11.3 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Thaçi realizon një “takim të suksesshëm” në SHBA, Haradinaj asnjë

Më të lexuarat

Hashim Thaçi udhëtoi të martën drejt Uashingtonit, kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit një ditë më vonë. Por, pas përfundimit të kësaj ceremonie Presidenti i Kosovës pati kohë të takohej me zyrtarë e diplomatë amerikanë.

Thaçi njoftoi përmes rrjetit social Facebook për “dy takime të suksesshme” që zhvilloi sot në Uashington.

Ai u takua me kongresmenin demokrat Elliot Engel dhe diplomatin William Walker. Që të dy këta janë personalitete me të cilët më parë janë takuar dhjetra politikanë të tjerë nga Kosova.

Walker e Engel vijnë shpesh në Kosovë. Për herë të fundit, të dy kishin qenë në Kosovë gjatë vitit të kaluar, raporton Insajderi. Të dyja këto takime, të zhvilluara ndaras me dy personalitetet amerikane, Thaçi i promovoi në rrjetin social Facebook.

Për takimin me Walkerin, deklaroi se është kënaqësi të bisedonte me të për aspiratat e shtetit të Kosovës.

“Në SHBA, Kosova ka shumë miq. Është kënaqësi të bisedosh për të arriturat dhe aspiratat e shtetit të Kosovës me njerëzit që e kanë në zemër dhe punojnë për të, siç është z. William Walker”, deklaroi Thaçi. “Në prag të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e kujtojmë me mirënjohjen më të thellë angazhimin e tij për Kosovën, si në vitin 1999, ashtu edhe sot”.

Por, jo më larg se para një muaji, Walker kishte refuzuar të dekorohej nga Thaçi. Kishte deklaruar se ka dallime të mëdha mes tij dhe presidentit të Kosovës.

“Nuk është që kam refuzuar, por më është kërkuar nëse do të pranoja dhe për disa arsye kam thënë jo, për momentin jo, nuk jam i gatshëm të pranojë një dekorim nga Thaçi. Kemi dallime unë dhe ai”, kishte deklaruar Walker, më 15 janar të këtij viti.

Madje, Walker kishte treguar haptazi se ai nuk është aspak admirues i Thaçit. Ai kishte thënë se Thaçi di vetëm t’i mbajë të kënaqur ndërkombëtarët.

“Ai është burrë i pashëm, por nuk jam admirues i tij, e vetmja gjë që Thaçi di të bëjë, është që t’i mbajë të kënaqur ndërkombëtarët”, kishte thënë Walker.

Ndërkaq, në SHBA po qëndron edhe Ramush Haradinaj. Por, për dallim nga presidenti Thaçi, kryeministri kosovar nuk ka zhvilluar asnjë takim me zyrtarë të lartë të shtetit amerikan.

Zyra e Kryeministrit Haradinaj, së paku deri në këto çaste, nuk ka njoftuar për ndonjë takim të kryeministri Haradinaj në Uashington.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit