7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Tejemumi.

Më të lexuarat

Në fillim të kapitullit të pastërtisë kemi theksuar se dispozitat që kanë të bëjnë me pastërtinë, ashtu siç kanë për qëllim mënjanimin e ndyrësirave konkrete dhe kujdesin për mirëmbajtjen e pastërtisë për besimtarin, janë në vetvete edhe rite (adhurime) që synojnë afrimin tek Allahu i Lartësuar. Kështu, për shembull muslimani me anë të gusulit jo vetëm që pastron trupin dhe mënjanon ndyrësirat, por realizon edhe një adhurim të caktuar nga Allahu i Lartësuar dhe me këtë arrin shpërblim. Kështu është edhe me abdestin, me prerjen e thonjve, me shkurtimin e mustaqeve, me mënjanimin e qimeve nga sqetullat, me bërjen synet etj.1
Pasi kuptuam këtë, themi se nganjëherë është e mundur që besimtari të gjendet në situata ku nuk ka mundësi të realizojë pastrimin e vërtetë (me ujë), qoftë për shkak të pamundësisë së shfrytëzimit të ujit, qoftë për shkak të mungesës së tij. Këto situata mund të zgjasin edhe për kohë të gjatë, prandaj që besimtari të mos e harrojë rëndësinë e saj dhe që të mos privohet nga shpërblimet që fitohen nga këto rite, Allahu i Lartësuar ka përcaktuar edhe pastrimin formal (tejemumi me dhe) si simbol i pastrimit të vërtetë (me ujë). Prandaj, besimtari i cili gjendet në situatat ku nuk ka mundësi ta përdorë ujin për të arritur pastërtinë e vërtetë, është i detyruar t`i qaset pastërtisë e cila është e tillë vetëm sipas trajtimit, në mënyrë që domethënia e pastërtisë dhe e kujdesit ndaj saj të mbetet thellë e ngulitur në shpirt dhe ai mos ta harrojë këtë praktikë të zakonshme.

Përkufizimi i tejemumit
Në aspektin gjuhësor fjala tejemum do të thotë qëllim ose vendosmëri për të vepruar diçka. Kurse në terminologjinë e sheriatit tejemumi është adhurim (ibadet) me të cilin fërkohet fytyra dhe duart me dhe të pastër në rast të pamundësisë së përdorimit të ujit.
Tejemumi zëvendëson gusulin dhe abdestin në rast të mosekzistimit të ujit ose kur kemi ujë, por nuk mund ta përdorim atë nga sëmundja ose për ndonjë arsye tjetër.

Tejemumi është specifikë e umetit të Muhamedit salallahu alejhi ue selem
Tejemumi është një nga adhurimet me të cilat është specifikuar umeti i Muhamedi salallahu alejhi ue selem nga umetet e mëhershme.
Xhabiri transmeton se Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra, të cilat nuk i ka pasur asnjë Pejgamber tjetër para meje:… (ndër to) më është bërë e tërë toka xhami dhe pastrim (tahur) …”2. Do të thotë se muslimani e ka të lejuar ta falë namazin në çdo vend në tokë, kurse umetet e mëhershme mund të faleshin vetëm nëpër vendfaljet e përcaktuara që ndërtonin. Pastaj edhe toka për muslimanin është pastrim (tahur), që do të thotë se me të mund të pastrohet, dhe këtu është fjala për tejemumin.

Argumentet rreth ligjshmërisë së tejemumit
Argumenti më i qartë dhe më i drejtpërdrejt për tejemumin është thënia e Allahut të Lartësuar: “Në qoftë se jeni të sëmurë, ose në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë mësyni dheun e pastër (merrni tejemum) dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja.”3

Shkaku i zbritjes së ajetit të tejemumit
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon shkakun e zbritjes së ajetit të 6-të të sures Maide: “Dolëm me Pejgamberin e Allahut në një nga udhëtimet e tij. Kur arritëm afër vendbanimit el`Bejda ose Dhatu Xhejsh, u këput qaforja ime dhe humbi. Resulullahu salallahu alejhi ue selem ndaloi për ta kërkuar, pas tij këtë e bënë edhe njerëzit e tjerë, por ata nuk kishin ujë me vete. Disa nga njerëzit erdhën tek Ebu Bekri dhe i thanë: “E sheh ç`bëri Aishja? E ndaloi Resulullahun dhe të tjerët, ndërsa ata nuk janë afër ujit, as nuk kanë ujë me vete.”
Pasi u ankuan sahabët tek Ebu Bekri për këtë, ai (tregon Aishja) erdhi tek unë, derisa Resulullahu kishte fjetur duke vënë kokën në kofshën time, dhe më tha se si e ke ndaluar Resulullahun dhe të gjithë njerëzit, kur ata nuk kanë ujë dhe vendi nuk kishte ujë. Kështu, ai më qortoi duke folur aq sa deshi Allahu të më flasë, duke më shtypur vazhdimisht me dorë në bel. Unë nuk mund të largohesha, ngase koka e Resulullahut ishte mbi kofshën time.
Kur Resulullahu gdhiu në mëngjes, nuk kishte ujë. Atëherë Allahu i Lartësuar e zbriti ajetin e tejemumit dhe të gjithë morën tejemum. Atëherë Usejd bin Hudajri tha: “Ky nuk është bereqeti juaj i parë, o familja e Ebu Bekrit!” Pastaj, tregon Aishja, kur ngritëm devenë që kisha unë, e gjetëm qaforen nën të.”4

Hadithet e tejemumit

Kurse hadithet të cilat vërtetojnë tejemumin janë të shumta, ndër to:
1. “Dheu i pastër është pastrim për besimtarin, edhe nëse nuk gjen ujë dhjetë vjet.4
2. Transmetohet nga Imran ibën Husajni, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se: “I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, pa një burrë të veçuar, i cili nuk u fal me njerëzit dhe i tha: -O filan! Ç’të pengoi të faleshe me njerëzit?
-O i Dërguari i Allahut! Unë isha xhunub, -tha ai, – dhe nuk kishte ujë (që të lahesha). Muhamedi salallahu alejhi ue selem i thotë: -Atëherë mësyja vendit (dheut) të ngritur nga toka (merr tejemum), sepse ai të mjafton.6
3. Transmetohet nga Amar ibën Jasiri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, më dërgoi për një detyrë. Unë u bëra xhunub (gjatë rrugës, në gjumë) dhe nuk gjeta ujë të lahesha, kështu që unë u rrotullova (duke u fshirë) në sipërfaqen e dheut, ashtu siç rrotullohet kafsha. Pastaj shkova tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, dhe ia përmenda këtë, ndërsa ai tha: “Të mjaftonte të veproje kështu me dy duart e tua”, dhe goditi tokën me të dyja duart një herë, pastaj fshiu të majtën mbi të djathtën, fërkoi dy duart nga ana e sipërme e tyre (jo nga pëllëmba) dhe fytyrën e tij.7

Shkaqet kur lejohet të merret tejemum
Më lart theksuam se tejemumi zëvendëson abdestin dhe gusulin atëherë kur nuk kemi mundësi të përdorim ujin. Kurse rastet konkrete kur lejohet të merret tejemumi janë disa:
1. Nëse nuk kemi ujë, qoftë në shtëpi ose në udhëtim dhe kemi dhënë mund për kërkimin e tij8
2. Nëse ka ujë, por shitet ose është më i shtrenjtë se zakonisht. Në këtë rast, nëse ka mundësi për ta blerë, muslimani obligohet ta blejë pasi ka mundësi, edhe nëse është më i shtrenjtë se rëndomtë. Por nëse nuk ka mundësi ta blejë ose është më i shtrenjtë dhe blerja i shkakton problem, bie fjala hyn në borxh ose diçka tjetër, atëherë lejohet të kalojë te tejemumi9.
3. Nëse është i sëmurë dhe përdorimi i ujit ia shton sëmundjen ose ia ngadalëson kurimin10.
4. Nëse posedon ujë dhe është i shëndoshë (nuk është i sëmurë), por përdorimi i tij i shkakton dëm, pra sëmuret, atëherë merr tejemum. P.sh., të marrë gusul me ujë të ftohtë dhe të sëmuret ose të lahet me ujë të nxehtë, por koha është e ftohtë (nëse është jashtë ose në udhëtim) dhe mund të sëmuret11.
5. Nëse posedon ujë, por ka një sasi të vogël, të cilën e përdor për pije dhe harxhimi i tij ia rrezikon jetën atij, familjes, shokëve të udhëtimit ose edhe të mjetit të transportit (kafshës së udhëtimit), pasi në rast të vështirësisë vjen lehtësimi.
6. Kur uji është afër, por nuk ka me çfarë ta nxjerrë ose i rrezikohet jeta që të shkojë dhe ta marrë.

Me ç’lloj dheu lejohet të merret tejemum
Lejohet të marrim tejemum me çfarëdo lloji gjërash që e kanë esencën nga toka, qoftë dhe, rërë, gurë, gips, pluhur, etj.. Në këtë kushtëzohet vetëm të jetë e pastër, pra jo i ndotur me ndyrësira. Kështu që nëse kemi ndonjë sipërfaqe dheu ku ka rënë urinë ose ndonjë ndyrësirë, atëherë nuk bën të marrim tejemum nga aty.
Disa nga ulematë kanë thënë se tejemumi duhet të merret vetëm nga dheu, kurse rëra, guri dhe materiet e tjera. Edhe pse e kanë esencën nga toka, nuk bën të përdoren për tejemum. Kështu që nëse jemi në ndonjë vend ku është shkretëtirë dhe ka vetëm rërë ose gurë, atëherë, nëse nuk kemi ujë, nuk lejohet të marrim tejemum me rërë, por falemi pa marrë tejemum. Ky mendim nuk është i saktë, pasi në Kuran12 përmendet fjala “Es-said” dhe mes gjuhëtarëve ka konsensus se “Es-said” ka për qëllim fytyrën (sipërfaqen) e tokës, qoftë dhe apo diçka tjetër13.
Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Unë dhe Abdullah Ibn Jesari, i cili ishte shërbëtor i Mejmunes, gruas së Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, shkuam tek Ebi Xhuhejmi Ibn Harithi Ibn Samiti El-Ensariu dhe ai na tregoi këtë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem na erdhi prej Biër Xhemelit (pusi Xhemel, vend afër Medinës) dhe e takoi një njeri e i dha selam, por Resululllahu salallahu alejhi ue selem nuk ia ktheu selamin, derisa iu afrua një muri dhe mori tejemum, pastaj ia ktheu selamin.”14
Pastaj edhe i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, gjatë udhëtimit për në betejën e Tebukut ka kaluar nëpër vende shkëmbore dhe nuk vërtetohet se ka mbartur dhe me vete ose se është falur pa marrë tejemum.
Vijon.
Alaudin Abazi
9.11.2007
1Prandaj këto rregulla dhe norma duhen të kuptohen se janë në dobi të njeriut dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të trajtohen si të vështira ose të mundimshme, aq më pak të konsiderohen të dëmshme. Allahu i Lartësuar thotë: “… Allahu nuk dëshiron (me urdhrin për abdes dhe gusul)t`ju shkaktojë vështirësi, por dëshiron t`ju bëjë të pastër dhe ta përmbushë të mirën e Tij ndaj jush, që ju ta falënderoni.” (Maide, 6).
2Shënon Buhariu dhe Muslimi. Hadithi komplet është kështu: “Më janë dhënë pesë gjëra, të cilat nuk i janë dhënë asnjë Pejgamberi para meje;
-më është favorizuar frika që në distancën prej një muaji (ecje),
-toka është bërë për mua xhami dhe pastrim, kështu që çdokënd prej popullit tim të cilin e zë namazi, të falet (aty ku e zë).
-më është lejuar plaçka e luftës dhe nuk i është lejuar asnjë Pejgamberi para meje.
– më është dhënë ndërmjetësimi (shefati)
– dhe çdo Pejgamber dërgohej te populli i tij, posaçërisht, ndërsa unë janë dërguar tek i gjithë njerëzimi në përgjithësi.”

3 Suretu Maide, 6.
4 Shënon Buhariu.
5 Shënon Tirmidhiu, Ebu Davudi dhe Nesaiu, hadithi është i saktë.
6 Shënon Buhariu dhe Nesaiu.
7 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
8 Disa nga fukahatë e nderuar e kanë thënë se uji duhet të kërkohet 1850 metra (pak  më shumë se një milje), kurse disa të tjerë të mëvonshëm e kanë përcaktuar kërkimin në minuta. Sido që të jetë, muslimani duhet të mundohet të gjejë ujë dhe nuk i lejohet të kalojë te tejemumi pa e kërkuar atë, kurse për sa i përket largësisë që duhet ta kërkojë, varet prej mundësive dhe asaj që rëndomtë (sipas urfit) do të konsiderohej kërkim. Pas kërkimit, nëse vërtetohet se në atë vend dhe në afërsi nuk ka ujë, atëherë lirohet për përdorimin e tejemumit. Përzgjedhja që të merret parasysh urfi është mendim i medhhebit maliki, shafi dhe hanbeli, kurse nga hanefitë Imam Kasaniu e përzgjedh për më të saktë në librin “El-bedaiu- sanai”, vëll.1, f. 48.
9 Argumenti për këtë është se Allahu nuk e ngarkon njeriun vetëm se me aq sa mund të përballojë.
10 Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Patëm dalë në udhëtim, e njërin prej nesh e pat goditur një gur në kokë dhe u plagos. E gjatë natës u bë xhunub dhe i pyeti shokët e tij: “A më lejohet të marr tejemum?” I thanë: “Jo, nuk të lejohet, pasi ke ujë”. Atëherë ai u la dhe vdiq. E kur erdhën tek Resulullahu salallahu alejhi ue selem, ne ia treguam këtë rast, e ai tha: “E vranë, i vraftë Allahu. Përse nuk kanë pyetur, pasi s’kanë ditur, sepse vërtetë shërimi i paditurisë është pyetja. Do t’i mjaftonte sikur të merrte tejemum.” Shënon Ebu Davudi.
11Amër ibn Asi, Allahu qoftë i kënaqur me të, u dërgua në betejën Dhatu-Selasilit e tha: “Një natë të ftohtë, pashë ëndërr dhe u bëra xhunub, pata frikë të lahem, se mos sëmuresha, por mora tejemum dhe dola imam në namazin e sabahut. E kur erdhëm te Resulullahu salallahu alejhi ue selem, sahabët ia treguan këtë rast. Ai tha: “O Amër, a je falur imam duke qenë xhunub?” Iu përgjigja (m’u kujtua ajeti):  “…dhe mos mbytni veten tuaj. Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm për ju.” (En-Nisa: 29) Dhe morra tejemum e u fala. Resulullahu salallahu alejhi ue selem qeshi e nuk tha asgjë.”
12 Në ajetin e tejemumit, Maide, 6, përmendet “nëse jeni të sëmurë”.
13 Ebu Is’haku në lidhje me “Es-said” ka thënë: “Është për qëllim fytyra (sipërfaqja) e tokës dhe për këtë njeriu e ka për detyrë t’i bjerë me duar fytyrës së tokës, duke mos i interesuar se a ka dhe në atë vend apo nuk ka, ngase said nuk do të thotë dhe, por fytyrë e tokës, qoftë dhe apo diçka tjetër. Nëse gjendesh në vend shkëmbor, ku nuk ka dhe, dhe i bie me duar shkëmbinjve, do të konsiderohej pastrim nëse e fërkon fytyrën me ato dy duar.”
14 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
Sqarim: Shejh Ibn Uthejmini, Allahu pastë mëshirë ndaj tij, qe pyetur rreth një personi të sëmurë, i cili s’mund të gjejë pluhur, se a mund të bëjë ai tejemum duke goditur duart në mur apo shtrat dhe kështu me radhë.
Ai u përgjigj: Nëse muri është i ndërtuar nga ndonjë përbërës i tokës, siç janë gurët dhe tullat e baltës, atëherë është e lejueshme të përdoret për tejemum. Por, nëse muri është i mbuluar me dru apo bojë dhe nëse ka pluhur mbi të, atëherë mund të përdoret për tejemum dhe s’ka kurrfarë problemi në këtë. Kjo është sikur të ketë bërë tejemum në tokë, ngaqë pluhuri vjen nga toka. Por nëse s’ka pluhur mbi të, atëherë ajo s’është nga toka dhe s’mund të përdoret për tejemum. Për sa i përket shtratit, them: Nëse ka pluhur mbi të, mund të përdoret për tejemum, përndryshe s’duhet të përdoret për tejemum, ngaqë nuk vjen nga toka. “Fetaua el-Tehareh”, f.240,

Forma e tejemumit

Amar Ibn Jasiri, radijallahu anhu, thotë: “U bëra xhunub e nuk u lava, por u shtriva në tokë, u rrokullisa dhe u fala. Këtë ia përmenda Resulullahut salallahu alejhi ue selem e ai më tha: “Do të mjaftonte kjo.” Resulullahu salallahu alejhi ue selem i ra tokës me duar, fryu në to, pastaj fërkoi me to fytyrën dhe shuplakat.”1

Mënyra e marrjes së tejemumit

1. Nijeti (qëllimi): Së pari, duhet të bëjmë nijet, pasi tejemumi është adhurim dhe për çdo adhurim kushtëzohet nijeti. Ai duhet të bëhet me zemër e jo me gojë.
2. Të ekzistojë arsyeja e justifikueshme për tejemum, me fjalë të tjera pamundësia e përdorimit të ujit, për shkaqet që u përmendën më herët.

A është e kërkuar të fërkohen duart deri në bërryla gjatë tejemumit

Për këtë ka mospajtim mes ulemave dhe ka disa mendime, por më të njohurat janë dy:
1. Medhhebi hanefi, mendimi më i njohur te malikitë dhe përzgjedhja e fundit e Imam Shafiut dhe e shumicës së ulemave, ashtu si thekson Neveviu2, është se duhet të fërkohen edhe bërrylat gjatë tejemumit. Kjo gjithashtu është thënie e Xhabirit, e Ibën Omerit, e Hasan Basriut, e Thevriut, e Abdullah Ibën Mubarekut dhe e ulemave të tjerë, Allahu i Mëshiroftë të gjithë!
2. Nuk fërkohen bërrylat gjatë tejemumit, por mjafton fërkimi i duarve deri në nyje. Ky është mendimi i medhhebit hanbeli, transmetim nga Imam Maliku dhe ishte përzgjedhja e parë e Imam Shafiut. Gjithashtu kështu kanë thënë një grup sahabësh, si: Ali ibën Ebi Talibi, Ibën Abasi, Amari dhe disa të tjerë. Hasan ibën Zijadi (nxënësi i Ebu Hanifes) transmeton se kjo ka qenë edhe thënie e Ebu Hanifes, por me këtë nuk janë pajtuar të tjerët, të cilët kanë përcjellë çështjet nga Ebu Hanifja.

Argumentet e mendimit të parë:
1. Hadithi: “Tejemumi është me dy rrahje në tokë, njëra për të fërkuar fytyrën dhe tjetra për të fërkuar duart deri në bërryla.”3
2. Analogjia (kijasi) me abdestin; derisa gjatë abdestit duhet të pastrohen duart deri në bërryla, atëherë edhe në tejemum duhet të fërkohen po ashtu.
3. Në ajetin e tejemumit thuhet: “Mësyne dheun e pastër (merrni tejemum) dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja.”4 Fërkimi i duarve gjatë tejemumit ka ardhur në formë të papërcaktuar deri ku, kurse në ajetin e abdestit janë të përcaktuara, se duhet të pastrohen deri në bërryl, prandaj ky përcaktim mbartet edhe te tejemumi.

Argumentet e mendimit të dytë:
Ata të cilët kanë thënë se gjatë tejemumit duart duhet të fërkohen me dhe vetëm deri te nyjat kanë argumentuar me:
1. Ajetin kuranor: “…dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja.”5 Nëse duart në Kuran përmenden të papërcaktuara, atëherë janë për qëllim vetëm deri në nyje, me argumentin se në ajetin ku Allahu i Lartësuar urdhëron që hajdutit t’i pritet dora, ka ardhur e përgjithshme dhe e papërcaktuar. Allahu i Lartësuar thotë: “…vjedhësit dhe vjedhëses prejani duart e tyre.”6 Me këtë ajet punohet me atë mënyrë sipas së cilës hajdutit i pritet dora vetëm deri në nyje e jo deri në bërryl apo më shumë, prandaj edhe gjatë tejemumit duhet të veprohet ashtu.
2. Hadithi i lartpërmendur i Amar ibën Jasirit është i qartë dhe vërteton se duart duhet të fërkohen vetëm deri në nyje e jo deri në bërryla. Këtë hadith e shënon Buhariu dhe Muslimi, kurse argumenti me të cilin argumenton pala tjetër për fërkimin e duarve deri në bërryl nuk është i saktë, prandaj është e padrejtë t`i japim përparësi ndaj haditheve për të cilat ka pajtueshmërinë për vërtetësinë e tyre. Edhe pse ky hadith ka disa transmetime, nuk është i qëndrueshëm, Ibën Mundhiri thotë: “Sa u përket tre transmetimeve me të cilat kanë argumentuar ata që kanë parë se tejemumi duhet të jetë deri në bërryl, të gjitha janë të paqëndrueshme dhe nuk bën të argumentohet me to.”7


Përfundim

Mendimi më i qëndrueshëm në këtë është mendimi i dytë, i atyre që thonë se duart fërkohen vetëm deri në nyje, për shkak të fuqisë së argumenteve. Kurse argumentimi duke bërë kijas me abdestin nuk është i saktë, për shkak se është analogji kur kemi për atë çështje citat (në këtë rast hadithi i Amarit). E, nga të gjithë dijetarët është e njohur se nuk kalohet në kijas kur kemi në dispozicion citatin.


A duhet t’i mëshojmë tokës dy herë apo një herë gjatë tejemumit

Edhe për këtë ka mendime në mesin e ulemave. Mospajtimet dhe argumentet janë të përafërta me çështjen e mëparshme, por e sakta është se vetëm një herë duhet të preket toka dhe me të fërkojmë fytyrën dhe duart deri në nyje, ashtu si përshkruhet në hadithin e Amar Ibën Jasirit. Ibën Abdulberri thotë: “Shumica e transmetimeve nga Amar Ibën Jasiri vërtetojnë se vetëm një herë preket toka (gjatë tejemumit). Kurse lidhur me atë që përcillet se duhet bërë dy herë, të gjitha transmetimet janë të paqëndrueshme, edhe pse këtë e kanë thënë Ebu Hanifja, Thevriu, Shafiu dhe shumica e fukahave…”

Çfarë e prish tejemumin

Tejemumin e prish çdo send që prish abdestin dhe plus kësaj nëse gjendet ujë ose mundësohet përdorimi i ujit për atë që s’ka pasur mundësi ta përdorë, kurse namazet që ka falur me tejemum nuk detyrohet t’i përsërisë (nëse vjen uji)8.
Ebu Seid el-Huderiju radijallahu anhu thotë: “Dy njerëz dolën në udhëtim e ndërkohë erdhi koha e namazit dhe nuk kishin ujë me vete, prandaj morën tejemum nga dheu i pastër dhe u falën. Mirëpo, pasi u falën, gjetën ujë. Njëri prej tyre mori abdest dhe u fal përsëri, e tjetri jo. Kur erdhën tek Resulullahu salallahu alejhi ue selem, ia përmendën këtë gjë. Resulullahu salallahu alejhi ue selem atij që nuk i kishte përsëritur namazin i tha: “Ia ka qëlluar Sunetit, namazi yt është në rregull.” E atij që e kishte përsëritur i tha: “Ty të takon shpërblimi dyfish.”9

Shënim: Ai i cili ka plagë në trup dhe e ka mbështjellë me leckë, nuk obligohet ta lagë atë pjesë e as t’i japë tejemum. Argument për këtë është fjala e Allahut subhanehu ue teala:

{ لَا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا }

“Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij.”10
Kurse Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Kur të urdhëroj për ndonjë send, veprojeni aq sa keni mundësi.”11
Me këtë argumentohet se për çdo vepër që njeriu nuk mund ta kryejë, bie obligimi prej tij. Zëvendësimi i kësaj duhet të vijë me Kuran dhe Sunet dhe pasi Kurani dhe Suneti nuk kanë treguar zëvendësim për pjesën e mbuluar me leckë, të cilën nuk mund ta lajmë, atëherë nuk obligohemi ta fërkojmë me dorë të lagur ose me tejemum.12

Sqarim: Disa nga ulematë tejemumin nuk e kanë konsideruar se pastron (rafi lilhadeth), sikurse abdesti dhe gusuli, por kanë thënë se ai vetëm lejon kryerjen e punëve për të cilat kushtëzohet abdesti dhe gusuli (mubih).
Si rezultat i kësaj ka lindur edhe mospajtimi se a duhet të merret tejemumi enkas për çdo adhurim që kryejmë, apo mjafton që të marrim tejemum një herë dhe t’i kryejmë me të të gjitha ibadetet.
Për shembull, nëse marrim tejemum me nijetin për të lexuar Kuran, atëherë sipas atyre që kanë thënë se tejemumi nuk pastron, por vetëm lejon kryerjen e adhurimeve, nuk lejohet të falim namaz me atë tejemum, por duhet të marrim tejemum tjetër për namaz. Pastaj, sipas tyre, tejemumi prishet me daljen e kohës së namazit dhe kështu me radhë.
Sido që të jetë, e sakta është se tejemumi është adhurim që zëvendëson abdesin dhe gusulin dhe nuk ka nevojë të komplikojmë duke vënë kushtëzime për të cilat nuk kemi citate dhe argumente. Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Më është bërë toka xhami dhe pastrues…”, pasi i Dërguari e quan tokën pastrues, atëherë më e saktë është të trajtohet e tillë.
Fund
Alaudin Abazi
16.11.2007

1 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
2 “El Mexhmu”, vëll.1, f. 211.
3 Shënon Darekutniu, Hakimi, Bejhikiu.
4 Sure Maide, 6..
5 Sure Maide, 6.
6 Sure Maide, 38.
7 “El-Evset”, vëll. 2, f. 53.
8 Shejh Ibn Uthejmini, Allahu pastë mëshirë ndaj tij, qe pyetur: “Nëse një person fal sabahun me tejemum, ngaqë nuk ka ujë, a duhet që ai ta përsërisë namazin më pas, nëse (më vonë) do të gjente ujë, pasi të ketë lindur dielli?”
Përgjigje: Nëse ai bën tejemum gjatë kohës (së namazit), për shkakun se nuk ka gjetur ujë, dhe falet, atëherë namazi i tij është i vlefshëm. Më pas, nëse ai gjen ujë, madje edhe para se të kalojë koha (e atij namazi), prej tij nuk kërkohet që ta përsërisë namazin, ngaqë namazi, të cilin sapo e kreu, u bë në një gjendje pastërtie të ligjëruar, për të cilën na ka urdhëruar Allahu. Pra, ai s’duhet ta përsërisë namazin. Allahu, më i Larti, ka thënë: “… nëse nuk gjeni ujë, bëni tejemum me dhé dhe fërkoni me të fytyrat dhe duart tuaja…” (En-Nisa, 43). Mirëpo, nëse uji gjendet para faljes së namazit, atëherë namazi (me tejemum) zhvlerësohet (për shkak të gjetjes së ujit) dhe është obligim për të që të pastrohet me ujë dhe të falë namazin me abdest. “Fetaua el-Tehareh”, f. 240.
9 Shënon Ebu Davudi dhe Nesaiu.
10 Bekare: 286.
11 Shënon Muslimi.
12 Shiko për më gjerësisht: “El-Muhal-la”, 2/74.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit