12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Të importosh grurë nga Serbia: ç’fiton dhe ç’humbet Kosova

Më të lexuarat

Nga Shkëlzen Rrecaj

Javë më parë, qeveria e Kosovës vendosi taksë 10 për qind për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja. Kjo taksë po jep efektet e saj, pasi në njërën anë ka rënë importi i mallrave nga Serbia, ndërsa në anën tjetër janë rritur të hyrat në arkën e shtetit. Sipas Doganës së Kosovës, që nga aplikimi i kësaj takse, në arkën e shtetit janë grumbulluar 300 mijë euro më shumë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), më së shumti drithëra Kosova importon nga Serbia, që arrin deri në 94 për qind të importit të grurit.

Ndërsa sipas të dhënave të Doganës së Kosovës dërguar tesheshit.com, për vitin 2016 janë importuar drithëra nga shteti i Serbisë mbi 198.55 milionë kilogramë me vlerë prej 32.71 milionë euro.

Në vitin 2017 ka patur rënie të importit nga Serbia ku janë importuar 147.73 milionë kilogramë drithëra me vlerë 26.28 milionë euro.

Nga janari e deri me tani, në Kosovë nga Serbia janë importuar 125.00 milionë kilogramë drithëra me vlerë prej 22.18 milionë euro. Duke krahasuar me vitet e kaluara ka rënie të madhe të importi të drithërave nga Serbia.

Nga të dhënat e Doganës së Kosovës, nga një janari i këtij viti e deri më tash në Kosovë janë importuar 16.909 mijë kilogram grurë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin importuar më shumë se 50 milionë kilogramë.

Sipas Doganës së Kosovës, pjesa më e madhe grurit të importuar në Kosovë ka ardhur nga Serbia dhe Rusia. Nga shtetet e tjera ku Kosova importon grurë, janë Hungaria rreth me 3.366 ton, Austria me 1.570 ton dhe Kroacia me 543 ton grurë gjatë vitit 2017.

Ndërsa Kosova eksporton grurë vetëm në Shqipëri.

Të dhënat e Anketës së Ekonomive Bujqësore të publikuar nga ASK, tregojnë se sipërfaqe të mbjella me grurë nga viti 2013 deri në vitin 2017 ka rënë dukshëm.

Në vitin 2013, sipas të dhënave të ASK-së janë mbjellë 101.846 hektarë grurë, në vitin 2014 90.728 hektarë, në vitin 2015 tokë e punueshme me grurë kanë qenë 89.942 hektarë, kurse në vitin 2016 janë mbjellë 89.122 hektarë, ndërsa në vitin 2017 tokë të mbjella me grurë 80.519 hektarë.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), në këtë vit edhe për kundër kushteve jo të mira klimatike mungesa e reshjeve të shiut janë mbjellë 83.515 hektarë drithëra.

Zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë Mevludin Krasniqi, në një prononcim për tesheshi.com tregoi se në vitin 2018, në Kosovë janë mbjellë 83.515 hektarë drithëra, prej tyre 74.133 hektar me grurë.

Sipas Krasniqit, nga MBPZHR, bujqit kosovarë kanë përfituar nga pagesat direkte (subvencione) nga 150 euro për hektar, gjegjësisht në vlerë prej 9.7 milion euro për drithëra, prej tyre 150 mijë euro për prodhimin e farës së grurit.

“MBPZHR këtë vit, bujqësinë përmes pagesave direkte (subvencioneve) e ka mbështet me 25 milion euro. Edhe përkundër kushteve jo të favorshme klimatike këtë verë, rendimenti kosovar i grurit ka arritur në afër 300 mijë ton grurë. Në mbështetje të sektorëve të bujqësisë, nga programi për zhvillimin rural të MBPZHR-së, këtë vit kanë përfituar grante investive afërsisht 600 fermer në mbarë Kosovën, në vlerë mbi 20 milion euro”, theksoi zëvendësministri Krasniqi.

Por importi dhe konkurrenca jo e drejtë në treg e grurit dhe miellit në Kosovë ka ndikuar dukshëm tek bujqit, duke ulur interesimin në mbjelljen dhe përpunimin e grurit.

Blend Rexha, fermer nga Komuna e Prishtinës, për portalin tesheshi.com tregon se importi i madh nga vendet e ndryshme e sidomos nga Serbia po dëmton punën

“Unë që disa vite merrem me mbjelljen e grurit, këtë vit edhe për kundër vështirësive për shkak të thatësisë kam mbjellë mbi 7 hektarë grurë dhe synoj që çdo vit ta rriti rendimentin e kësaj kulture”, u shpreh fermeri Rexha.

Për të ndalur importin e grurit dhe për të rritur sipërfaqet e mbjella me grurë, fermeri Rexha thotë se shteti duhet të rrisë subvencionimi e grurit. Shembull një fermerit i duhet 500 deri 600 euro për një hektarë, ndërsa shteti subvencion vetëm 150 euro për hektarë, sikur të ndihmohet apo të përkrahet më shumë fermeri dhe prodhimtaria vendëse importi do të ishte shumë më i vogël.

Për fermerin Rexha, taksa prej 10 për qind është e mirëseardhur dhe duhet të zbatohet dhe të përkrahen e të konsumohen prodhimet vendore.

Por kjo masë si duket ka ndikuar në ngritjen e çmimit të bukës janë dy komuna që e kanë ngritur çmimin Prizreni dhe Kaçaniku për 33 për qind.

Njohësi i ekonomisë Lulzim Beqiri, për tesheshi.com tha: “Si pasojë e taksës prej 10 për qind për mallrat nga Serbia disa nga furrtaret kanë filluar edhe ngritjen e çmimit të bukës prej 10 cent, çka mendoj se nuk kanë arsye, është e pamundur që brenda një periudhe kaq të vogël të ketë mungesë të miellit, siç dihet në Kosovë ka sasi të mjaftueshme për një periudhë disa mujore derisa të ndihet mungesa e furnizimit me grurë, andaj nuk shoh arsye që të preket shporta e konsumatorit të varfër kosovar, tek e fundit jemi shtet nganjëherë edhe me i ulë fitimet nuk bëhet kiameti, sipas të dhënave zyrtare Republika e Kosovës shumicën e grurit e importon nga Republika e Serbisë”.

Ekonomisti Beqiri thotë se Kosova duhet të gjejë ndonjë partner strategjik nga vendet e rajonit në mënyrë që të përballojë ndonjë krizë eventuale të ndërprerjes së furnizimit nga shteti serb.

“Kosova duhet urgjentisht të gjejë partner strategjik nga vendet e rajonit në mënyrë që të përballojë ndonjë krizë eventuale të ndërprerjes së furnizimit nga shteti serb, pra si partner strategjik të Kosovës duhet të jetë Austria, Turqia, dhe në përgjithësi vendet e BE-së”, u shpreh Beqiri.

“Gjithashtu mendoj se duhet urgjentisht të ndalet degradimi i tokës bujqësore, ndërtimet në tokën bujqësore janë tejet të dëmshme për ardhmërinë e ekonomisë së Kosovës, më shumë se 30 mijë hektarë tokë bujqësore të kategorive të ndryshme, janë shitur gjatë procesit të privatizimit në Kosovë nga viti 2002 deri në vitin 2014, Qeveria duhet të nxisë prodhimin e grurit duke hartuar politika zhvillimore dhe lehtësira në qasje në financa, në mënyrë që mos të vije deri te ndonjë krizë e padëshiruar”, theksoi Beqiri. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit