16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Teknologjia po na verbon

Më të lexuarat

Përdorimi i smartfonëve, tabletëve dhe laptopëve mund të bëhet shkak për një sërë patologjish.

Teknologjia e futur në përdorim masiv sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit nuk është testuar ende plotësisht për efektet që mund të ketë në shëndetin e përdoruesve në terma afatgjatë.

Shkencëtarët kanë arritur së fundmi në përfundimin se drita blu që lëshojnë ekranet e smartfonëve, laptopëve dhe pajisjeve të tjera dixhitale dëmton shikimin dhe përshpejton verbërinë.

Studiuesit në Universitetin e Toledos në SHBA kanë zbuluar se ekspozimi i gjatë në këtë dritë gjeneron molekula toksike në qelizat që kanë të bëjnë me ndjeshmërinë e dritës në sy.

Kjo mund të çojë në degjenerimin makular, një sëmundje e pakurueshme që prek pjesën e mesme të aparatit të shikimit.

Drita blu ka një gjatësi vale më të vogël dhe më shumë energji krahasuar me ngjyrat e tjera.

Ekspertët thonë se korneja dhe lentet nuk mund ta bllokojnë dhe as ta reflektojnë këtë dritë. Kjo bën që ajo të dëmtojë retinën.

Degjenerimi makular është një problem i zakonshëm për moshat mbi 50-60 vjeç, që manifestohet me humbje të ndjeshme të shikimit.

Ai shkaktohet nga vdekja e fotoreceptorëve, ose ndryshe qelizat e ndjeshme ndaj dritës, që ndodhen në retinën e syrit.

Degjenerimi makular për shkak të moshës, edhe pse nuk shkakton verbëri të plotë, i bën të vështira aktivitetet e përditshme si leximi apo edhe thjesht dallimi i fytyrave apo objekteve.

“Nëse retina ekspozohet ndaj dritës blu, qelizat e fotoreceptorëve nisin të vdesin. Ato nuk rigjenerohen më dhe kjo do të thotë se dëmi është i pakthyeshëm”, thotë një nga autorët e studimit.

Ekspertët e okulistikës këshillojnë mbajtjen e syzeve që filtrojnë rrezet UV dhe dritën blu dhe shmangien e përdorimit të smartfonëve ose tabletëve në errësirë.

Studimi është publikuar në “Scientific Reports”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit