Tallja me fenë e Allahut xh.sh.

0

Tallja me diçka prej fesë së Muhamedit alejhi selam është kufër (mosbesim), si për shembull të tallurit me mjekrën, shpërblimin në xhenet apo me ndonjë ndëshkim në xhehenem, etj.. Allahu xh.sh ka thënë: “E nëse i pyet ti ata (përse tallen), do të thonë: “Ne vetëm jemi mahnitur e dëfryer. Thuaj: “A me Allahun, librin dhe të Dërguarin e Tij talleni? Mos kërkoni fare ndjesë, ju pasi që (shpallët se) besuat, keni mohuar (keni bërë kufër).” [Et-Teube, 65-66]
Allahu xh.sh. i ka kërcënuar ata që tallen me fenë e Allahut xh.sh. me një ndëshkim të dhimbshëm: “Edhe kur të mësojnë diçka prej ajeteve Tona, ai i merr ato për tallje. Për të tillët pason një dënim shtypës.” [El-Xhathije, 9]
Dhe dihet se Allahu xh.sh. me këtë lloj dënimi nuk i dënon besimtarët. Pra, ata që tallen me fenë e Allahut janë jobesimtarë.
Ibn Hazmi ka thënë: “Argumentet nga Kurani dhe Suneti tregojnë se çdo person i cili tallet me Allahun xh.sh. apo me ndonjë melaqe prej melaqeve, apo me ndonjë Pejgamber prej Pejgamberëve alejhimus selam, ose tallet me ndonjë ajet prej ajeteve të Kuranit, apo me ndonjë obligim prej obligimeve të fesë (si p.sh, me namaz, haxh etj.) është qafir (jobesimtar).” [Shih: El-Fasl, 3/299]
Të tallurit me fenë e Allahut xh.sh. është prej cilësive të jobesimtarëve, Allahu xh.sh thotë: “E kur të shohin ty, nuk të çmojnë ndryshe, por vetëm në tallje e thonë: “A ky është ai që Allahu e dërgoi pejgamber? Sikur ne të mos ishim të qëndrueshëm ndaj tyre, ai gati na pat zmbrapsur prej zotave tanë!” E më vonë, kur ta shohin qartazi dënimin, do ta kuptojnë se kush ishte më larg nga e vërteta.” [El-Furkan, 41-42]
Të tallurit me fenë e Allahut xh.sh. është prej cilësive të munafikëve (hipokritëve), Allahu xh.sh. thotë: “Mëkatarët ishin ata të cilët i përqeshnin ata që besuan. Dhe kur kalonin (besimtarët) pranë tyre (idhujtarëve), ata ia bënin me sy njëri-tjetrit. E kur ktheheshin te familjet e veta, ktheheshin të kënaqur. Dhe kur i shihnin ata (besimtarët), thoshin: S’ka dyshim se këta (besimtarët) janë të humbur! Po Ne, nuk i caktuam ata (idhujtarët) si roje të atyre (besimtarëve).”
[El-Mutaffifin, 29-33]
Ai i cili tallet me diçka prej fesë së Allahut xh.sh. apo me diçka që i ka zbritur Pejgamberit alejhi selam është jobesimtar, edhe nëse pretendon se nuk ka pasur për qëllim që të dalë prej fesë, edhe nëse është prej atyre që e fal namazin dhe agjëron Ramazanin.
Ai person i cili tallet me fenë e Allahut xh.sh. ka dalë prej fesë islame dhe nuk është musliman, sepse Allahu xh.sh. në ajetet e lartpërmendura i quajti jobesimtarë ata të cilët talleshin me besimtarët.
Allahu xh.sh. gjithashtu e ka ndaluar që të rrihet aty ku tallen me fenë e Allahut xh.sh.. Allahu xh.sh. thotë: “Juve u është shpallur në librin (Kuranin) që, kur të dëgjoni se po mohohet Kurani i Allahut dhe po bëhet tallje me të, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër. Përndryshe, ju do të jeni si ata. Allahu do t’i tubojë tradhtarët dhe jobesimtarët që të gjithë në xhehenem.” [En-Nisa, 140]
Ibn Kethiri, kur e komenton këtë ajet, thotë: “Nëse ju qëndroni në një mexhlis (ndejë) ku tallen me fenë e Allahut dhe ti nuk i kundërshton ata apo i përkrah ata, në këtë rast edhe ti je sikur ata (prej jobesimtarëve).” [Tefsir ibn Kethir, 1/567]
Të kemi kujdes vëllezër që të mos tallemi me fenë e Allahut xh.sh.. Gjithashtu, të tallurit me ndonjë musliman për shkak të fesë së tij është kufër, si p.sh. të tallurit me mjekrën e tij, duke i thënë p.sh. je bërë si të krishterët, apo të përqeshen motrat muslimane duke i thënë se jeni bërë si ‘shkinat’ me këtë veshje, veshje të cilën e kanë veshur nënat e muslimanëve, pra gratë e Pejgamberit alejhi selam.
Ai i cili tallet me ndonjë musliman për shkak të fesë së tij, ka bërë kufër. Allahu xh.sh. ka thënë: “E nëse i pyet ti ata (përse tallen), do të thonë: “Ne vetëm jemi mahnitur e dëfryer. Thuaj: A me Allahun, librin dhe të Dërguarin e Tij talleni? Mos kërkoni fare ndjesë, ju pasi që (shpallët se) besuat, keni mohuar (keni bërë kufër).” [Et-Teube, 65-66]
Pra vëllezër, mos u tallni me fenë e Allahut duke u arsyetuar se ne vetëm po dëfrehemi dhe po bëjmë shaka, sepse të tallurit me fenë e Allahut apo të tallurit me ndonjë musliman për shkak të fesë së tij është kufër që e largon njeriun prej Islamit (Allahu na ruajttë!).
Allahu na ruajttë prej shirkut dhe kufrit dhe na bëftë prej të devotshmëve! Amin!

 

Përktheu dhe përshtati: Eroll Nesimi
9.11.2007