Të fitosh dashuri evropiane duke mbrojtur Rusinë

0
50

Shaban Murati

Asnjë nga udhëheqësit e vendeve anëtare të aleancës ushtarake CSTO, që udhëhiqet nga Rusia dhe të njohur për servilizmin ndaj Moskës nuk doli këto ditë në rolin e avokatit ndërkombëtar të Rusisë si presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Në datën 13 prill presidenti serb doli publikisht në mbrojtje të Rusisë për rastin “Skripal”, rast i cili provokoi një krizë diplomatike ndërkombëtare midis Perëndimit dhe Rusisë. Vuçiq deklaroi se “në mungesë të provave në rastin ‘Skripal’ është absolutisht e pamundur të dënosh Rusinë”. Kjo është një mbrojtje serbe e një veprimi kriminal të sulmit me gaz kimik ndaj një personi, por edhe të shkeljes së sovranitetit të shtetit britanik nga Rusia. Serbia i kundërvihet hapur vlerësimit dhe qëndrimit të shumicës prej 28 shteteve evropiane dhe të tjera, të cilët dëbuan diplomatë rusë në një gjest dënimi për aktin e pashembullt agresiv rus.

Në datën 14 prill, presidenti i Serbisë doli në mbrojtje të regjimit sirian të Assadit dhe kundër sulmeve me raketa, të ndërmarra atë ditë nga koalicioni perëndimor mbi qendrat e prodhimit dhe depozitimit të armëve kimike në Siri, të cilat u përdorën nga regjimi kriminal i Damaskut para një jave kundër popullsisë civile, duke vrarë dhjetëra vetë. Presidenti serb krijoi figurën e viktimës për regjimin e Assadit dhe deklaroi se “për gjithë ne, që jemi mbi 18-19 vjeç, kjo fushatë sulmesh është një kujtesë e dhimbshme të periudhës në të cilën kaluam”, duke evokuar bombardimet që koalicioni i 19 shteteve demokratike të Aleancës Atlantike ndërmori në vitin 1999 ndaj bazave ushtarake të regjimit të Millosheviqit, për të ndalur gjenocidin dhe spastrimin etnik kundër popullit shqiptar në Kosovë. Presidenti serb hyri në rezonancë me presidentin rus Vladimir Putin, i cili po në 14 prill e sulmoi goditjen perëndimore mbi bazat e armëve kimike siriane, duke e krahasuar dhe kritikuar ndërhyrjen ajrore të NATO-s në Serbi në vitin 1999. Presidenti serb merr në mbrojtje regjimin kriminal të Millosheviqit, të cilin e paraqet viktimë të fushatës ajrore atlantike. Presidenti serb këmbëngul të nxisë në Serbi një histeri të re antiatlantike dhe antiperëndimore.

Nuk të habit kjo linjë proruse e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka qenë anëtar i kabinetit të kriminelit më të madh ndërkombëtar të pas-Luftës së Dytë Botërore, Sllobodan Millosheviq. Nuk të habit linja proruse e Vuçiqit, i cili më shumë se çdo udhëheqës tjetër serb para tij, e ka kthyer Serbinë në një instrument të strategjisë ruse në Ballkan dhe në Evropë.

Ajo që të habit është symbyllja e Evropës përballë kësaj politike proruse, antievropiane dhe antiperëndimore, që po thellohet nga udhëheqja e Serbisë. Ajo që të habit është se këto dalje e qëndrime ultraproruse të presidentit të Serbisë vijnë pas dy takimeve të rëndësishme, që i ofroi atij diplomacia evropiane. Në 13 prill Vuçiq zhvilloi një takim në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe në 12 prill në Beograd me ministrin e Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian. (Nënvizojmë se ministri i Jashtëm francez, me gjithë “aktualitetin ndërkombëtar” për shkak të të cilit u tha zyrtarisht se anuloi vizitën në Tiranë në 13 prill, nuk e anuloi aspak vizitën në Beograd, ku jo vetëm zhvilloi të gjitha takimet protokollare, por pati kohë edhe të shkonte të vinte kurora me lule në vende historike).

Gjermania dhe Franca janë dy nga shtetet, të cilat dëbuan diplomatë rusë në rastin “Skripal”, të cilin e vë në dyshim presidenti serb. Franca, bashkë me Amerikën dhe me Britaninë e Madhe është pjesëmarrëse e sulmeve me raketa në 14 prill kundër bazave të prodhimit dhe të depozitimit të armëve kimike të regjimit sirian. Britania e Madhe do të jetë në 9-10 korrik 2018 vendi organizator i samitit të pestë të BE me vendet e “Procesit të Berlinit”, ku bën pjesë edhe Serbia.

Pyetja e thjeshtë është se përse Serbia, një shtet që zyrtarisht kërkon të hyjë në BE dhe po zhvillon bisedimet e pranimit me BE, nuk ndjek vijën e politikës së jashtme të BE dhe as të të dy shteteve kryesore të BE, që e mbajnë afër, por ndjek vijën e politikës së jashtme të Rusisë. Serbia e Vuçiqit ka refuzuar të zbatojë sanksionet ekonomike, që BE vendosi ndaj Rusisë si dënim për agresionin e saj kundër Ukrainës. Serbia e Vuçiqit nuk e ka dënuar kurrë agresionin rus në Ukrainë dhe ka refuzuar të japë votën në OKB për rezolutat perëndimore që dënojnë këtë agresion. Nuk i ka dënuar asnjëherë aneksimin e dhunshëm të Krimesë nga Rusia dhe as ndezjen e luftës separatiste proruse në Ukrainën Lindore nga Rusia. Serbia e Vuçiqit refuzoi të bashkohej me shtetet kryesore evropiane dhe nuk dëboi diplomatë rusë për rastin “Skripal”. Tani presidenti i Serbisë distancohet dhe del kundër goditjes së bazave të armëve kimike të regjimit kriminal të Assadit, duke u bashkuar me vijën e politikës së jashtme ruse dhe me interesat e Rusisë në Evropë dhe në Lindjen e Mesme.

Brukseli nuk e ka shpjeguar asnjëherë zyrtarisht përse ka lejuar dhe lejon që në raportet e BE me Serbinë të ndodhë fenomeni i çuditshëm diplomatik, kur një shtet që po zhvillon bisedimet e pranimit në BE i kundërvihet vijës së politikës së jashtme të organizatës, ku po i hapin derën. Në analizën e këtij raporti anormal marrëdhëniesh dalin natyrshëm disa pikëpyetje. Së pari, del pikëpyetja se si guxon Serbia të dalë kaq hapur në një linjë antievropiane dhe antiperëndimore dhe Brukseli të mos ndihet fare.

Pikëpyetja e dytë është se si mund të ndodhë që BE dhe shtetet më të rëndësishme perëndimore, që e mbajnë afër Serbinë, të neglizhojnë kursin gjithnjë e më të hapur prorus të Serbisë dhe të bëjnë sikur nuk e vërejnë. Për të mos thënë që në disa raste ndërmerren qëndrime alogjike, ku Serbia darovitet me një zemërgjerësi tronditëse. Sepse nuk mund të mos krijojë habi rajonale fakti që ministri i Jashtëm i Francës, Le Drian, në bisedimet e tij në Beograd në 12 prill e cilësoi Serbinë “lider të rajonit”, sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Serbisë. Besoj se diplomacia franceze e ka qartë se Serbia nuk mund të jetë kurrë lider i rajonit, siç duhet të ketë të qartë se asnjë shtet i rajonit nuk e pranon këtë rol udhëheqës serb. Është e paqartë përse duhen inkurajuar ambiciet hegjemoniste të Serbisë në rajon dhe të dekretohet ex catedra lider i rajonit një shtet me kuotën më të ulët të orientimit perëndimor dhe me kuotën më të lartë të orientimit prorus në rajon. Serbia është i vetmi shtet i rajonit, që ka nënshkruar një traktat të partneritetit strategjik me Rusinë, që i ka dhënë një bazë ushtarake Rusisë dhe i cili zhvillon vazhdimisht në territorin e tij manovra ushtarake të përbashkëta me forcat ushtarake ruse.

Është arritur një pikë në raportet BE-Serbi, që jo vetëm kërkon një rivlerësim, por më së pakti kërkon një shpjegim. Kërkon një shpjegim të Brukselit për një politikë preferenciale apo të standardeve të dyfishta, që BE ka ndjekur vazhdimisht ndaj Serbisë në krahasim me shtetet e tjera të rajonit. Kërkon një shpjegim politika e dështuar e indulgjencave ndaj Serbisë, politikë e cila qysh nga viti 2000 kur u mbajt për herë të parë samiti i BE me vendet e të ashtuquajturit “Proces i Stabilizim-Asocimit”, nuk e ka bërë Serbinë më evropiane, por e ka bërë më proruse. Do të ishte naivitet, në mos gabim i madh, që disa qarqe diplomatike evropiane ta vlerësojnë si ftohje serbe me Rusinë faktin që presidenti rus Vladimir Putin nuk ia ka dërguar akoma presidentit serb ftesën për ceremoninë e tij të inaugurimit presidencial në 7 maj 2018.

Kursi që po ndjek diplomacia evropiane, duke mbyllur sytë ndaj qëndrimeve dhe politikës proruse të Serbisë është një kurs i gabuar ose më saktë është një taktikë e gabuar gjeopolitike, e cila në fund të rrugës do të tregojë se Evropa e ka humbur Serbinë.

Nga ana tjetër, qëndrimi symbyllët që BE po demonstron ndaj filorusizmit të Serbisë jep një shembull të keq për shtetet e tjera të rajonit, të cilat kanë kuota të larta orientimi dhe ndjenje properëndimore. Nëse njëri apo tjetri shtet sheh shembullin e Serbisë, e cila sa më shumë bëhet proruse, aq më shumë e konsiderojnë dhe e duan në Evropë, kjo do të nxiste njërin apo tjetrin shtet të rajonit të ndiqte shembullin serb dhe të niste të flirtonte me Rusinë.

Në diplomaci funksionon edhe shembulli pozitiv, por edhe shembulli negativ. Sepse nuk mendoj se është për t’u duartrokitur qëndrimi i Francës, e cila i krijon Serbisë proruse statusin e shtetit të marrëdhënieve të posaçme dhe i ofron rolin e liderit të rajonit, kurse ndaj Shqipërisë, një shteti me devocion perëndimor dhe me një klasë politike me devocion filofrancez, ka adoptuar sipas burimeve më të fundit të besuara diplomatike qëndrimin e bllokimit të hapjes së bisedimeve të pranimit me BE.