11.3 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Sunetet e harruara

Më të lexuarat

Sunetet e harruara (1)

Fjala “Subhaneke Allahumme rabena ue bihamdik Allahumme igfirli”

Prej suneteve që pothuajse janë harruar nga një pjesë e mirë e muslimanëve, pos atyre që ka mëshiruar Allahut, është edhe thënia “Subhaneke Allahumme rabena ue bihamdik Allahumme igfirli” në sexhde dhe ruku.

Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) shtonte në sexhden dhe rukun e tij, thënien “Subhaneke Allahumme rabena ue bihamdik Allahumme igfirli”. Muslimi

Cfarë përfitohet nga hadithi:

1. Është e pëlqyeshme (mustehab) thënia e kësaj lutje në sexhde dhe ruku.

2. Kërkohet nga muslimani që të jetë i kujdesshëm në praktikimin e këtij suneti të harruar.

3. Pak prej njerëzve sot janë që e thonë këtë lutje në sexhde dhe ruku.

4. Prej shenjave të dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është edhe pasimi i tij në fjalët dhe veprat.

5. Kërkohet nga muslimani që të përpiqet më të gjitha forcat e tij që të mësojë formën e saktë të namazit, ashtu siç e ka falur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

6. Ai që nuk mëson formën e namazit siç e ka falur Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), personit të tillë i ikin (humbasin) shumë sunete pa praktikuar dhe po ashtu edhe shumë shpërblime.

Sunetet e harruara (2)

Falja e dy rekateve në xhami kur kthehesh nga udhëtimi

Transmetohet nga Kab bin Malik se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-Allahu alejhi ue sel-lem) kur kthehej nga udhëtimi fillonte me xhaminë (shkonte në xhami) dhe falte në të dy rekate.”

Cfarë përfitohet nga hadithi:

1. Në hadith tregohet se është sunet që udhëtari kur kthehet prej udhëtimit të tij në fillim të shkoj në xhami dhe të fal dy rekate.

2. Lejohet që ai t’i falë këto dy rekate në çdo xhami, që i vjen më lehtë atij, tek qyteti i tij.

3. Imam Uthejmni (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Besoj se të pakët janë, sot, ata njerëz të cilët punojnë me këtë sunet. E kjo për shkak të mosdijes së tyre në lidhje me këtë. E një gjë e tillë (falja e dy rekateve) është shumë e lehtë, elhamdulilah.

4. Kërkohet nga muslimani që të jetë i kujdesshëm në praktikimin e suneteve, e sidomosë si puna e këtij suneti, ku shumë prej njerëzve e kanë lënë në harresë.

Sunetet e harruara (3)

Shejh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) në “Sherh el Mumti’i” vëll. 3, thotë: Nëse personi lexon (ajetin kuranor):

“A nuk është Ai (Zot) i fuqishëm që i ngjall të vdekurit?” El Kijjame, 40, të thotë “Bela” ose “Subhaneke febela”. Ngase në lidhje me të transmetohet hadithi nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Imam Ahmedi thotë: Kur lexon

“A nuk është Ai (Zot) i fuqishëm që i ngjall të vdekurit?” El Kijjame, 40, në namaz apo jashtë tij, personi duhet të thotë:“Subhaneke febela”, si në namazin farz ashtu edhe në atë vullnetar (nafile.)”

Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Një burr ishte duke u falur lart shtëpisë së tij, e kur lexonte:

“A nuk është Ai (Zot) i fuqishëm që i ngjall të vdekurit?” El Kijjame, 40, tha: “Subhaneke febela”. E pyetën në lidhje me këtë, e ai tha: “E kam dëgjuar këtë prej të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).” E ka nxjerr Ebu Daudi me zinxhir të saktë nga një person, i cili është sahabij dhe mosnjohja e tij nuk përbën problem. Prandaj e kam nxjerr në “Sahihu Sunneni Ebi Daud” me nr. (827). “Temamul Minneh” Allahu e di më së miri!

Sunetet e harruara (4)

Të pështyrit tri hetë në anan e majtë në namaz kur ke vesvese

Shumë prej namazlive ankohen për shkak të asaj që i godit ata në namazin e tyre, i cili është shtylla e fesë, prej ngacmimeve (vesveseve shejtanore). Gjë e cila bëhet shkak për largimin e khushuas së tyre dhe privimit të tyre, në veçanti kur i përgjigjen asaj, prej shumë nga gjurmëve të namazit në zemrat e tyre dhe në çdo pjesë së jetës e tyre. Ekzistojnë disa sunete, të cilat janë lënë në harresë nga shumë njerëz, e kjo, nga injoranca e tyre, nga të qenurit të shkujdesur në praktikimin e tyre apo nga turpi që kanë nga të punuarit me to. Allahu el mustean!

Transmetohet nga Uthman bin Ebi el As (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka shkuar tek Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe tha: O i Dërguari i Allahut, shejtani ndërhyri mes meje dhe mes namazit dhe leximit tim të Kuranit e m’i ngatërroi mua. I Dërguari i Allahut tha: ”Ai është një shejtan që quhet Khinzeb. Nëse e ndjen këtë shejtan, atëherë kërkoji Allahut që të mbrojë prej tij dhe pështy tri herë nga ana e majtë”. Tha: Veprova ashtu siç porositi (Profeti) me të dhe Allahu e largoi atë prej meje.” E ka nxjerr Muslimi

En Neveviu ka thënë: “Në këtë hadith tregohet pëlqyeshmëria e kërkëmit të mbrojtjes së Allahut prej shejtanit kur ai të bën vesvese duke pështyrë nga ana e majtë tri herë.” “Sherh Muslim”

Dijetari i madh Ibën Bazi (Allahu e mëhsiroftë!) thotë: “Të pështyrët gjatë faljes së namazit duke kërkuar që Allahu të mbrojë prej shejtanit të mallkuar kur ai të hedh vesvese nuk përbën problem, përkundrazi, kjo gjë është mustehab kur ke nevojë për të. E kjo bëhet vetëm me kokë.” “Mexhmu Fetaua Ibën Baz”

Po ashtu ai (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Është e ligjëruar për namazliun, qoftë burrat apo gratë, që të futet në namaz në formën dhe gjendjen më të mirë, t’i frikësohet në të Allahut dhe të sjellin ndërmend se ai po qëndron para Zotit të tij, derisa të largohet prej tij shejtani dhe të pakësohen vesveset, duke punuar me fjalën e Allahut të Lartmadhëruar: “Kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit.” El Mu’minun 1-2

Kur shtohen vesveset, atëherë është e ligjëruar, për personin, kërkimi i mbrojtjes së Allahut prej shejtanit të mallkuar. Qoftë kjo edhe në namaz, duke pështyrë tri herë në anën e majtë të tij dhe duke kërkuar, gjithashtu tri herë, që Allahu të mbrojë prej shejtani, ashtu siç e urdhëroi Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) Uthman bin Ebi el Asi.” “Mexhmu fetaua Ibën Baz”

SUNETET E HARRUARA (5)

Falja e dy rekateve në shtëpi kur ktheheh nga namazi i festës

Transmetohet nga Ebi Seid el Hudri radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk falte asgjë para namazit të festës dhe kur kthehej në shtëpi falte dy rekate.”

Hadithin e ka nxjerr Ibën Maxhe, Ahmedi, Ibën Huzejme, El Hakimi dhe Es Sujuti. Hadithin e ka saktësuar El Hakimi dhe e ka aprovuar Edh Dhehebiu. Kurse e ka bërë hasen (të mirë) Ibën Haxheri dhe shejh Albani (Allahu i mëshiroftë të gjithë ata!).

Sunetet e harruara (6)

Larja e hundës tri herë kur zgjohesh prej gjumit

Prej suneteve te harruara është edhe larja e hundës tri herë kur zgjohesh prej gjumit ngase shejtani e kalon natën aty. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thene: “Kur ndonjë prej jush zgjohet nga gjumi atëherë le ta shpërlaj hundën e tij tri herë, sepse shejtani e kalon natën brenda hundës se tij.” Muslimi.
Në një transmetim tjetër “…le të marre abdes e le ta shpërlaj hundën e tij tri herë…” Buhariu dhe Muslimi.

Sunetet e harruara (7)

Udhëtimi ditën e enjte

Dije, Allahu të forcoftë në këtë fe, se Islami është Suneti dhe Suneti është Islami. Kërkohet nga muslimani që ta dojë sunetin e saktë profetik, të punojë me të dhe t’i ftojë të tjerët tek ai. Prej suneteve të harruara është edhe udhëtimi ditën e enjte.

Dihet se udhëtimi lejohet në çdo ditë dhe në çdo kohë, porse më parësore dhe prej sunetit është që personi të udhëtojë në fillimin e ditës së enjte, se saktësohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se shumica e udhëtimeve të tij ka qenë ditën e enjte.

Siç vjen në një transmetim nga Ez Zuhrijji nga Abdurrahman bin Kab bin Malik e ky nga babai i tij (Kab bin Malik) radijAllahu anhu se: “Profeti sal-lallahu alejhi ue sel-lem doli për në luftën e Tebukut ditën e enjte. Ai dëshironte që (për udhëtimet e tij) të dilte ditën e enjte.” Buhariu në “Sahihun” e tij”.

Transmetohet nga Ummu Selemeh radijAllahu anha merfuan se ka thënë: “Ishte Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që pëlqente ditën e enjte dhe udhëtimin në të (ditë).”

E ka nxjerr Ebu esh Shejh në “Ekhlak En Nebij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem”, Ibën Adij dhe Et Taberani në “El Kubra”. Hadithin e ka bërë hasen (të mirë) shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Es Sahihah”.

Sunetet e harruara (8)

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të dilni prej shtëpisë atëherë i falni dy rekate, ngase ato do t’ju ndalojnë nga shkuarja drejt së keqes dhe kur të hyni në shtëpi falni dy rekate, se ato do t’ju ndalojnë nga hyrja në të keqen.” El Bejhakiu në “Shuab el Iman” shih “Sahihul Xhami’” me nr. (518).

Prandaj, ti dashamirës i sunetit profetik, mundohu ta ringjallësh këtë suneti, i cili është lënë në harresë nga një pjesë e mirë e muslimanëve. E dihet se “kur lihet një sunet lind një bidat” i cili më pas kthet në “fe” tek njerëzit e thjeshtë. Allahu na forcoftë në këtë FE dhe na bëftë që të vdesim në ISLAM dhe SUNET. Amin! Drejt Allahut është synimi i rrugës sonë!

Sunetet e harruara (9)

Leximi i sures “El Asr” kur ndahesh.

Transmeton Hamad bin Selemeh nga Abdullah bin Husn ed Daremij radijAllahu anhu se ka thënë: “Kur takoheshin dy shokë të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nuk ndaheshin derisa t’ia lexonin njëri-tjetrit suren El Asr deri në fund, e pastaj jepnin selam (es selamu alejkum).” Et Taberani. Shih “Es Sahihah” 2648

Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) në lidhje me suren “El Asr” thotë: “Sikur Allahu të kishte zbritur (shpallur) vetëm këtë sure, kjo do u mjaftone atyre (njerëzve).”

Sunetet e harruara (10)


Cfarë lexohet për namazin e xhumasë

1. Nga Ibën Ebi Rafi se ka thënë: Meruani la në Medine Ebu Hurejrën (radijAllahu anhu) dhe vetë doli dhe u nisë për në Meke. Ebu Hurejra u fali me ne xhumanë dhe lexoi pas sures “El Xhumuah” në rekatin e fundit “Idhë xhëeke el munafikune…” e tha: Pa namazit e aarita Ebu Hurejrën e i thashë atij: Ti lexove dy sure të cilat edhe Ali bin Ebi Talib i lexonte ato kur ishte në Kufe. Ebu Hurejra tha: “Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) që të lexojë këto dy sure ditën e xhuma.” Transmeton Muslimi dhe Ebu Daudi[1]

2. Nga En Numan bin Beshir (radijAllahu anhu) ka thënë: “Ishte i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) që namazin e festave dhe ditën e xhuma “Sebbihisme rabbikel eala” dhe “Hel ëtëke hadithul gashijeh” e tha: E kur të bashkohen festa me atë të xhumasë në të njëtën ditë, lexohen po të njëjtat sure në namazet e tyre.”Muslimi, Ebu Daudi dhe Ibën Huzejme[2].

3. Nga Semurah bin Xhundub se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) që në namazin e xhumasë lexonte“Sebbihisme rabbikel eala”. Transmeton Ebud Daudi dhe Ibën Huzejme[3] dhe “Hel ëtëke hadithul gashijeh”

____________________________
[1] Muslimi (887) dhe Ebu Daudi (1124)
[2] Muslimi (878), Ebu Daudi (1122) dhe Ibën Huzejme (1441)
[3] Ebu Daudi (1125) dhe Ibën Huzejme (1441)

__________________________________________________________________________

Thënia “Bismilah” dhe përdorimi i misvakut kur futesh në shtëpi.

1. Nga Aisha radijAllahu anha se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur futej në shtëpi fillonte (së pari) me misvakun.” Muslimi

2. Nga Xhabiri radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur njeriu futet në shtëpi e tij e thotë “Bismilah”, shejtani thotë (shejtanëve të tjerë): “Nuk ka vend për ju këtu.” Muslimi

Cfarë përfitohet nga hadithet:

1. Prej sunetit është që në momentin kur futesh në shtëpi të thuash: “Bismilah” e pastaj të fillosh me misvakun.

2. Një pakicë e vogël prej muslimanëve janë që punojnë me këto sunete.

3. Shkaku i mospunimit me këto sunete është: Dija e pakët ose dembelizmi për të punuar me to.

4. Kërkohet nga muslimani që t’i praktikojë këto sunete, sepse kjo është prej shenjave të dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem “thuaj nëse e doni Allahun atëherë më pasoni mua që Allahu t’ju dojë juve.”

5. Ringjallja e suneteve dhe punimi me to është tregues i besimit dhe dashurisë ndaj Profetit alejhis selam.

6. Shpërblimi i madh është për atë që ringjall dhe punon me këto sunete në një kohë ku shumë prej muslimanëve janë neglizhencë ndaj tyre. Drejt Allahut është synimi rrugës sonë! 
______________________________________________________________________________

 Sexhdja e falënderimit (suxhudu esh shukr)

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë. Salauatet dhe selamet qofshin mbi Profetin tonë të dashur, Muhamedin alejhis selam!

Prej suneteve të harruara nga myslimanët është edhe “sexhdja e falënderimit – suxhudu esh shukr”, e cila bëhet me rastin kur Allahu e begaton me mirësi robin e Tij. Ajo është një sexhde e vetme.

Transmetohet nga Ebi Bekrah radijAllahu anhu se “Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur i vinte (ndodhte) ndonjë çështje që e gëzonte atë, ai i binte Allahut në sexhde si falënderim për Allahun e Madhëruar (për atë që e gëzonte).” Ky hadith është i mirë (hasen) dhe e kanë nxjerrë Ebu Daudi (2774), Et Tirmidhij (1578) dhe Ibën Maxhe (1414). Hadithin e ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihu Ebi Daud” (2774) dhe në “El Iruaul Galil” (474).

Shënim:

Nuk është prej sunetit ajo që veprojnë disa prej njerëzve duke veçuar një kohë të veçantë për “suxhudu esh shukr”. E këtë duke e bërë pas mbarimit të namazit të obliguar (fard). Madje ata e shtojnë akoma këtë gabim duke bërë dy sexhde për “suxhudu esh shukr”, e dihet se ajo është një sexhde e vetme. Ky veprim mbart me vete dhe dëme të tjera, ku prej tyre përmendim:

1. Veçimi i një kohë të caktuar për bërjen e “sexhdes së falënderimit – suxhudu esh shukr” nuk ka argument dhe është bidat.

2. Nuk është prej sunetit bërja e dy sexhdeve apo më shumë, por “suxhudu esh shukr” është një sexhde e vetme.

3. Suxhudu esh shukr bëhet me rastin kur Allahu të begaton nga mirësitë e tij të shumta dhe bëhet në momentin kur të vjen kjo mirësi. E jo ta lësh bërjen e saj pas mbarimit të farzit.
_____________________________________________________________________________

SUNETET E HARRUARA (13)

Një nga sunetet e harruara të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem:

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kur binte shi zbulonte një pjesë të trupit në mënyr që ta lagë shiu lëkurën e tij. Nga Enesi radijAllahu anhu përcillet të ketë thënë: ra shi derisa ne ishim me të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ndërsa ai tërheqi rrobën e tij për ta lagur shiu. Ne i tham: për çfare e bënë këtë? Ai tha: “Ngase ai është ndarë (krijuar) para pak qasteve nga Zoti i Tij i Lartësuar.”

Sahihu i Muslimit (898).

_____________________________________________________________________________


Fillimi i namazit të natës me dy rekate të lehta.

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë. Salauatet dhe selamet qofshin mbi Profetin tonë të dashur, Muhamedin alejhis selam!

Në lidhje me këtë transmetohen nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue se-lem argument prej fjalës dhe veprës së tij.

-Argument prej fjalës së tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Kur ndonjë prej jush ngrihet natën (për namaz), atëherë le ta hapë (fillojë) namazin e tij me dy rekate të lehta.”E ka nxjerr imam Muslimi (768) dhe Ebu Daudi (1323)

-Argument prej veprës së tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem

Transmetohet nga Aisha radijallahu anha se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur ngrihej natën për t’u falur e hapte (fillonte) namazin e tij me dy rekate të lehta.” Muslimi (767)
_____________________________________________________________________________

Leximi i ajeteve të fundit prej sures Al Imran kur ngrihesh prej gjumit natën dhe të shikuarit lart në qiell.

Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata!) se ka thënë: “Një ditë qëndrova tek tezja ime Mejmuneh, dhe i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) bisedoi me familjen e tij për një orë dhe pastaj u shtri për t’u qetësuar. Kur ishte një e treta e fundit e natës u ul dhe po shihte lart në qiell.” E ka nxjerr Buhariu dhe Muslimi.

Në një transmetim: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u zgjua, u ul dhe fshihu me duart e tij fytyrën për të larguar gjumin dhe pastaj lexoi dhjetë ajetet e fundit nga surja Al Imran.” E ka nxjerr Buhariu dhe Muslimi.

Në një transmetim, të cilin e ka nxjerr Muslimi nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata!) se ka treguar, se: Ai një natë qëndroi tek Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u ngrit në fund të natës, doli dhe hodhi shikim lart në qiell. Më pas ai lexoi këtë ajet nga surja Al Imran:

“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës…”

Derisa arriti tek:

“Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.”

Pastaj u kthye në shtëpi, përdori misvakun dhe mori abdes. Më pas u fal dhe pastaj u shtri. Pastaj u ngrit dhe doli dhe hodhi shikimin lart në qiell dhe lexoi këtë ajet (Al Imran 190-191). Më pas u ktye në shtëpi përdori misvakun dhe mori abdes e pastaj u ngrit dhe u fal.”

En Neveviu në “Shehr Muslim” ka thënë: “Në këtë hadith bëhet e qartë se është e pëlqyshme leximi i këtyre ajeteve kur ngrihesh nga gjumi.” Mbaroi fjala e tij.

Në mënyrë të përmbledhur përsa thamë më lart është se personi duhet të ngrihet menjëherë prej gjumit dhe të veprojë si më poshtë:

1. Fërkonë me duart fytyrën për të larguar gjumin
2. Shikon lart në qiell, nëse është e mundur.
3. Lexon dhjetë ajetet e fundit nga surja Ali Imran.

_________________________________________________________________________________

Falja e suneteve në shtëpi.

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë. Salauatet dhe selamet qofshin mbi Profetin tonë të dashur, Muhamedin alejhis selam!
Prej suneteve të harruara, nga një pjesë e muslimanëve, është edhe falja suneteve në shtëpi larg syve të njerëzve. Kjo është prej gjërave që pothuajse është lënë pas dore nga muslimanët. Bazuar në hadithin që e transmeton Ibën Umeri radijAllahu anhuma, i cili ka thënë: “Kam ruajtur nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhjetë rekate: dy rekate para drekës dhe dy rekate pas saj, dy rekate pas akshamit (që i falte) në shtëpinë e tij, dy rekate pas jacisë (që i falte) në shtëpinë e tij dhe dy rekate para sabahut (namazit fard).” Transmeton imam Buhariu (1180) e po ashtu (937) dhe imam Muslimi (729). Në një transmetim vjen: “Dhe dy rekate pas xhumasë (që i falte) në shtëpinë e tij.”

E njëjta gjë saktësohet dhe për sunetet para fardit, bazuar në hadithin e Aishes radijAllahu anha se ka thënë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem falte para drekës katër rekate në shtëpi e pastaj dilte dhe u falte me njerëzit. Pastaj kthehej në shtëpi për të falur dy rekate.” Imam Muslimi (730).

Shejhu i nderuar Abdullah el Bassam në librin e tij “Teudihul Ahkam” (2/387) thotë: Në këtë hadith tregohet se falja e suneteve në shtëpi është më mirë sesa në xhami me gjithë pozitën e xhamisë së tij sal-lallahu alejhi ue sel-lem.
Ka prej dijetarëve që janë të mendimit se falja e suneteve të akshamit në xhami nuk lejohet. Kjo fjalë i adresohet Ibën Ebi Lejlës dhe e ka përmendur hafidh Ibën Haxher në “El Fet’h” vëll. 3. Por më e sakta është se lejohet porse falja e tyre në shtëpi është më e mira. Ky është edhe medh’hebi i xhumhurëve.

(kthehemi aty ku e lamë) Kërkohet nga personi që nafilet t’i fal në shtëpi, larg syve të njerëzve, sepse në të zbret mëshira e Allahut dhe engjëjt dhe largohen shejtanët siç ka ardhur në hadith. Shih “Sherh Muslim” të imam En Neveviut vëll. 3
___________________________________________________________________

Fjala “Sal-lu fi rihalikum” nga ana e muezinit.

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë. Salauatet dhe selamet qofshin mbi Profetin tonë të dashur, Muhamedin alejhis selam!

Prej suneteve të harruara nga ana e muslimanëve në përgjithësi dhe nga muezinët në veçanti është edhe fjala “Sal-lu fi rihalikum” në ezan kur është kohë e ftohtë, shi i madh dhe erë e fortë. Madje dhe tek xhamitë ku njihen si xhami të sunetit pothuajse ky sunet nuk praktikohet.

Nga Abdullah bin el Harith, djali i xhaxhait të Muhamed bin Sirinit, se ka thënë: Na ligjëroi Ibën Abasi një ditë prej ditësh ku kishte baltë (të pakët). Ai e urdhëroi muezinin kur arriti te fjala “Hajja alas Salah”, thuaj: “Es Salatu fi rihalikum.” Ne filluam të shikonim njëri-tjetrin, sikur po e urrenin këtë gjë. Tha: Ju sikur nuk ju pëlqeu kjo gjë. Porse këtë e ka bërë ai që është më i mirë se mua, d.m.th. Profeti sal-lAllahu alejhis ue sel-lem…” Buhariu

Në një transmetim tjetër Ibën Abasi radijAllahu anhuma i tha muezinit të tij, ditën me shi’: “Kur të thuash Esh’hedu enne Muhammeden rasulullah, mos thuaj “Hajja alas Salah”, por thuaj: “Sal-lu fi bujutikum”…” Buhariu

Nga Ibën Umeri radijAllahu anhuma se ai thirri ezanin në një ditë të ftohtë me erë dhe shi’. E në fund të ezanit tha: “Ela sal-li fi rihalikum, Ela sal-li fi rihalikum.” Pastaj tha: i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e urdhëronte muezinin kur ishte natë e ftoftë apo me shi’, në udhëtim, që të thoshte: “Ela sal-li fi rihalikum.” Buhariu, Muslimi, Ebu Auaneh. Ebu Daudi, Ed Daremij, El Bejhakiu, Ahmedi dhe e ka nxjerr Maliku, vetëm se ai nuk përmend “në udhëtim”. El Iruaul Galil (2/553 fq. 339-340).

Ukbeh thotë: “Dëshiroj për imamin që të urdhëroj me këtë në kohën që muezini e mbaron ezanin. E nëse e thotë këtë gjatë ezanin nuk ka problem.” Shih. “Safuatul bejani fi ahkami el ikameh uel edhan” fq. 102

Po ashtu kanë ardhur dhe transmetime të tjera rreth kësaj teme.

Shih. Ibën Ebi Shejbeh në “El Musned” (2/20), “Silsiletu es Sahihah” (6/2605) dhe “Sahihu Ibën Maxhe.” (1/773 fq. 281).
___________________________________________________________________________________

Fërkimi i mjekrës gjatë abdesit.

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë. Salauatet dhe selamet qofshin mbi Profetin tonë të dashur, Muhamedin alejhis selam!

Kërkohet nga muslimani që në të gjitha adhurimet e tij të ketë për shembull të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e në veçanti te namazi. Bazuar në fjalën e tij alejhis selam: “Faluni ashtu siç më keni parë mua të falem.”

Prej suneteve të harruara gjatë abdesit është marrja një grushti me ujë dhe të fërkosh me të mjekrën. Transmetohet nga sahabi i nderuar Enes bin Malik radijAllahu anhu se ka thëne: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue selem kur merrte abdes, merrte një grusht me ujë dhe e fuste poshtë mjekrës se tij dhe e fërkonte ate duke thënë: Kështu më ka urdhëruar Zoti im i Lartësuar.

Hadithi gjendet te ‘Sahihu Sunneni Ebi Daud’ (145) dhe është autentik. ‘El meusuah el fik’hijeh’ e shejh Husejn el Hauajshe vell. 1.
_________________________________________________________________________________________

SUNETET E HARRUARA (19)

Fillimi i namazit të natës me duanë që e ka filluar dhe Profeti alejhis selam.

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë. Salauatet dhe selamet qofshin mbi Profetin tonë të dashur, Muhamedin alejhis selam!

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur falej natën thoshte: “Allahumme Xhebraile (Xhibrile) ue Mikaile ue Israfile fatiras semauati uer erd, alimul gajbi uesh shehëdeh ente tahkumu bejne ibadike fima kënu fihi jekhtelifun, ihdini limakhtulife fihi minel hakki biidhnike inneke tehdi men teshëu ilë siratin mustekim O Zoti im, Zoti i Xhibrilit, Mikalilit dhe Israfilit. Krijuesi i qiejve dhe tokës, i Dituri i të fshehtës dhe të dukshmes. Ti gjykon mes robëve të Tu për atë që ata janë kundërshtuar. Më udhëzo mua, me lejen Tënde, në të vërtetën kër ata, njerëzit, kundërshtohen. Me të vërtetë Ti udhëzon për në rrugën e drejtë atë që dëshiron.” Muslimi 200 dhe 770 prej hadithit të Aishes radijAllahu anha.
_________________________________________________________________________________________

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë. Salauatet dhe selamet qofshin mbi Profetin tonë të dashur, Muhamedin alejhis selam!

Prej suneteve të harruara sot është dhe falja e dy rekateve pas farzit të ikindisë. Transmetohet nga Aisha radijAllahu anha se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk i ka lënë (pa falur) dy rekate para farzit të sabahut dhe dy rekate pas farzit të ikindisë.”Hadithi është autentik. “Es Sahihah” me nr. 2920 dhe 3174, “Iruaul Galil” dhe “Sahihu Ebi Daud” me nr. 1160.

Po ashtu nga Aisha radijAllahu anha transmetohet se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka falur farzin e drekës dhe pas tij ka falur dy rekate e pastaj ka falur ikindinë e pas saj (ka falur) dy rekate.” “Es Sahihah” me nr. 3488
_________________________________________________________________________________________

Prej suneteve të harruara është edhe përshëndetja me selam fëmijëve. Bazuar në veprën e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Transmetohet nga Enes bin Malik radijAllahu anhu se: ‘‘I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kaloi pranë disa fëmijëve dhe i përshëndeti ata me selam.” Muslimi.

Po ashtu Enesi radijAllahu anhu kur kalonte pranë fëmijëve i përshëndeste ata me selam, e tha: ‘‘I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem vepronte kështu.” Mutefekun alejhi.

__________________________________________________________________________________________

Cfarë thoshte Profeti alejhis selam kur gëzohej apo i ndodhte dicka që e urrente.

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë. Salauatet dhe selamet qofshin mbi Profetin tonë të dashur, Muhamedin alejhis selam!

Nga Aisha radijAllahu anha ka thënë: Kur i Dërguari i Allahut shihte dicka që e donte, thoshte: ‘‘Elhamdulilah eledhi biniameti tetemmus salihatu- Falenderimet i përkasin vetem Atij me mirësine e të Cillit plotësohen veprat e mira.” E kur shihte dicka që e urrente thoshte: ”Elhamdulilah ala kul-li halin- Falenderimet i përkasin vetëm Allahut për cdo gjendje.”

Transmeton Iben Maxheh 3803, En Nesaij 378 dhe El Hakimi 1/499. E ka bërë hasen shejh Albani në ”Sahihu Iben Maxhe” 3081.

”Silsiletu es Sahihah” 265
_____________________________________________________________________________________________

Prej suneteve të lëna në harresë është dhe marrja abdes para se të marrësh gusul. Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë:Prej sunetit është marrja abdes para gusulit dhe jo pas tij. Bazuar në hadithin e Aishes radijAllahu anha, e cila ka thënë:“I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur lahej prej xhunubllëkut: lante duart dhe merrte abdes ashtu siç merrte për namaz e pastaj lahej…” hadithi. E kanë nxjerr dy shejhat (Buhariu dhe Muslimi) dhe të tjerët pos tyre. “Temamul mineh” vëll. 1

Transmetohet nga El Esued nga Aisha radijAllahu anha se: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk merrte abdes pas gusulit.” E ka nxjerr imam Ahmedi, Ebu Daudi, En Nesaij, Ibën Maxheh dhe Et Tirmidhij, e ka thënë: “Hasen sahih.” Hadithin e ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihu sunnenu Ebi Daud” me nr. (244) dhe shejh Mukbili (Allahu e mëshiroftë!) në “Es Sahihul musned” me nr. (1575). Kjo është edhe ajo që ka zgjedhur dhe Esh Sheukani në “En Nejl” (1/310).

Nga kjo përfitohet dhe saktësohet se prej sunetit është marrja abdes para se të marrësh gusul. Kurse përsa i përket marrjes abdes pas gusulit, në lidhje me të nuk saktësohet asgjë.
___________________________________________________________________________________________

Këshilla të arta nga edukata e pastër profetike

Transmetohet nga Ibën Abasi radijAllahu anhuma se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjë prej jush të hajë, mos ta fshijë dorën e tij, por t’i lëpijë vet gishtat ose t’ia lëpijë dikush tjetër.” Buhariu, Muslimi dhe Ibën Maxhe.

Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Në hadith gjendet një edukatë e bukur prej edukatës së ushqimit, që është lëpirja e gishtave dhe fshirja e pjatës me ta. Shumë prej muslimanëve sot e kanë lënë këtë, duke u ndikuar nga traditat e jomuslimanëve.”

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “…Prandaj prej Sunetit është “t’i lëpijë vet gishtat ose t’ia lëpijë dikush tjetër.”

Sherh Rijadus Salihin
____________________________________________________________________________________________

Si veprohet kur te pickon akrepi

“Akrepi pickoi Profetin sal-lAllahu alejhi ue sle-lem dhe ai ishte duke u falur, e tha: “Allahu e mallkoftë akrepin, sepse nuk lë (të qetë) as falësin e namazit e as të tjerët”. Pastaj kërkoi ujë dhe kripë, dhe duke e fërkuar vendin e pickimit i këndonte suret: “Kul ja ejjuhel kafirun”, “Kul eudhu birabbil felek” dhe “Kul eudhu birabbin nas.” Transmeton Aliu radijAllahu anhu. “Es Silsiletu es Sahihah” me nr. (548).

Cfare perfitohet:
1. Ferkimi i vendit ne te cilen ka pickuar akrepi me uje me krip.
2. Leximi i tri sureve “Kul ja ejjuhel kafirun”, “Kul eudhu birabbil felek” dhe “Kul eudhu birabbin nas.”
3. Profeti alejhis selam ne hadithe te tjera ka urdheruar qe te vritet akrepi per shkak te demit te tij.

Shkeputur nga libri “Sunetet e harruara”
_____________________________________________________________________________________________

Merr abdes nëse kthehesh përsëri në marrëdhënie intime

Ebi Seid el Khudri radijAllahu anhu ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush t’i afrohet gruas së tij (kryen marrëdhënie intime) e pastaj dëshiron të kthehet përsëri në këtë, le të merr abdes.” 1

Transmeton Ibën Ebi Shejbeh” nga Selman bin Rabiah, se ai ka thënë: “Umeri më tha: “O Selman, kur i afrohesh gruas tënde e pastaj dëshiron të kthehesh përsëri tek ajo, si vepron?” Thashë: “Si veproj?! Marr abdes ndërmjet tyre (ndërmjet marrëdhënieve intime).” 2

En Neveviu këtij hadithi dhe atij të çështjes së mëparshme, i ka vendosur si temë “Lejimi i të fjeturit duke qenë xhunub dhe pëlqyeshmëria e marrjes abdes nga ai, si dhe larja e organit intim nëse dëshiron të hajë, të pijë, të flejë, apo të kryejë marrëdhënie intime.”

Ndërsa tek komentimi ka thënë: “Duke përmbledhur të gjitha hadithet, lejohet për personin xhunub të flejë, të hajë, të pijë dhe të kryejë marrëdhënien intime para se të lahet. Kjo është fjalë me konsensus. Po ashtu, është me konsensus se trupi i njeriut xhunub dhe djersa e tij janë të pastra. Po ashtu, në këtë hadith (përfitohet) se është e pëlqyeshme që të marrë abdes dhe ta lajë organin e tij para kryerjes së të gjitha atyre gjërave që përmendëm më sipër, e veçanërisht kur ai dëshiron të kryejë marrëdhënie.” 3

Muslimi (308), Ebu Daudi (220), Ibën Maxhe (587 dhe Et Tirmidhij (141).
Në “El “Musanef (873).
(2/222).

{Shkëputur nga libri
“Sunnetet e harruara” }

____________________________________________________________________________________________

Lutja në ditën e mërkurë mes namazit të drekës dhe ikindisë= sunnet

Prej kohëve në të cilat pranohet duaja është edhe ajo ndërmjet namazit të drekës dhe atij të ikindisë në ditën e mërkurë.

Sahabi i nderuar Xhabir bin Abdullah radijAllahu anhu, i cili ka thënë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem bëri dua në xhaminë “El Fet’h” tri ditë: ditën e hënë, ditën e martë dhe ditën e mërkurë. E atij iu pranua duaja ditën e mërkurë ndërmjet dy namazeve, ngase gëzimi iu shfaq në fytyrën e tij.” Xhabiri tha: “Kur më ka ardhur ndonjë çështje e rëndësishme jam drejtuar në atë orë dhe e kam ditur (pritur) përgjigjen.” “Sahihu et Tergib” (2/143) me nr. 1185.

Shejhul Islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Me këtë hadith punojnë një grup prej shokëve tanë dhe të tjerë, duke kërkuar duanë (bërjen e duasë ndërmjet dy namazeve) ashtu siç transmetohet nga Xhabiri radijAllahu anhu. E nuk transmetohet nga Xhabiri radijAllahu anhu se ai kishte për qëllim vendin për bërjen e duasë, përkundrazi ai kishte për qëllim kohën (e bërjes së duasë).” “Iktidau es Siratil mustekim” [vëll. 1].

El Bejhekiu (Allahu e mëshiroftë!) kur përmend kohët në të cilat pranohet duaja, thotë: “Prej tyre është edhe (duaja) mes drekës dhe ikindisë në ditën e mërkurë.” Shubel Ijman” [vëll. 2].

Shkëputur nga libri “Sunnetet e harruara”.

 ___________________________________________________________________________________________
 

NJË NGA SUNETET E HARRUARA:Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri nga ju hidhërohet, atëherë le të heshtë.” Transmeton Ahmedi, ndërsa Albani e ka saktësuar.

Subhanallah! Tek ne gjejmë të kundërtën, mu në momentin kur hidhërohemi flasim më së shumti dhe për këtë kalojmë çdo moral njerëzor me fjalët tona në momente të tilla. Allahu na ruajtte!.
______________________________________________________________________________________________ 

  
NJË SUNET I HARRUAR NGA PEJGAMBERI SAL-LALLAHU ALEJHI VE SEL-LEM:

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju zemërohet dhe është në këmbë atëherë le të ulet, nëse i kalon zemërimi (mirë), e nëse jo atëherë le të shtrihet.” Transmeton Ebu Davudi, ndërsa Albani e ka saktësuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit