4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Thirrja e jomyslimanëve në Islam

Më të lexuarat

Vlera e thirrjes në Islam:

Thirrja në fe zë një pozitë tejet të lartë në fenë Islame. Duhet ditur se thirrja është kumtim i porosisë së Allahut te njerëzit. Kjo ishte detyra e pejgamberëve dhe vazhdon të jetë angazhimi i atyre njerëzve, të cilët Allahu i nderoi me dije.

Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për të, ishte ai që mbajti flamurin e thirrjes dhe e kreu atë detyrë ashtu si i ka hije. Allahu i Lartësuar na tregon: “O Pejgamber, Ne të dërguam ty si dëshmues, lajmëtar, përgëzues, qortues dhe thirrës në Allah, me lejen e tij. Ty të bëmë dhe pishtar ndriçues”. (Ahzab 45-46).

Ai, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për të, vërtetë kumtoi porosinë, çoi amanetin në vend, këshilloi njerëzimin dhe u mundua për Allahun aq sa mundi derisa e takoi Allahun, kur më gadishulli Arabik tërësisht kishte hyrë në Islam.

Pas tij, këtë flamur e morën shokët e tij, të cilët e kryen me sukses këtë detyrë, duke dhënë tërë mundin për ta kumtuar thirrjen në Allah te të gjithë njerëzit, në lindje dhe perëndim. Pas tyre, flamurin e morën tabiinët (gjenerata e dytë), të cilët çliruan shumë vende dhe shumë të tjera u nënshtruan.

Ja sot, ne po shohim përreth gjurmën e punës së tyre. Jemi duke parë se Islami është përhapur kudo, në lindje e perëndim dhe në jug e veri. Kjo nuk do të ndodhte sikur ata, të mos jepnin mundin dhe sakrificat e shumta në rrugën e thirrjes për në fenë e Allahut.

Kur e shohim këtë, mësojmë se sa e madhe është përgjegjësia jonë për Islamin, mësojmë se e kemi detyrë fetare që ta realizojmë atë që e kanë filluar të parët tanë dhe mësojmë se edhe ne duhet thirrur njerëzimin në këtë fe madhështore.

Gjithë kësaj i bashkëngjitet bindja se Islami është fe botërore, e cila duhet kumtuar tërë njerëzimit. Islami është feja me të cilën është i kënaqur Allahu për njerëzimin. Ai ka thënë: “Fe e pranuar tek Allahu është Islami”. (Ali Imran 19). “Kush kërkon fe tjetër nga Islami, ajo është e papranuar…”. (Ali Imran 85). “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin si fe…”. (Maide 3).

Pra, nuk ka fe të pranuar përveç Islamit, kjo d.m.th. të kemi bindjen se të gjithë jomyslimanët duhet të thirren në Islam dhe ngarkesa e kësaj thirrje është mbi supet tona.

Po ashtu, me thirrjen tonë në këtë fe realizojmë mirësinë, të cilën Allahu ia përshkroi besimtarëve që thërrasin në fe: “Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për njerëzimin, kur të urdhëroni në të mira, të ndaloni nga të këqijat dhe të besoni Allahun”. (Alu Imran 110).

Që këtu, shohim se nga të gjithë pjesëtarët e kësaj feje kërkohet përhapja e Islamit. Të gjithë e kanë detyrë që në këtë çështje, ta kenë shëmbëlltyrë Muhamedin, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për të. Ata gjithashtu duhet të përgatiten për dhënie dhe sakrificë në rrugëtimin e përhapjes së kësaj feje në çdo pjesë të tokës.

Themelet e thirrjes në Islam:

Mirë ama, cilat janë themelet mbi të cilat mund ta bëj këtë thirrje?

Vërtet, ka disa themele, të cilave duhet dhënë shumë rëndësi gjatë thirrjes në Islam. Shkurtimisht mund t’i numërojmë:

  1. Mbjellja e dashurisë së Allahut në zemrën e atij të cilin e thërret dhe të kujdesesh sinqerisht për këtë farë të besimit derisa të rritet dhe të piqet. Kjo është e nevojshme sepse, përqendrimi në Islam kërkon realizim detyrash dhe bartje përgjegjësi, të cilat nuk mund t’i bëjë njeriu përveç nëse zemrën e ka të mbushur me dashuri të Allahut, dëshirë të shpërblimeve dhe frikë nga dënimi. Këndi që më tepërmi ndihmon këtë aspekt është thellimi në kapitullin: emrat e bukur dhe cilësitë e larta të Allahut. Gjithashtu përqendrim të veçantë kërkon edhe mësimi se kjo jetë nuk është asgjë përpos një botë kalimtare për në botën e përhershme, se atje është jeta pas vdekjes dhe atje bëhet llogaritja e të mirave dhe të këqijave: bamirësi do të shpërblehet për të mirat që i ka bërë, ndërsa mëkatari do të dënohet për të zezat që i ka bërë.
  2. Dhënia shembull dhe shëmbëlltyra prej anës tënde. Dije bindshëm se, vepra ka ndikim më të madh se fjala dhe fjala e shoqëruar me vepër vendoset thellë në zemër dhe shpirtin e tjetrit. Dije se, Islami nuk është përhapur në botë me asgjë më shumë sesa me moral, me të cilin kanë qenë të zbukuruar tregtarët, që kanë udhëtuar anekënd botës. Gjithashtu, përkujto sa i ka qortuar Allahu njerëzit të cilët veprojnë ndryshe nga ajo që flasin: “A po urdhëroni të tjerët në mirësi, e veten tuaj po e harroni ndërsa ju jeni ata që e lexoni Librin, a nuk po mendoni”. (Bekare 44). Pra, detyrimisht fjalët dhe veprat tua duhet të jenë në pajtim, kur thërret në Islam.
  3. Ndjekja e metodës më të bukur gjatë thirrjes në Islam dhe shfaqja e afërsisë me atë që je duke e thirrur. Bindu se prej natyrshmërisë se njeriut është ta dojë secilin që na bën mirësi. Ndërsa, vrazhdësia gjatë thirrjes shpesh herë mund të shkaktojë mendjemadhësi, këmbëngulje dhe inat. Po veprove ashtu, do të kesh rezultate krejtësisht të kundërta nga ato që shpreson.
  4. Të dish se çdo rast kërkon sjellje të veçantë. Ndodh që, një metodë të jetë e suksesshme me një person por e dështuar me tjetrin. Madje ndodh të ketë sukses një metodë të një person në një kohë të caktuar, por e njëjta metodë te i njëjti person do të dështojë në kohë tjetër. Nga kjo mësojmë se patjetër duhet ta njohim personin që jemi duke e thirrur në Islam. T’i njoftojmë mendimet e tij, kuptimet dhe paragjykimet eventuale.
  5. Mos i përshpejto rezultatet. Ti je i urdhëruar të thërrasësh në Islam e nuk je i detyruar ta presësh frytin e kësaj thirrje në këtë dynja. Nëse ka rezultate të shpejta nga thirrja jote, falënderoje Allahun për këtë. Mirëpo, nëse vonohen rezultatet e thirrjes tënde dhe nuk sheh asnjë fryt, mos lejo dëshpërimin të depërtojë në zemrën tënde. A e di se ditën e Kiametit, do të ketë pejgamberë që do të vijnë vetmas, pa asnjë pasues. Pra, e rëndësishmja është të japësh mundin tënd, e jo të presësh rezultatin.
  6. Durimi gjatë vështirësive të davetit. Vazhdimisht përkujtoje fjalën e Llukmanit, që ia tha birit të vet: “O biri im, fale namazin, urdhëro në të mira, largo nga të këqijat dhe duroje atë që të godet, vërtet, këto janë çështjet më të preferuara”. (Lukman 17) Këtu shihet qartë se pas urdhrit për të porositur në të mira dhe për të ndaluar nga të këqijat, e urdhëroi që të ketë durim. Rruga e davetit nuk është e shtruar me trëndafila, andaj duhet kalitur shpirtin në këtë gjë që nga fillimi, ashtu që mos të të ndodhë të ikësh nga kjo rrugë, që nga sprova e parë.
  7. Sakrifikimi me pasuri dhe kohë në rrugën e kësaj thirrje. E ke detyrë që, dobisë fetarë ti japësh përparësi para çdo dobie tjetër. Duhet ta kundërshtosh thënien: “Ai që është i mirë për shtëpi, është edhe për komshi”. Kjo thënie në shikim të parë nuk ka të keqe, mirëpo ajo synon që njeriu të kujdeset vetëm për gjërat personale, e të mos interesohet për të tjerët. Në kokën tënde le të thellohet kjo thënia: “Kush është i mirë me Allahun, është edhe me të gjithë”.

Si fund… këto janë vetëm disa pika, me të cilat desha të zgjoj kureshtjen e atyre që duan të thirrin në fe. Gjithë ne duhet të vetëdijesohemi se rolin më të madh për këtë e kemi ne, më shumë se çdokush tjetër. Sepse, nga ne që dimë më tepër se një gjuhë është më se e kërkuar të ecim rrugës së thirrjes në Islam, t’i njoftojmë njerëzit me të, t’i njoftojmë me Muhamedin, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për të, etj.

Në këtë kohë të internetit dhe përparimit të madh teknologjik është bërë shumë i lehtë dhe i shpejtë kontaktimi me të tjerët. Pse, secili nga ne të mos merr përgjegjësinë për një person, të cilin do ta njoftojë me Islamin duke këmbyer letra në vazhdimësi, me qëllim të realizimit të këtij qëllimi madhor?!

Po ashtu, shpresoj që secili që ka ndonjë përvojë të suksesshme në këtë sferë, të na shkruajë, me qëllim të përhapjes së përvojës dhe dobive. Kjo është me rëndësi dhe kështu ndihmojmë njëri-tjetrin në të mira dhe devotshmëri…

Shkroi: Muhamed Hasen Jusuf

Përshtati: Omer Berisha

www.albislam.com

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit