7.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Tërmeti në Shqipëri, ndalohen nga policia disa persona

Më të lexuarat

Policia e Shqipërisë ka ndaluar disa persona, si zyrtarë të institucioneve, ish-zyrtarë dhe ndërtues dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale në lidhje viktimat dhe dëmtimet e ndërtesave nga tërmeti i 26 nëntorit që shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës në një deklaratë për mediat ka konfirmuar se në bazë të provave të grumbulluara, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, lëshoi 17 urdhra ndalimi, nga të cilat, 9 prej tyre janë ekzekutuar dhe vijon puna për ndalimin e personave të tjerë.

“Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit. Theksojmë faktin se disa prej personave, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi janë larguar jashtë shtetit menjëherë pasi ra tërmeti”, thuhet në deklaratë.

Personat e ndaluar akuzohen ndaras për vepra të ndryshme penale si “Vrasje me dashje”, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Më tej thuhet se “Policia e Shtetit, menjëherë pas rënies së tërmetit në orët e para të mëngjesit të datës 26 nëntor, kaloi në gatishmëri dhe u përfshi në operacionet e kërkim-shpëtimit. Në këto operacione u angazhuan 4.012 forca policore, në Durrës, Tiranë e Lezhë”.

Tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, përveçse shkaktoi 51 persona të vdekur dhe qindra të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulturore, shkolla dhe objekte të institucioneve./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit