10 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Stuhia “Florence” në shifra: 13 të vdekur, 60 miliardë dollarë dëme dhe 800 mijë banorë në errësirë

Më të lexuarat

Zyrtarisht ka shkuar në 13 numri viktimave që ka shkaktuar stuhia “Florence” që goditi pjesën lindore të SHBA-ve.

Uragani, i cili ka qenë efektiv në brigjet e Karolinës që nga dita e premte, u shndërrua në një stuhi tropikale pasi mbërriti në pjesën tokësore.

Stuhia e cilësuar si më e fuqishmja që ka goditur vendet e Amerikës në dekadat e fundit, ka shkaktuar shira, dallgë vdekjeprurëse, erëra të forta dhe viktima, përcjell Dita.

Një nënë 41-vjeçare dhe djali i saj shtatë muajsh u vranë në Wilmington të Karolinës së Veriut, kur një pemë ra në shtëpinë e tyre si pasojë e uraganit, thanë zyrtarët. Ndërsa bashkëshorti i saj u plagos dhe ndodhet në spital.

Personi i tretë që humbi jetën ishte një burrë 78-vjeçar i cili u godit nga stuhia ndërsa po përpiqte të lidhte energjinë elektrike jashtë në shi. Ngjarja ndodhi në Kinston të Karolinës së Veriut, njoftoi drejtori i shërbimeve të emergjencave, Roger Dail.

Numri i viktimave rritet ndërsa një tjetër i moshuar humbi jetën në County, në Karolinën e Veriut. 77-vjeçari vdiq nga një atak kardiak ndërsa doli jashtë për të kontrolluar qentë gjatë stuhisë.

Një burrë rreth të 80-ve vdiq ndërsa ishte duke paketuar sendet për tu evakuuar, ai u rrëzua, goditi kokën dhe nuk mundi të mbijetonte.

Një tjetër burrë 68-vjeçar vdiq nga elektriciteti ndërsa ishte duke mbyllur gjeneratorin në Lënoi County.

Një burrë dhe një grua gjithashtu vdiqën në një zjarr që përfshiu shtëpinë e tyre në Cumberland County, thanë zyrtarët.

Në Karolinën e Jugut, një grua 61 vjeçare vdiq të premten, pasi makina e saj u godit nga një pemë që u rrëzua në rrugë, dhe një çift u helmuan nga monoksidi i karbonit që çlirohej nga gjeneratori që ndodhej brenda shtëpisë së tyre.

Zyrtarët paralajmëruan se përmbytjet vetëm sa kanë nisur.

“Rreziku nga përmbytjet që mund të sjellë kjo stuhi është më i qenësishëm sot, se ç’ishte kur ajo preku tokën 24 orë më parë”, tha guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper.

“Ne përballemi me sasi të jashtëzakonshme uji në brigjet tona, nëpër lumenj dhe përgjatë fermave, në qytete dhe në fshatra”.

Qendra e stuhisë po zvarritet mbi Karolinën e Jugut, por shumica e sasisë së reshjeve prekin ende atë të Veriut, duke shkaktuar ato që mund të jenë ditët e vazhdueshme me përmbytje për disa komunitete. Përmbytje të konsiderueshme parashikohen për të dyja shtetet, pasi disa lumenj nuk munden të rezistojnë më edhe për 3 apo 5 ditë të tjera, por kërcënojnë të dalin nga shtratet.

Florence u përplas me brigjet e Karolinës së Veriut mëngjesin e së premtes, si një uragan i kategorisë së parë, duke shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike për mbi 796 mijë banorë atje dhe në Karolinën e Jugut. Ndërkohë, shumë persona ngelën të bllokuar në shtëpitë e tyre të përmbytura.

Faqja amerikane meteorologjike AccuWeather ka njoftuar se Uragani Florence do të shkaktojë dëme ekonomike prej së paku 50 deri në 60 miliardë dollarë.

Themeluesi dhe kryetari i AccuWeather, Joel Meyers, tha në një deklaratë se shumica e dëmit do të shkaktohet nga përmbytjet, faktori i dytë më i madh do të ishin dëmtimet në bregun amerikan dhe pasoja e tretë dëmet që do të lënë erërat.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit