6.6 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Të adhuruarit e Allahut

Më të lexuarat

Përgatiti: Bahri Curri

Allahu subhanehu ve teala dërgoi pejgamberët dhe zbriti librat e Tij për të realizuar një qëllim të lartë, i cili është Njësimi i Allahut në adhurim (ibadet) ku nuk duhet të adhurohet askush tjetër përpos Tij, të mos i nënshtrohet (afrohet) askujt tjetër përpos Allahut.

Allahu xhel-le shanuhu[1] thotë:

“Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni djajve(adhurimit të tyre)!”[2]

E bëri këtë për arsye se njerëzimi devijoi nga rruga e adhurimit të drejtë të Zotit të tyre duke adhuruar idhuj. Erdhi Thirrja e pastër e pejgamberëve për ta përmirësuar këtë shtrembërim, dhe t’i orientojnë njerëzit në adhurimin e Zotit të tyre. Ky është synimi për të cilin edhe jemi krijuar, Allahu azze ve xhel-le[3] thotë:

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë.”[4]

Ibadet, sipas asaj që e definojnë dijetarët, është: Çdo gjë që e do Allahu dhe është i kënaqur me të, qofshin vepra a fjalë, të dukshme si namazi, sadakaja e tjera, apo të padukshme si dashuria ndaj Allahut, Pejgamberit dhe besimtarëve, si dhe urrejtja e jobesimtarëve dhe hipokritëve (munafikëve).

Ibadeti nuk pranohet pa i plotësuar dy kushte themelore:

Kushti i parë:

Sinqeriteti i plotë për Allahun (ihlasi), që do të thotë: Të synojë gjithmonë me adhurimin e tij kënaqësinë e Allahut subhanehu ve teala. Allahu i Lartësuar thotë:

“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë.”[5]

Kushti i dytë:

Pasimi me konsekuencë i Sunetit të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili arrihet duke e kryer njeriu adhurimin e tij në pajtim me udhëzimin dhe ligjin e Pejgamberit alejhi selam. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë:

“Kush shpikë në çështjen(fenë)tonë diç që nuk është prej saj, ajo nuk pranohet.”[6]

Adhurimi i Allahut subhanehuveteala është synimi final i Thirrjes (da’vetit) të pejgamberëve, është shkak i shpëtimit në Dynja dhe në Ahiret. Andaj, muslimani obligohet që të kujdeset sa më tepër për furnizimin e tij në këtë, qoftë me farze (detyra obligative), apo me nafile (vepra vullnetare), dhe ta kryejë këtë (adhurimin) ashtu si e dëshiron Allahu me plot sinqeritet, pa mendjemadhësi, pa syefaqësi e nam, larg bid’ateve e epsheve.

Kush kujdeset për këtë, ai është i denjë t’i pranohet adhurimi (ibadeti) i tij dhe ta arrijë kënaqësinë e Zotit të vet, e me këtë t’i shijojë edhe begatitë e Xhenetit. E lusim Allahun e Lartësuar të na ndihmojë në Rrugën e Tij dhe të na largojë nga mëkatet e gabimet! [7]


[1] Xhel-le shanuhu: Edhe kjo thënie përdoret për Allahun, dhe ka kuptimin: I Lartësuari.

[2] Nahl, 36.

[3] Azze ve xhel-le: Edhe kjo shprehje përdoret për Allahun, dhe që ka kuptimin: I fortë, i ngritur dhe i lartë.

[4] Dharijatë, 56.

[5] Bejjine, 5.

[6] Transmetojnë: Buhariu nr. 2697, dhe Muslimi nr. (1718) 17.

[7] Ky material është marrë nga: www.islamweb.net. Është përkthyer nga arabishtja në Korrik 2005.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit