10 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Teoritë konspirative: përse kaq shumë amerikanë besojnë se Islami është ideologji politike e jo besim

Më të lexuarat

Për shumë amerikanë, urdhëri ekzekutiv i Trump për emigracionin ishte një rast i qartë i diskriminimit fetar pasi veçonte vendet me shumicë muslimane dhe jepte trajtim preferencial për refugjatët jo-muslimanë nga këto vende.

Pasojat duket të jenë se ndërsa mban premtimet e fushatës, presidenti Trump do të bëjë që Shtetet e Bashkuara të klasifikojnë njerëzit në kufij bazuar në besimin e tyre.

Për pjesën tjetër të amerikanëve, urdhëri ekzekutiv mund të mos duket rasti i diskriminimit fetar – jo për shkak se politika nuk diferencon midis muslimanëve dhe jo-muslimanëve, por për shkak se ata janë skeptikë se Islami është në të vërtetë një besim fetar.

Ndërsa argumentojnë këtë qasje, analistët në Shtetet e Bashkuara sjellin një shpjegim sesi shumë njerëz në Amerikë besojnë se kur përballen me Islamin, nuk kanë të bëjnë me besim, por me ideologji.

Nëse përfshin në kërkimin në Google, besimet dhe politikën, është mjaft e lehtë të ndeshësh në faqe të tilla interneti si PoliticalIslam.com, që pretendojnë se përdorin “metoda statistikore” për të provuar se “Islami është shumë më tepër një sistem politik sesa një besim fetar”.

Argumenti del nga internet nëpërmjet teorive konspirative. “Kur diskutojmë Islamin, duhet të kemi parasysh se po flasim si për një besim fetar ashtu edhe për një ideologji social-politike”, shkruante ish-ndihmësi i kryeprokurorit, Andrew C. McCarthy në “National Review” në vitin 2015.

“Islami nuk është madje, një besim fetar: është një sistem politik që përdor Perëndinë për të avancuar në axhendën e tij të pushtimit global”, thotë John Bennett, ligjvënës republikan në legjislaturën e shtetit të Oklahomës, në vitin 2014.

Një pastor evangjelist, i arsimuar dhe i ditur, nuk mendon ndryshe: “liria fetare ka nevojë të mbrohet për të gjitha sistemet e besimit, por gjithashtu ka nevojë të sqarohet nëse Islami është tërësisht një besim fetar, apo në të vërtetë është një lëvizje politike e maskuar si besim”.

Kjo ide ka pasues edhe në nivelet më të larta të pushtetit. “Islami është një ideologji politike që fshihet pas nocionit të të qënit besim fetar”, tha në konferencën “Vepro për Amerikën”, verën e shkuar në Dallas, këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Flynn.

Popullariteti në rritje i kësaj ideje flet për një shkëputje të thellë në diskursin amerikan rreth besimit – dhe ofron një mënyrë që shumë avokatë të vetë-reklamuar të lirisë fetare të mund të mbrojnë politikat diskriminuese kundër muslimanëve.

Eshtë e vështirë të mendohet për një përcaktim të besimit që nuk përfshin Islamin – një traditë e lashtë me praktikantë që besojnë në një Zot, falen dhe përpiqen të jetojnë jetët e tyre në përputhje me shkrimet e shenjta.

Pra, si ka mundësi që është përhapur kaq shumë kjo paraqitje e rremë?

Wajahat Ali, shkrimtar e avokat dhe autori i “Fear, Inc.,”, raportit për islamofobinë amerikane, e gjurmon rritjen e kohëve të fundit të kësaj ideje tek aktivistët anti-Islam, David Yerushalmi dhe Frank Gaffney. Në vitin 2010, qendra për Politikat e Sigurisë që drejtohet nga Gaffney publikoi një raport të titulluar: “Sharia: kërcënimi për Amerikën”, ku argumenton se ligji fetar musliman, apo Sharia (ndryshe Sheriati – sh.r.) ishte praktikisht një ideologji e rrezikshme politike që një grup komplotistësh muslimanë donin ta vendosnin në Shtetet e Bashkuara.

“Edhe pse sigurisht ka në të elementë spiritualë, do të ishte gabim të mendonim për Sharian si për një kod ‘fetar’ në kuptimin perëndimor”, argumentonte raporti. Në të sugjerohej gjithashtu ndalimi “i emigracionit të atyre që pranojnë sharian… ashtu sikundër është bërë më parë me mbështetësit e ideologjisë së komunizmit”.

“Ata e keqpërcaktojnë sharinë në një mënyrë që bëhet e paidentifikueshme për asnjë musliman praktikant”, thotë Ali. Por, ideja ka fituar ndikim. Deri në verën e vitit 2011, më shumë se dy dyzina shtetesh po merrnin në konsideratë miratimin e legjislacionit kundër sharias. Më së fundmi, Gaffney raportohet se ka këshilluar ekipin Trump të tranzicionit.

Për shumë amerikanë, konfuzioni për ligjin fetar, ideologjinë politike dhe Sharian mund të reflektojë një mënyrë të menduari dukshëm kristiane, dhe sidomos protestante.

“Eshtë e vështirë të flasësh për këto ndonjëherë, për shkak se nuk ka ekuivalent të Sharias në traditën e krishterë”, thotë Shadi Hamid, studiues në Institutin Brookings dhe autorin e librit “Veçanësia Islame: si po e riformëson botën beteja për Islamin”.

“Madje, edhe kur bisedon me njerëz mirëdashës, që kuptojnë shumë dhe që vërtet janë të prirur të kuptojnë, shpjegimi i Sharias është shumë sfidues, për shkak se nuk ka asgjë të ngjashme në Krishtërim”.

Ky kod ligjor e fetar me një spektër të gjerë mund të mos jetë familjar për shumë të krishterë, por nuk është unik vetëm në Islam. Sharia ka ngjashmëri të forta me ligjin hebraik, apo Halakhah, që në vetvete rrjedh nga seksione legalistike të Biblës, që si hebrenjtë ashtu dhe të krishterët e konsiderojnë shkrim të shenjtë. Të dyja fjalët rrjedhin nga rrënjë që duan të thonë “rrugë” apo “mënyrë”.

Judaizmi gjithashtu, është akuzuar se është më shumë pjesë e një programi politik sesa besim fetar. “Protokollet e Pleqësisë së Zionit”, një falsifikim me ndikim anti-semit, përshkruan në mënyrë të rreme judaizmin si “të vërtetën e vetme si të vërtetë fetare e politike”

Si Sharia ashtu edhe Halakhah përfshijnë ligje për rregullimet e përbashkëta dhe ato të jetës personale. Këto tradita nuk vijëzojnë domosdoshmërisht dallime të forta ligjore midis vendeve të besimit dhe atyre të tjera.

Sigurisht, disa muslimanë besojnë se besimi prek të gjithë pjesët e jetës së tyre, përfshirë edhe angazhimin politik. Por e njëjta mund të thuhet edhe për anëtarët e devotshëm të pothuajse gjithë traditave të tjera fetare.

Ngatërresa e besimit dhe politikës nuk është unike për Islamin. Mund të marrim në konsideratë tele-evangjelistin Pat Robertson, që kandidoi për president në vitin 1988 për shkak, se ai besonte, Zoti donte që ai ta bënte këtë hap. Pasi humbi, Robertson shkroi për shpresën e tij që “një nga partitë e mëdha të Amerikës të merrte një qasje të thellë kristiane në platformën dhe strukturat e saj”.

Ideja e Islamit si një ideologji politike përshtatet mirë me momentin tonë të veçantë politik. Që nga rënia e komunizmit, disa intelektualë perëndimorë, më i njohuri shkencëtari politik i ndjerë, arsimuar në Havard, Samuel Huntington, kanë argumentuar se beteja e ardhshme madhore globale do të jetë midis civilizimit perëndimor dhe atij islam.

“Ideologjia është se kundër Shteteve të Bashkuara apo vlerave amerikane përdorej dikur komunizmi, dhe tani Islami. Dhe nuk mund të jetë Islami si besim, duhet të jetë Islami si një ideologji politike”, thotë Jocelyne Cesari, profesore në Universitetin e Birmingamit në Britani, autore e “Përse Perëndimi i trembet Islamit”, ku perifrzaohet argumente të tilla.

Në rritje duket të jetë edhe një shkëputje midis atyre që e kuptojnë debatin kombëtar për Islamin në termat e të drejtave fetare dhe atyre që e shohin atë si një debat ideologjik në shkallë të gjerë.

Ashtu si edhe vëren Cesari, të mendosh për Islamin sipas këtyre kushteve, lejon njerëzit të pajtohen me angazhimin ndaj të drejtave të Amendamentit të Parë dhe kuptimit të Islamit si një armik politik ekzistencial. Piketat mund të jenë të larta. “Në momentin që e sheh Islamin si ideologji politike, sidomos të tillë që përbën kërcënim, mund të injorosh apo të lësh pasdore të gjitha llojet e procedurave civile apo mbrojtjen e lirive fetare që shkojnë në të njëjtën linjë me statusin e të qënit fetar në këtë vend”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit