Të edukojmë tek fëmijë respektin për veten

0
93

Fëmijët janë lulet më të bukura dhe frutat më të shijshme të kësaj bote. Prindërit e tyre janë ata, që i sjellin në jetë, që kujdesen për ta e që i përgatisin për jetën. Ky mision nis që në edukimin e tyre me ndjenjën e respektit për veten.

Respekti për veten lind, formohet e konsolidohet që në moshë të vogël. Prindërit dhe mësuesit janë ata, që duhet të dinë ta trajtojnë tek fëmijët këtë problem, sa delikat aq edhe të domosdoshëm. Është një detyrë e vështirë, që realizohet, nëse do të arrijnë të kombinojnë drejt, përqindjen e dashurisë, që u jepet fëmijëve, me kërkesën e llogarisë. Asnjëra prej tyre nuk duhet t’u mungojë dhe as të jepet me tepricë.

Nëse i jepet rëndësi të parës, duke i plotësuar çdo nevojë, çdo tekë, çdo kënaqësi e çdo kërkesë, duke u rritur, fëmijët duan, që gjithçka që shohin, gjithçka që prekin, gjithçka që është para tyre, të bëhet e tyrja, pa pyetur kë shkelin, kë lëndojnë, pronë e kujt është ajo, që duan ta përvetësojnë. A i ka mundësitë prindi, për t’i dhënë gjithçka që kërkon fëmija? Produkt i këtij trajtimi, do të jetë një fëmijë tekanjoz, i përkëdhelur, i dhunshëm, i pa-komunikueshëm me shokët, me një tendencë të theksuar të të qenit “kapo” në grup ose në kolektiv.

Nëse i mëshohet të dytës, duke i kërkuar llogari për gjithçka e vazhdimisht, duke gjykuar çdo veprim që kryen, duke i bërtitur e kritikuar për çdo gjë, duke mos e lejuar të shprehet e të kërkojë diçka, kjo, ka të keqen tjetër shumë të madhe.

Produkt i këtij trajtimi, do të jetë një fëmijë pa iniciativë, i frikësuar, pa guxim, pa kurajo, i nënshtruar para kujtdo, objekt i dhunës prej më të fortëve dhe shpesh, agresiv i pamotivuar e i rrezikshëm.

Fëmijës i duhet dhënë çdo gjë me masë. Ai, në çdo moment duhet të ndjejë dashurinë e prindërve dhe të njerëzve të tjerë, që e rrethojnë, t’i plotësohen, sipas mundësive të familjes, nevojat materiale e shpirtërore, të stimulohet e lavdërohet për çdo veprim të mirë që kryen. T’i kërkohet fëmijës, që të shprehë mendimet e tij për një temë të caktuar. Kjo gjë e aftëson, që të gjykojë drejt për situata të ndryshme e për shokët. Njëkohësisht, ata duhet të edukohen me normat e mirësjelljes, të respektit, të mirënjohjes e të korrektësisë në shoqëri. Fëmijës duhet t’i bëhet e qartë në praktikë, që, jo çdo gjë që shikon e i pëlqen, duhet ta përvetësojë. Si qytetar i denjë, ai duhet ta dijë, që çdo njeri në këtë botë, ka personalitetin e vet dhe askush nuk mund t’i nënshtrohet tjetrit ose të shkelë mbi jetën e të tjerëve.

E bëra këtë analizë, për të nënvizuar faktin, që çdo drejtim të cilin njeriu merr në jetë, e ka një bazament fillestar, mbi të cilin formohet personaliteti. Kjo është edukata, që merr në familje e në shkollë. Personaliteti përcakton karakterin e njeriut.

Respekti për veten, është një ndër dukuritë kryesore të karakterit. Nëse di të respektosh veten, ke kontrollin për gjithçka: Di të kontrollosh veprimet që bën, di të realizosh objektivat që i ke vënë vetes, di të mbash përgjegjësi për atë që është detyra jote, di të kërkosh e të marrësh, deri atje ku nuk cenon të tjerët, di të vendosësh nën kontrollin e trurit, ndjenjat dhe emocionet e tua. Nëse ke mundur ta respektosh veten në këtë mënyrë, natyrshëm ke respektuar edhe pjesën tjetër të shoqërisë. Të respektosh veten, në asnjë mënyrë nuk do të thotë, të të pëlqejë vetja e të mbivlerësosh veten. Kjo është ana negative e medaljes.

Gjatë ushtrimit të profesionit tim si mësuese dhe edukatore, jam ndeshur me karaktere nga më të ndryshme fëmijësh. Si për çdo mësues, më të mirët e më të talentuarit, kanë mbetur në kujtesën tonë të pa harruar. Por mësuesi e ka shumë të vështirë, të harrojë edhe një grup nxënësish, me të cilët na është dashur të punojmë shumë e me durim. Jemi ndeshur me veprime e shembuj ekstremisht të kritikueshëm, ku jo gjithmonë prindërit i kanë gjykuar me objektivitet gabimet e fëmijëve. Në këto raste, ata nuk mbështesin punën dhe përpjekjet e shkollës, për të krijuar një front unik edukimi. Pikërisht, që këtu fillon devijimi i karakterit të fëmijëve, prandaj të gjithë së bashku të kontribuojmë më tepër, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Sensibilizimi i shoqërisë, është domosdoshmëri e kohës. Lefteri Gjoshe (mësuese në pension)