12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Të jesh i pushtuar prej njerëzve të gjakut tënd!

Më të lexuarat

Shkruan: Enis Reçica, Master, Integrime Evropiane dhe Administratë Publike

“O bërllok, mos na harro”, – i thash në shtrëngimin e fundit të dorës, që e mbante jashtë dritares së makinës, me të cilën vazhdoi rrugën drejt aeroportit. E prej atje drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Bërllok”, i thash, se jam rritur me të. E shpesh herë, dashnia të bënë që tjetrit t’i qasesh edhe me fjalë, që në kuptimin parësor janë ofenduese. Por, thjesht nga dashnia e mallëngjimi ia thash, njëjtë sikur edhe porosia “mos na harro”.

Të hënën e 12 Gushtit ishte kjo ngjarje. E veç tre ditë më vonë, në mëngjesin e 15 Gushtit përcolla në stacionin e autobusit tjetrin familjarë. Ky kurseu 300 euro-t e biletës së Aeroplanit drejt Gjermanisë, për të udhëtuar me një çmim më të volitshëm prej 70 eurosh, me autobus për 20 orë.

Të dy mbërritën mirë, dhe fotografitë e para që na dërguan ishin me peizazhe të bukura, ambiente të pastra dhe tejet të qeta. E informatën e dytë që na përcollën, që të dy prej atje larg, ishte se nisën menjëherë punën.

E ku e gjetën forcën e arsyes për të vazhduar jetën e mbetur, larg atyre me të cilët janë rritur, dhe larg atyre nga duart e të cilëve kanë bërë shtat?!

Familjarët, nuk pata as mundësi me i pyet, mbase nga mallëngjimi, por me siguri edhe pse ua di arsyet, meqë janë të gjeneratës sime…

Të gjeneratës janë edhe shumë miq, që në vitet e fundit tubuan në valixhe pak nga rrobat e nevojshme dhe morën rrugën e ikjes nga vendlindja.

Disa prej tyre ma dërguan me shkrim arsyen, por dikur, fëmijët e tyre nuk do ta pasojnë këtë shqipe të rrjedhshme të përdorur prej gjeneratës sime.

Flamuri, një prej kolegëve të studimeve, sigurisht e përjeton rënd, meqë arsyen e lidhë me sakrificën që dikur populli ynë e ka bërë nëpër breza, duke sakrifikuar edhe jetën në mbrojtje të vendin nga pushtues të lloj llojshëm. Por, sot, Flamuri habitet me aktualitetin, andaj edhe lirinë e njëzet viteve e ndërlidh me pushtim të brendshëm: “ama me qenë i pushtuar prej njerëzve të gjakut tënd është tepër e vështirë, e kjo më bënë me menduar dy herë mundësinë e kthimit në Kosovë”.

Veç kësaj, Flamuri, që punon dhe studion, tregon se arsye e ikjes nga Kosova, ishte pikërisht niveli jo adekuat i arsimimit (të cilën e vlerëson me “0”), çka e bëri të kërkoj diku tjetër njohuri. Sipas tij po, që se drejtohet në shëndetësinë kosovare, thotë se pa pas të njohshëm “vdes për një injeksion”.

Për shkak të parregullsive në arsim, shëndetësi e punësim u detyrua të marr rrugën e gurbetit edhe Erblini, që iku drejt Amerikës. Këtij nuk i mjaftojnë vetëm këto arsye, andaj shtoi se “nga Kosova ka ikur edhe si shkak i gjendjes aktuale në ekonomi, politikë e mirëqenies sociale”.

E Dreni, e thotë shumë qartë arsyen, – “shkurt e shqip, ma ka marr mendja që nuk ka perspektivë në Kosovë, dhe shumicën e rasteve e kryejnë fakultetin edhe kurgjo hiç”.

Ndërsa, as Fitimi nuk arriti të fitoj mbi siç thotë “sot e njëzet vite mbizotëron korrupsioni, nepotizmi, zhvatja e pushtetit dhe pasurisë publike”. E ajo që e rëndon më shumë Fitimin e amerikanizuar, është fakti se si “figurat e njëjta politike kriminale, që ta japin ndjesinë që këta janë njerëzit më të ditur, e s’ka kush t’i zëvendësoj”. Sipas tij, të rinjt nuk janë prioritet i politikanëve aktual, pavarësisht se gjenerata e re përbën pjesën më të madhe të popullsisë. Por, Fita (siç e thërrasin zakonisht) e ka edhe një arsye tjetër atë të “izolimit total nga Bashkimi Evropian” çka sipas tij, pamundësia e lëvizjes së lirë vije si pasojë e politikbërësve aktual kosovar.

Ndërsa, Jahiri tregon se ka shkuar jashtë vendi si student, dhe për të punuar njëkohësisht, që t’i financoj studimet, meqë sipas tij “me nejtë n’Kosovë badihava s’pe qet”.

E për Premtimin, edhe pse përfundonte studimet, nuk ka parë mundësi për t’u kyçur në ndonjë punë të profesionit. Por, për një gjë është i sigurt, thotë – “sikur ta kthej kohën edhe njëherë mbrapa, ndoshta nuk isha largu, meqë një jetë e kemi, e me u largu prej familjes shumë vështirë është”. Por, megjithatë, thotë se mbase në jetën tjetër, duke u lutur për xhenet, atje të ritakohet me familjarët për të vazhduar tutje. E pikërisht arsyen e ikjes e lidhë edhe në aspektin fetar, duke thënë se janë padrejtësitë e pushtetarëve që e kanë detyruar për t’u larguar, duke shtuar se “ku mos me ekzistua xheneti për të mirin, dhe xhehenemi për atë të keqin, për atë që e vjedh shtetin, e shkatërron ligjin”. Madje, ky thotë se ka një hall interesant: “nuk po mundem me i than askujt mos hajde, s’po mundem se s’kam të drejt. Unë këtu e me i thënë dikujt mos hajde, nuk e rrok”, duke aluduar se mirëqenia tejet më e mirë atje, sesa në vendlindje.

Më shpresëdhënës në përgjigje paraqitet Kosovari, mbase emri që e mban, e bënë ta do më shumë shtetin e vendlindjes (pa poseduar ndonjë teknik për t’ua matur dashninë edhe të tjerëve). Edhe ashtu thotë “unë realisht dhe sinqerisht kam qenë njeriu i fundit, ndoshta, që e ka menduar largimin nga vendi”, por për hir të studimeve në nivel master u detyrua. Ky thotë se nëse në Kosovë vazhdohet me mosfunksionim të shtetit, dhe vazhdohet nepotizmi e korrupsioni, atëherë e sheh më shumë të rrugës të vazhdoj qëndrimin. “Së paku deri sa të kalojë një kohë kur gjërat do të vijnë në vendin e tyre”.

Kosovari, beson se do të kthehet, vetëm nëse do “e kem së paku të sigurt një vend pune në profesionin tim. Kjo është alternativa e parë”.

E alternativë të parë rikthimin e ka gjithmonë edhe Premtimi, i cili thotë se “do Zoti na ndihmon e na lehtëson punën për me u kthy, por edhe kur të kthehesh nënën dhe babën, ndoshta nuk i ke…”. E krejt këto shkronja, ky thotë se i shënoi me lot në sy.

Se mund të ketë shpresë në Kosovë, është optimist edhe Jahiri, i cili shpreson rikthimin në vendlindje.

Por, tre miq tjerë, thonë se është absurde të rikthehesh në këtë kohë në Kosovë. Erblini bënë me dije se “pas një kohe larg nga Kosova dhe integrimit në atë shtet si në punësim, banim dhe pasi socializohesh, rikthimi në vendlindje është shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Rastet janë shumë të rralla të rikthimit dhe besoj edhe rasti im është i tillë”.

Dreni duke i’a bërë pyetje vetës se “A mendon me u kthy në Kosovë?”, vazhdon duke thënë “jo, as që e mendoj atë punë, e sidomos duke e pa që shumica e të rinjve mundohen me ik prej atje, atëherë pse unë me u kthy atje. Sipas meje nuk ia vlen aspak me u kthy. Rast i thjesht, vetëm krahasoje jetën time këtu, me të disa prej shokëve të mi”, duke aluduar se gjendja e tij, në të gjitha aspektet, qëndron më e mirë se sa e miqve që i kanë mbetur në Kosovë.

Edhe për Fitimin kthimin në Kosovë për momentin nuk i’a vlen. “Situata nuk është përmirësuar aspak, veç sa është keqësuar. Ndoshta mbas 15-20 vitesh, gjërat përmirësohen, e kthehemi me ndonjë investim e me qenë afër familjes”.

*Pata frikë, që do të më mbushet sytë lot përgjatë shkrimit të këtij teksti, njëjtë sikur u mbushën ditën kur i përshëndeta. Dhe, nuk ishte dhimbja vetëm pse po i humbi familjarët, por pse vendit tim, po i ikin djemtë, vajzat, në moshën e fuqisë, në kohën e punës, atëherë kur i’u duhen më së shumti. Kosovës tonë, për të cilën ëndërruan shumë para nesh ta kenë të lirë, vetëm në vitin 2018 e braktisën 28.164 persona. I njëjti ritëm po vazhdon edhe në 2019-tën…

-Ajo se çka, realisht, përmban në vete titulli, u tha brenda rreshtave, si arsyeja bazike, primare, parësore, e ikjeve të të rinjve…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit