12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Thaçi: “Kushdo që është terrorist në Turqi, edhe për Kosovën është terrorist”

Më të lexuarat

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se “Dhuna asnjëherë nuk mund të zavendësojë vullnetin e popullit. Kushdo që është terrorist në Turqi, edhe për Kosovën është terrorist”, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi, pas takimit kokë më kokë me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe atë mes delegacioneve në rezidencën presidenciale, në konferencën e përbashkët për media shprehu kënaqësinë që ndodhet në Turqi dhe nga fakti që kanë konfirmuar miqësinë e tyre.

Duke rikujtuar se menjëherë pas tentativës për grusht shtetit të Organizatës Terroriste FETO më 15 korrik kanë qenë në solidaritet me Turqinë, Thaçi u shpreh:

“Dhuna asnjëherë nuk mund të zavendësojë vullnetin e popullit. Kush do që është terrorist në Turqi, edhe për Kosovën është terrorist. Qoftë në Prishtinë, Ankara, Bruksel ose New York, terorristi është terrorist. Këtë luftë mund ta fitojmë së bashku. Askush nuk mund ta bëjë vetë. Sepse terrorizmi nuk ka fe dhe komb” tha Thaçi, duke rikujtuar se Kosova është pjesë e koalicionit të themeluar kundër terrorizmit.

Thaçi më tej tha se me presidentin Erdoğan kanë zhvilluar takim shumë të dobishëm, duke kujtuar se Turqia është investitori i tretë më i madh në Kosovë. Thaçi theksoi se në takimet të cilat i ka zhvilluar sot me biznismenët, i ka ftuar të investojnë në Kosovë.

Presidenit i Kosovës Thaçi gjithashtu potencoi se e ka informuar presidentin Erdoğan në lidhje me ligjin të cilin e kanë miratuar në Kosovë në lidhje me investimet strategjike dhe tha se ata të cilët duan të investojnë në Kosovë do të përballen me më pak burokraci dhe do të kenë dobi më të mëdha.

Thaçi, duke e falënderuar Erdoganin për mbështetjen e dhënë për anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, e falënderoi paraprakisht Turqinë për mbështetjet që do të t’i japë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropian dhe UNESCO.

“Jemi duke punuar shumë për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike”, u shpreh Thaçi.

Duke treguar se Kosova është njohur nga 113 shtete, Thaçi më tej vazhdoi se “Njohja nga këto shtete është realizuar në mënyrë direkte nga përpjekjet e Turqisë, gjë për të cilën jam falënderues”.

Në një pyetje rreth kritikave që ka marrë për vizitën e tij në Turqi, presidenti Thaçi theksoi:

“Ata janë naivë dhe injorantë. Marrëdhëniet tona janë në nivel të shkëlqyer. Për mua, kjo është vizita më e rëndësishme e vitit 2016. Miku im i nderuar Erdoğan është lideri i parë në botë që më ka thirrur në telefon para shpalljes së pavarësisë dhe më ka uruar. Jam mirënjohës për këtë. Gjithashtu, Turqia është ndër vendet e para që ka njohur Kosovën”.

Thaçi rikujtoi se kombëtarja e Kosovës ndodhet në grupin e njëjtë me atë të Turqisë në eliminatoret për Botërorin 2018 në futboll, duke i uruar më tej suksese Turqisë.

Presidenti Thaçi në fund e ftoi homologun e tij Erdoğan në Kosovë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit