“The Washington Post” boton shkrimin e fundit të Khashoggit përpara zhdukjes: si po na mbyllet goja!

0
45

he Washington Post ka publikuar një shkrim të gazetarit dhe publicistit të zhdukur saudit Jamal Khashoggi, në të cilin ai thotë se qeverive të Lindjes së Mesme “u është lënë dorë e lirë për t’ua mbyllur gjithnjë e më shumë gojën mediave”.  

E përditshmja Washington Post e botoi shkrimin në fjalë të mërkurën, më shumë se dy javë pasi Khashoggi u pa për herë të fundit duke hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, si dhe vetëm pak orë pasi u pretendua në një raportim të frikshëm të gazetës turke Yeni Safak, se zyrtarët sauditë ia kanë prerë atij gishtat e më pas i kanë prerë edhe kokën brenda konsullatës, teksa e fejuara e priste përjashta. Qeveria saudite si dhe princi i kurorës, Mohamed bin Selman kanë mohuar çdo aludim për përfshirjen e tyre në këtë ngjarje.

Në një shënim të vendosur në krye të shkrimit, redaktorja e rubrikës Post Global Opinions, Karen Attiah thotë se asaj i është dërguar shkrimi në fjalë nga përkthyesi dhe asistenti i Khashoggit, një ditë pas njoftimit për zhdukjen e tij. Khashoggi nisi të shkruante në rubrikën e opinioneve të së përditshmes The Washington Post në shtator të vitit 2017. Shkrimet e tij kishin në qendër kritikat ndaj princit dhe qeverisjes së Mbretërisë Saudite.

Në shkrimin me titull “Botës arabe i nevojitet më së shumti fjala e lirë”, Khashoggi rrëfen burgosjen e një shkrimtari të njohur, që kishte folur kundër qeverisjes saudite, si dhe përmend një ngjarje, ku qeveria egjiptiane kishte marrë në dorë kontrollin e një gazete.

“Këto akte nuk shihen më me sy të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar. Ato shoqërohen me censurë e menjëherë më pas edhe me heshtje”- shkruan ai.

“Në këtë mënyrë, qeverive arabe u është lënë dorë e lirë që t’ua mbyllin gojën mediave gjithnjë e më shumë”, vazhdon ai.

Presidenti Donald Trump, i cili në fillim reagoi ashpër ndaj qeverisë saudite për ngjarjen, por që më pas u zbraps, deklaroi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara i kërkonin Turqisë që t’u dorëzonte të gjitha regjistrimet në audio apo video, që ajo ka në lidhje me vrasjen e pretenduar të Khashoggit.

Në shkrimin e tij, Khashoggi, i cili u largua për në Shtetet e Bashkuara pas ardhjes në qeverisje të Princit të Kurorës, flet gjithashtu edhe për praktikën e përdorur nga qeveritë e Lindjes së Mesme, atë të bllokimit të internetit, në mënyrë që të kontrollojnë maksimalisht informacionin që shihet nga shtetasit e tyre.

“Bota arabe po përballet me versionin e saj të ‘Perdes së hekurt’, e imponuar kjo, jo nga faktorë të jashtëm, por nga strukturat vendase që rivalizojnë për pushtet.”- shkruan Khashoggi.

Ai lavdëron të përditshmen The Washington Post për përkthimin që u ka bërë shumë prej shkrimeve të tij nga anglishtja në arabisht dhe thotë se është e rëndësishme që shtetasit e Lindjes së Mesme të mund të lexojnë për demokracinë që ekziston në Perëndim. Ai thotë gjithashtu, se është e një rëndësie jetike që arabët të kenë një platformë, ku zërat e tyre të mund të dëgjohen.

“Ne vuajmë nga varfëria, keqqeverisja dhe nga mungesa e arsimimit”, shkruan Khashoggi. “Nëpërmjet themelimit të një forumi të pavarur ndërkombëtar, larg ndikimit të qeverive nacionaliste që përhapin urrejtje përmes propagandës, njerëzit e zakonshëm në botën arabe do të mund të adresonin problemet strukturore me të cilat përballen shoqëritë e tyre”, shprehet ai.

“E përditshmja The Washington Post priti pak kohë përpara se ta publikonte shkrimin e fundit të Kashogit, me shpresën se ai do të rishfaqej”, thotë Attiah. “Por tashmë më duhet ta pranoj, se kjo gjë nuk ka për të ndodhur”, shton ajo.

Ajo e mbyll shënimin e saj duke thënë: “Ky shkrim tregon më së miri angazhimin dhe pasionin e Khashoggit për lirinë në botën arabe, liri për të cilën, me sa duket, ai dha edhe jetën e tij. Do t’i jem përjetësisht mirënjohëse që ai zgjodhi The Washington Post, si strehën e tij të fundit gazetareske, rreth një vit më parë, e që na e dha mundësinë për të punuar me të.” /tesheshi.com/