7.2 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Tërmeti katastrofik/ Shemben 39 objekte të krisura, edhe 180 të dëmtuara rëndë

Më të lexuarat

Në Qarkun e Durrësit, deri në mesditën e djeshme, 8 dhjetor, u prishën 39 objekte të konsideruara të pabanueshme.

27 prej tyre në qytetin e Durrësit, 2 në fshatin Bubq të Krujës dhe 10 të tjera në Thumanë. Nga verifikimet e deritanishme, në qytetin e Durrësit, ku ishte dhe epiqendra e tërmetit 6.4 ballë, janë verifikuar dhe gjetur se janë dëmtuar rëndë 36 banesa dhe 9 pallate, ndërkohë, në shkallën të lehtë janë dëmtuar 182 banesa dhe 99 pallate. Në qytetin e Krujës janë gjetur të dëmtuara rëndë deri më tani 104 banesa dhe 75 të tjera të dëmtuara lehtë. Ndërkohë, në Lezhë janë gjetur të dëmtuara rëndë 31 objekte dhe 135 të dëmtuara lehtë.

“39 objekte të prishura gjithsej. Lista e objekteve të prishura në Durrës, gjithsej: 27 objekte. Lista e objekteve në fshatin Bubq, Bashkia Krujë, gjithsej: 2 objekte . Lista e objekteve të prishura në Thumanë, gjithsej: 10 objekte”, njoftoi dje Zyra e Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore. Në një dalje dy ditë më parë, zëvendësministrja Rovena Vodo sqaroi edhe mënyrën e shënjimit të objekteve të dëmtuara lehtë ose rëndë nga tërmeti. “Nëse objekti shënjohet me ngjyrë të gjelbër ka dëmtime të lehta, nëse shënjohet me të verdhë ka dëmtime mesatare dhe me ngjyrë të kuqe, banorët duhet të evakuohen.

“Kërkoj vëmendjen tuaj për një sqarim lidhur me sinjalistikën për shkallët e vlerësimit të dëmit në banesa nga grupet e inspektim-vlerësimit në terren: Ngjyra e gjelbër tregon se objekti ka dëmtime të lehta dhe është i banueshëm. Ngjyra e verdhë tregon se objekti ka dëmtime mesatare dhe nuk është i banueshëm derisa të riparohet, ndërsa ngjyra e kuqe tregon se objekti është në rrezik dhe se banorët duhet të evakuohen”, tha Voda.

AKOMODIMI

Në po të njëjtin bilanc të objekteve të dëmtuara, bëhet e ditur se 4200 banorëve që janë të akomoduar në hotele, po u dorëzohen nga ekspertët akt-konstatimet e objekteve për shtëpitë dhe apartamentet të cilat janë të banueshme. “Në këtë mënyrë, banorët nuk vijnë në institucione për të mësuar mbi rezultatin e aktkonstatimit, por shkojnë vetë ekspertët në hotelet ku janë akomoduar”, shkruhet në njoftim. Për sa i përket kampit të Manzës, 81 banorë jetojnë tashmë në njësitë lëvizëse të strehimit në Manzë, ndërkohë që vijon puna për t’iu ofruar kushte më të mira dhe shërbime shëndetësore.

Disa banorë kanë ofruar shtëpitë të tyre dhe po strehojnë përkohësisht banorët e prekur nga tërmeti që jetonin në kamp. Po ashtu, tri familje kanë zgjedhur të shkojnë në shtëpi me qira, për të cilat Shtabi i Emergjencës ka ofruar shërbime dhe transport falas. Janë kryer 4 mijë e 664 vizita në njësitë akomoduese, ku janë vendosur qytetarët që kanë mbetur të pastrehë nga tërmeti. 1213 qytetarë janë vaksinuar me vaksinën antigrip në Durrës, Krujë, Lezhë dhe Vorë dhe 533 të sëmurë kronikë të strehuar në qendrat e akomodimit, të cilëve u është mundësuar ofrimi i bamave me rimbursim.

TËRMETI

Tërmet 6.4 ballë shkundi Shqipërinë mëngjesin e së martës, më 26 nëntor, ndërsa kjo goditje ishte paraprirë dhe u pasua me goditje të tjera më të vogla. Pasojat e këtij tërmeti, më i fuqishmi i 40 viteve të fundit, ishin fatale për shumë persona, ndërsa të plagosur mbetën dhjetëra të tjerë. Duke iu referuar komunikimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, goditja fatale u shënua në orën 03:55 me epiqendër në Durrës, ku pasojat janë edhe më të mëdha.

Para kësaj goditjeje, që shkaktoi panik, në orën 22:00 të së hënës dhe 03:20 të së martës, dy tërmete të tjera kishin lëkundur vendin, por pa dëme. Lëkundja e orëve të para të mëngjesit nxorën në rrugë qytetarët, ndërsa burime zyrtare thanë se ato u ndjenë në disa qytete të vendit. Kujtojmë se në shtator të këtij viti, një tjetër tërmet i fuqishëm, 5.8 ballë, goditi Durrësin, duke dëmtuar banesa e pallate, por fatmirësisht pa dëme në njerëz.

BASHKIA DURRËS
Banesa të dëmtuara lehtë (të banueshme) 181
Pallate të dëmtuara lehtë (të banueshme) 99
Banesa të dëmtuara rëndë (të pabanueshme) 36
Pallate të dëmtuara rëndë (të pabanueshme) 9
BASHKIA KRUJË
Banesa të dëmtuara lehtë (të banueshme) 75
Banesa ti dëmtuara rëndë (të pabanueshme) 104
BASHKIA LEZHË
Objekte të dëmtuara lehtë (të banueshme) 135
Banesa të dëmtuara rëndë (të pabanueshme) 31

Prokuroria, nën hetim dëmet e ndërtesave

Prokuroritë në tri qytete, Durrës, Tiranë dhe Krujë, kanë nisur hetime për pasojat e rënda të tërmetit. Zyrtarisht është bërë e ditur se hetimet janë duke u zhvilluar për “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim pa leje”.

Hetuesit kanë kërkuar dokumentacionin e ndërtesave të dëmtuara dhe atyre të shembura që krijuan edhe viktima. Hetuesit thonë se ka dyshime se pasojat e rënda të këtij tërmeti janë shkaktuar ndër të tjera edhe si shkak i ndërtimeve pa leje, si dhe ndërtimeve të kryera pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimeve.

“Dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në vdekjen e njerëzve kanë ardhur edhe si shkak i ndërtimeve pa leje, si dhe ndërtimeve të kryera pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimeve. Po kështu, ka dyshime se këto pasoja kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes apo moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudatorë të këtyre ndërtimeve, si dhe nga moskryerja e detyrës nga nëpunësit shtetërorë dhe publikë”, shkruhet në urdhër./PANORAMA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit