20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

“Synojnë të hedhin dyshime mbi ekonominë e fortë të Turqisë”

Më të lexuarat

Presidenti i Turqisë u shpreh se është i qartë objektivi i këtij sulmi i cili kryhet nëpërmjet kursit të këmbimit valutor dhe i cili nuk ka asnjë bazë ekonomike dhe asnjë lidhje me parametrat e ekonomisë së Turqisë

 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se me manipulimet valutore synojnë të hedhin dyshime mbi ekonominë e fortë të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan i shoqëruar nga ministrat turq nga e shtuna ka nisur një vizitë tre-ditore në Kirgistan. Ai gjatë një fjalimi në Forumin e Biznesit Turqi-Kirgistan në kryeqytetin Bishkek, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Kirgistanit, Sooronbay Jeenbekov, ka theksuar se sistemi ekonomik botëror i themeluar pas Luftës së Dytë Botërore ndodhet përballë një sprove të re.

“Sulmet e fundit me të cilat vendi ynë po përballet javët e fundit janë shembulli më konkret. Me manipulimet valutore synojnë të hedhin dyshime mbi ekonominë e fortë dhe solide të Turqisë. Edhe agjencitë e vlerësimit të kreditit janë politike, nuk janë të drejta dhe të sinqerta ku çdo hap i tyre është politik dhe janë si akrobatë. Prandaj mos u besoni këtyre akrobatëve, por gjithsecili të shikojë punën e tij ashtu sikurse kemi vepruar deri më sot”, tha Erdoğan.

Presidenti i Turqisë u shpreh se është i qartë objektivi i këtij sulmi i cili kryhet nëpërmjet kursit të këmbimit valutor dhe i cili nuk ka asnjë bazë ekonomike dhe asnjë lidhje me parametrat e ekonomisë së Turqisë.

“Qëllimi këtu është që të marrin në dorëzim ekonominë e Turqisë. Qëllimin e kanë që punën e pambaruar në natën e 15 korrikut me tentativën e grusht shtetit nga anëtarët e ulët të FETO-s, që e kanë shitur shpirtin për 1 dollarë, ta përfundojnë me dorën e ‘killerave ekonomikë’. Por masat e marra nga shteti ynë, apo qëndrimi vendosur nga populli ynë, gjithashtu e kanë bërë të pasuksesshëm këtë përpjekje të grushtit ekonomik. Populli turk ashtu sikur i doli përballë armëve të puçistëve në natën e 15 korrikut, gjithashtu nuk do t’i dorëzohet armëve ekonomike të atyre që i kanë nën kontroll ato. Askush të mos ketë dyshim se ekonomia e Turqisë do të dalë edhe më e fortë nga ky proces”, theksoi Erdoğan.

Presidenti turk tha se janë të vendosur të ndërtojnë me kuptimin e plotë pavarësinë e ekonomisë në çdo fushë, por kryesisht në industrinë e mbrojtjes, duke shtuar se në këtë aspekt më parë kanë patur rreth 20 për qind të vetëmjaftueshmërisë e cila sot është 65 për qind.

Presidenti i Kirgistanit fton investitorët turq

Ndërkaq, presidenti Jeenbekov, në fjalimin e tij në Forumin e Biznesit Turqi-Kirgistan, ka ftuar investitorët turq të investojnë në vendin e tij.

“Ekziston një mjedis besimi midis Kirgistanit dhe Turqisë. Marrëdhëniet tona bilaterale po përmirësohen”, tha Jeenbekov.

Jeenbekov tha se biznesmenët turq që nga viti 1995 deri më sot investuan më shumë se 500 milionë dollarë në Kirgistan.

“Ne dëshirojmë që të eksportojmë produkte bujqësore ekologjike në Turqi”, shtoi ai.

Presidenti Jeenbekov theksoi se vëllimi tregtar midis Kirgistanit dhe Turqisë ishte rreth 356 milion dollarë.

“Vëllimi i tregtisë tonë u rrit 18 për qind në 25 vitet e fundit. Ne nuk e përdorim potencialin tonë të plotë. Ne duhet të luftojmë për të rritur vëllimin e tregtisë në 1 miliardë dollarë”, theksoi presidenti Jeenbekov.

Turqia do të shpëtojë lidhjet me Kirgistanin nga “hija” e FETO-s

Presidenti Erdoğan, në kuadër të vizitës së tij në Kirgistan, pranoi një doktoratë nderi në Universitetin Manas në Bishkek, ku i pranishëm në ceremoni ishte edhe presidenti i Kirgistanit, Sooronbay Jeenbekov.

Presidenti i turk në ceremoninë në Universitetin Manas në kryeqytetin Bishkek, deklaroi se Turqia është e vendosur të zgjerojë më tej marrëdhëniet dypalëshe me Kirgistanin, duke e shpëtuar atë nga “hija” e Organizatës Terroriste Fetullah (FETO)”.

“Ne jemi të vendosur në zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona në periudhën e ardhshme duke e ruajtur atë nga hija e FETO-s”, theksoi presidenti Erdoğan.

Erdoğan paralajmëroi Kirgistanin për FETO-n, duke thënë se ajo është një organizatë “e pabesë dhe e poshtër”.

FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut 2016, i cili la 251 persona të martirizuar dhe rreth 2.200 të plagosur.

Presidenti turk hap xhaminë në Kirgistan

Presidenti Erdoğan dhe presidenti Jeerbekov, po ashtu kanë inauguruar xhaminë qendrore Imam Serahsi në kryeqytetin Bishkek të Kirgistanit.

“Unë shpresoj që ky monument do të sigurojë forcimin e lidhjeve të fesë, gjuhës, historisë, kulturës dhe vëllazërisë së përbashkët midis Kirgistanit dhe vendit tonë”, tha presidenti Erdoğan në inaugurimin e xhamisë qendrore.

Duke shprehur shpresë se kjo punë do të bëhet një simbol i unitetit dhe paqes midis vëllezërve, presidenti Erdoğan theksoi, “Sepse, ne jemi dy gjysmë shtete, por një komb. Mbi të gjitha, ne jemi umet”.

Xhamia e inauguruar në Bishkek mund të akomodojë 20 mijë besimtarë, ndërsa shtrihet në mbi 7.000 metra katrorë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit