10 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Të jesh i paanshëm

Më të lexuarat

Në koleksionin e imam Buhariut, në kapitullin e Besimit “Përhapja e Selamit është pjesë e Islamit”, nga Amar ibnu Jasir tregohet të ketë thënë se:”Kush ka tre veti ka përmbledhur të gjithë besimin; Të jesh i drejtë (të ruash paanshmërinë) me veten tënde, të përhapësh paqen (selam) për mbarë botën dhe të japësh edhe kur nuk ke.”
E pranoj që unë e përmend si shpesh këtë thënie tërheqëse. Gjithmonë më ka bërë përshtypje dhe më ka tërhequr shprehja e drejtpërdrejtë rreth parimit të drejtësisë në sheriatin islamit, e sidomos drejtësisë me njerëzit.
Aftësia për të ruajtur neutralitetin mes dy personave në konflikt është diçka pothuajse e pamundur, përveç nëse flitet për dikë që e ka përzgjedhur Zoti dhe e ka pajisur me dije të gjera, devotshmëri dhe arsyetim të fortë.
Sakaq, të jesh i drejtë dhe i paanshëm me veten është diçka akoma më e largët. E si mund të zhvishet totalisht njeriu nga vetja e tij, cilësitë dhe karakteristikat, me qëllim që të pozicionohet njëlloj si ndaj vetes dhe ndaj tjetrit me të cilin është në konflikt?!
Nga ana tjetër, vërej thirrje për tu lartësuar dhe përpjekur për përbrendësim të vlerave morale të rralla dhe që janë paksa të vështira për tu arritur.
Nga citati me të cilin e nisëm këtë artikull, kuptoj dhe diçka tjetër; Të qenit i drejtë dhe i paanshëm me çdo person me të cilin identifikohet njeriu, me grupin që i përket, me partinë, fisin, popullin, shkollën, lëvizjen, ideologjinë, grupit ekonomik etj…
Kur gabon ti vetë, e sheh gabimin si një rast të veçuar, se të mirat e tua janë të shumta… e sheh me qëllimin e mirë, e sheh nga dëlirësia e zemrës dhe nijeti i mirë që kishe, duke bërë që ky gabim të duket maksimalisht i vogël. Këtë e shoqëron me istigfar (kërkim falje nga Zoti), me punë të mira të dukshme dhe të fshehta, me të cilat synon fshirjen e gjurmëve të gabimit dhe gjynahet, duke uruar që pasojat e tij të jenë pozitive.
Sakaq, kur gabon tjetri, ti njeh vetëm gabimin dhe nuk e lodh veten të shohë përtej tij, tek motivet, nijetet dhe qëllimi, nuk ke përse të shohësh dhe kërkosh veprat e mira që e pasojnë atë, pendimin, istigfarin dhe thyerjen e zemrës.
Kur gabon një individ nga xhemati yt, nga partia, fisi, grupi ideologjik, lëvizja… e di mirë që ky është gabimi i një individi dhe se pjesa tjetër e anëtarëve nuk kanë përse të mbajnë përgjegjësi për këtë. Madje, të tjerët e kanë kritikuar dhe korrigjuar; të gabojë një individ është diçka normale dhe e zakonshme… Këtë, ti e mbështet me argumente dhe tekste të qarta, si:”se askush nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetritdhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar” (Nexhm, 38-39)
Profeti Muhamed a.s thotë:”Me ato që vepron, njeriu i bën dëm vetes së tij fillimisht…” (Tirmidhij)
Ti përpëlitesh për ta përforcuar këtë ide dhe koncept, duke e akuzuar si komplotist, fanatik dhe dashakeq, atë që mbyll veshët dhe nuk dëshiron ti dëgjojë argumentet e tua, dhe ashtu është.
Por, kur pikas një gabim të një individi të një grupi tjetër larg teje dhe ndaj të cilit nuk ke asnjë emocion dhe me të cilin nuk identifikohesh, e ke të lehtë që gabimin ta përgjithësosh dhe ta konsiderosh si akt dhe normë të gjithë atij grupi, madje e konsideron si majën e ajsbergut të tyre, si rezultat i edukimit dhe formimit të këtij gabimtari nga krerët e grupit, partisë, fisit, shkollës ideologjike, kompanisë etj… kështu që ata duhet të mbajnë përgjegjësi totale, ose të paktën të pjesshme.
Tentativat për tu mbrojtur nga disa prej tyre, do i konsiderosh si ikje nga përgjegjësia, si orvatje për të hedhur hi syve. Ku është drejtësia atëherë?!
Ajo është një gradë dhe pozitë e cila arrihet falë zhveshjes nga uni, eksplorimit të vetes dhe çështë më e rëndësishmja, arrihet falë udhëzimit hyjnor. Po, ajo arrihet nëpërmjet përpjekjeve të pandara, nëpërmjet gatishmërisë për ta eksploruar dhe mbikëqyrur veten, mbikëqyrjes së ithtarëve dhe konformistëve, duke mos rënë pre e tendencës për tu radhitur në llogoren e unit apo të grupit, llogore e cila herë pas here e verbon të vërtetën.
Sy i kënaqësisë çdo të metë e mbulon
Kurse ai i urrejtjes, edhe fijen e flokut e demaskon.
Prandaj dhe Zoti i lartësuar i këshillon dhe urdhëron besimtarët që:” O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë,duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj.” (Nisa, 135)
Shohim që Kurani urdhëron për dëshmi në favor të vërtetës, qoftë dhe kundër vetes tënde, apo të afërmve.
Në një pasazh tjetër, Kurani thotë:” O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtjandaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo ështëmë afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut!” (Maide, 8)
Zoti na porosit që urrejtja dhe armiqësia, cilido qoftë shkaku i tyre edhe fetar nëse është, të mos na çojë deri atje saqë të bëjmë padrejtësi dhe të persekutojmë të tjerët. Kjo është porosia e Kuranit për besimtarët.
Sipas një thënieje:”Sheh qimen në syrin e vëllait dhe nuk sheh trungun në syrin e vet.”
Kuptimi i kësaj thënieje është se për shkak të metave dhe mangësive të tij, për shkak të dashurisë që ka për veten, njeriu fokusohet tek të metat e tjetrit. Sado të fshehta të jenë ato, ai arrin ti kapë. Sakaq, ai harron dhe nuk merret fare me të metat e tij të cilat janë të dukshme, si një trung palme.
Vallë, sa prej nesh qëndrojnë me veten, reflektojnë, e gjykojnë atë dhe i kërkojnë llogari, para se të marrë rrugën i bindur se është vetë e drejta dhe e vërteta, se kushdo që i del kundra përfaqëson të pavërtetën. Ai e sheh veten si vetë udhëzimin hyjnor dhe armiqtë e tij si vetë humbjen e sigurt.
O Zot na ndihmo ti shohim të metat tona dhe na aftëso ti njohim dobësitë e veteve tona!

Selman Aude
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit