11.5 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Të dua o Muhamed (salallahu alejhi ue selem)

Më të lexuarat

Të dua, o ti që realitetin e kësaj fjale të bukur nga ty e mësova!
Mësova prej teje, se ëmbëlsinë e besimit do ta shijoj atëhere kur Allahun dhe ty (o i
Dërguar i Zotit), t’ju dua më shumë se çdo gjë tjetër në këtë ekzistencë, madje edhe më
shumë se vetveten.
Më mësove që prindërit t’i dua me një dashuri të veçantë dhe se ata me të vërtetë e
meritojnë këtë dashuri; madje më mësove që kjo dashuri më çon në Xhenet.
Ti ishe, që më orientove që dashurinë ta kem sjelljen dhe virtytin tim në çdo aspekt, e
nëse do ta dua dike, ta dua vetëm për hir të Allahut e jo për interesa të kësaj bote, sepse nëse dashuria është e tillë nuk zgjat shumë e as nuk jep fryte.
Ti më mësove që dashurinë ta kem të madhe, të mos ja kursej atë askujt, madje më
tregove se nuk do të jem kurrë musliman i denjë, derisa të dua për muslimanët atë që dua
për veten time.
Unë vërtet nuk qëndrova pranë teje, madje as nuk arrita dot të të shikoja, por prej teje
unë mësova ç’është dashuria.
Ishe pikërisht ti ai që më mësove, se dashuria reale është ajo e cila ka vend për jetimët,
të vejat, fukarenjtë e nevojtarët. E pra ti më vizatove kufijtë e dashurisë në zemrën time.
Kështu që unë do të të dua ty, që më mësove dashurinë. Do të të dua, sepse ti dashurinë
tënde nuk e kurseve për askënd, madje as për ne që kemi ardhur shumë më vonë pas vdekjes tënde.
Ditën më të vështirë për njerëzimin. Atë ditë kur ata të jenë paraqitur të gjithë para Zotit
të tyre, kokë ulur, pa fjalë e të frikësuar -ndërkohë që presin gjykimin-, ti do të kërkosh leje e pasi Allahu ta japë këtë mundësi do të thuash: -O Allah! Shpëtoje umetin tim (shpëtoji besimtarët). E kjo tregon dashurinë tënde të madhe, e cila nuk njeh kufi.
Do të të dua o Muhamed dhe dashurinë që kam për ty kurrë nuk do të më zbehet, edhe
pse dikush përpiqet ta fikë atë në zemrat e besimtarëve.
Do të të dua deri në frymën e fundit, dhe lus Allahun, që këtë dashuri të më ndihmoj ta
ve në zbatim me mësimet, këshillat dhe ato që ti ke urdhëruar.
Do të të dua, sepse ti mëshirë u dërgove për të gjithë njerëzimin, dhe me dashurinë
tënde i fitove zemrat e tyre.
O Zot, na tako me Profetin tonë ditën e Gjykimit, e na ringjall në shoqërinë e tij, e na
bashko me të në Xhenet. AMIN.
Bledar Haxhiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit