Tadiq: Vuçiq, që bëri thirrje për vrasjen e Myslimanëve, ta marrë mbi vete përgjegjësinë e humbjes së Kosovës

0

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë se ideja e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për hapjen e “dialogut të brendshëm” për Kosovën është “akt bizar”.

Në një bisedë për FoNet, presidenti i Partisë Socialdemokrate (SDS), Tadiq, ka thënë se nuk mund të bëhet thirrje për dialog për një çështje kaq të rëndësishme, siç është “identiteti dhe integriteti i vendit”, e të mos hapet dialogu për temat tjera të ndryshme.

Ai thotë se vet fjala dialog nënkupton respektimin e mendimeve ndryshe dhe ka konstatuar se Vuçiqi “është njeriu i gabuar për të hapur temën e Kosovës, sepse nuk ka qasje auto-kritike ndaj vetes”, transmeton KD.

Sipas ish-presidentit serb, për Kosovën nuk mund të bisedohet pa dialog paraprak për tolerancë në shoqëri, gjendjen e punëtorëve, për liritë e mediave dhe të qytetarëve, për arsimin, zhvillimin teknologjik, kushtet zgjedhore…

I pyetur që të sqarojë nëse e sheh Vuçiqin si pengesën kyçe për t’iu përgjigjur ftesës për dialog, Tadiq ka thënë se presidenti aktual i Serbisë “shkatërron dialogun, demokracinë dhe institucionet e pavarura”.

Tadiq për këtë “nuk dëshiron të jetë pjesë e shfaqjes teatrale, qëllimi i së cilës është që të avancohet drejt marrjes së vendimit për Kosovën”.

Ai thotë se Serbia, pas marrëveshjeve të Brukselit, pas njohjes së sistemit të drejtësisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, gjendet në një “tatëpjetë” në raport me kapacitetet e saja për të kontrolluar diçka në Kosovë.

“Nuk kam informata se cilat janë marrëveshjet e Vuçiqit, e para tij të Nikolliqit, me fuqitë e mëdha. Nuk jam interesuar, por mendoj se shumë shpejtë gjithçka do të del në pah”, parashikon Tadiq, transmeton KD.

Sipas ish-presidentit serb, presidenti aktual i Serbisë nuk ka as të drejtë, as mandat “që të humb atë që nuk është humbur as në luftë”, ndonëse mendon se në Serbi është krijuar opinioni se është “shumë moderne dhe pro-evropiane që të hiqet dorë nga ajo që nuk është humbur gjatë luftës”.

“Deri në njohje [të pavarësisë së Kosovës] dhe në anëtarësim në OKB janë edhe disa marrëveshje”, thotë Tadiq, dhe shton se qëndrimi i tij ndahet në katër pika, mirëpo thotë se Amerika dhe Rusia janë kundër ndarjes së Kosovës, ndonëse kjo “do të ishte zgjidhja më e dëshirueshme”.

Këtë plan në katër pika, Tadiq do të mund ta paraqiste edhe tani në formë të shkruar, si kontribut ndaj dialogut, por beson se “sot është vështirë i aplikueshëm”.

Sikur të ishte në vend të Vuçiqit, Tadiqi thotë se “në rrethanat e reja, do ta mendonte mirë ulësen eventuale në OKB pa njohje formale”.

“Do ta mendoja shumë seriozisht këtë. Por, përgjegjësinë do të duhej marrë ai, e jo të kërkojë nga opozita ta ndajë atë përgjegjësi”, ka porositur Tadiq, transmeton KD.

Duke u përgjigjur në pyetjen për kornizën e para-caktuar përmes së cilës bisedojnë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, Tadiq ka thënë se Vuçiq, për shkak të së kaluarës së tij të rëndë, ka hapësirë edhe më të ngushtë për negociata sesa që kishte vetë ai [Tadiq] teksa ishte president.

“Vuçiq, i cili ka bërë thirrje për vrasjen e Myslimanëve, është dashur ta kualifikojë veten e tij me bashkëpunim më të gjerë ndaj Perëndimit, ndërsa unë kam pasur vija të kuqe, për shkak të të cilave, mes tjerash, kam humbur edhe zgjedhjet”, ka thënë Tadiq.

Ai vlerëson se “një president i një shtet, i cili ka autoritet kushtetues të luftojë për integritetin e vendit, nuk mundet t’ia lejojë vetes që të humb veriun [e Mitrovicë], kishat dhe manastiret”.

Kreu u SDS-së, Boris Tadiq, thotë se Vuçiq e ka njohur sistemin e drejtësisë të Kosovës, e në të njëjtën kohë “e ka luajtur lojën e luftës për Kosovën” dhe na ka sjellë “të gjithë neve në situatën kur Kosova, herët a vonë, do të bëhet vend i pavarur për inercionin e ngjarjeve politike në bashkësinë ndërkombëtare”.

“Esenca është që Vuçiq të merr përgjegjësinë mbi vete si president i vendit”, ka porositur Tadiq dhe ka vlerësuar se për këtë “askush nuk do ta djegë Jarinjen, e as opozita nuk do të organizojë demonstrata të dhunshme me viktima njerëzore”.