Ramën si kryeministër që do marrë mandat të dytë, mbi PD-në që do të humbë dhe madje rrezikon të dalë e treta, mbi PD-në që do hyjë në zgjedhje se s’bën, mbi ndërkombëtarët që do ta dënojnë sjelljen e PD-së, mbi protestën që nuk do sjellë asgjë vuajnë gjithashtu ose nga zelli për të sulmuar protestën ose nga pamundësia për ta kuptuar atë.

Situata i ngjan një sistemi kompleks, ku disa parti në qeveri dhe disa në opozitë po luftojnë fort për interesat e tyre. Partitë në qeveri janë mbërthyer nga një luftë e egër që herët a vonë do çojë domosdo në eliminimin apo neutralizimin e njërës prej tyre, ndërsa opozita ka ndalur institucionet dhe është në rrugë.

Nasim Nikolas Taleb, një nga mendimtarët e rëndësishëm të botës së sotme thotë se ideja kryesore që duhet të kemi kur analizojmë një sistem është se e tëra sillet në mënyrë që nuk mund të parashikohet nga përbërësit e saj. Ndërveprimi ka rëndësi më të madhe se sa natyra e njësive që e përbëjnë. Ai këtë e quan cilësia “emergjente” e të tërës, pa të cilën nuk mund të flitet fare mbi ç’do të ndodhë.

Shumica në qeveri, njerëzit dhe mediat e saj të cilat janë një nga përbërësit e sistemit, nuk mund ta dinë kurrë se ç’do të ndodhë. Nga ana tjetër ata flasin nga premisa të një marksizmi të pastër. Në fakt historia është thellësisht kontingjente. Të gjitha ngjarjet e historisë lindin nga gjendje fillestare të veçanta ose nga gjendje të mëparshme të veçanta dhe janë kësisoj unike.

Stephen Gould, një profesor historie në Harvard thotë se “teksa këto gjendje të mëparshme janë në vetvete partikulare të historisë më shumë se sa janë domosdoshmëri prej ligjësisë, atëherë ne i shohim përfundimet e tyre në parim si të paparashikueshme”.

Kaq sa për qëndrimet qesharake të qeverisë apo analistëve mbi parashikimet e tyre se protesta do të dështojë dhe se opozita do të humbë etj. Për t’u kthyer përsëri te protesta si rrugë e vetme. Opozita dhe Lulzim Basha duket se po ndjekin strategjinë e njohur si “brinkmanship”.

Kjo lloj strategjie për shumë studiues shmangu luftën bërthamore mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Qeveria amerikane për të mos lejuar një sulm sovjetik mbi territoret e Europës pas krizës së Berlinit stacionoi trupa në kufi me Traktatin e Varshavës në formë zigzageje në mënyrë që futja në luftë ndaj BS-sa të mos varej nga SHBA-ja.

Në rast se BS-ja do vriste ushtarin atëherë SHBA nuk mund të mos hynte në luftë, ishte e detyruar, s’mund të kthehej pas. Po të mos kishte trupa në kufi atëherë do të ishte e vështirë të hyje në luftë me BS kur ajo të kishte pushtuar toka dhe SHBA duke iu druajtur luftës bërthamore mund të mos hynte në luftë. BS-ja nuk e vrau ushtarin dhe nuk pati luftë. Kjo taktikë u përdor me sukses edhe me raketat në Kubë.

Charls Krauthammer thotë se SHBA i hoqi timonin makinës duke ia treguar BS-së. Pra makina nuk mund të kthehej më dhe kundërshtari e dinte. Në këtë rast zgjidhja e vetme është që kundërshtari të tërhiqet.

Protesta e opozitës është saktësisht e tillë. Lulzim Basha i ka hequr timonin makinës. Kryeministri Rama duket se e ka kuptuar dhe kjo vihet re nga shqetësimi i tij ndërsa makina e tij e propagandës së bashku me atë vetë sillen sikur është ndryshe.

Një protestë nuk mund të jetë e suksesshme në qoftë se ajo nuk prodhon një problem të madh. Protesta e opozitës do të krijojë problemin e madh që janë zgjedhjet dhe mospjesëmarrja e opozitës në to në kushtet e tashme.

Vettingu është një përrallë kot e propagandës së qeverisë sepse qeveria ka në dorë ta bëjë vetëm atë, duke ndryshuar ligjin (që e ka bërë vetëm edhe tani, pa opozitën) meqë i ka 60% të votave. Çështja është se opozita nuk mund të emërohet apo shmanget.

Qeveria në qoftë se ka kuptuar fuqinë e makinës me timon të hequr mund të vazhdojë andrallat edhe për pak kohë. Asaj thjesht i mbetet të bëjë atë që bëri BS-ja: të tërhiqet. Nuk mund të jetë më e papërgjegjshme se sa byroja komuniste e BS-së.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit