15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Studentët garojnë për shtëpinë më të mirë diellore në botë

Më të lexuarat

Një shtëpi për dy vetë me diellin si burim të vetëm energjie. Ai, që ndërton më mirë, fiton konkursin “Solar Decathlon Europe” në Madrid. Gjermania prezantohet me studentë nga Konstanca dhe Aaheni.
Ne na duhet përditë të lajmë dhe të thajmë, të pjekim në furrë dhe të vlojmë ujin”, përmend detyrat Pia Auferkorte, mbikëqyrëse e ekipit të RWTH në Aachen. Një app u tregon studentëve në Aachen se sa energji elektrike prodhohet në sistemin e tyre në kulmin e catisë dhe sa energji harxhon secili prej aparateve elektrike. Pra, ata gjithmonë e dinë se kur bën të ndezin makinën larëse.
Organizatorët e konkursit ndjekin bilancin e energjisë të çdo pjesëmarrësi në një interval tre minutash. Gjermanët pas vështirësive fillestare janë përmirësuar. “Ne kemi shumë prototipa këtu,” thotë studenti i inxhinierisë Hendrik Leiwe. Si për shembull kondicioneri për ngrohje dhe ftohje me energji diellore. Këtë studentët e Aachenit e kanë zhvilluar enkas për konkursin së bashku me një prodhues të sistemeve të ajrit të kondicionuar për pishina. Aparatura në fillim nuk ka punuar si duhet, thotë Leiwe, por fatmirësisht ajo është tani në gjendje për të ruajtur temperaturën e dhomës vazhdimisht ditën dhe natën.

Gjermania fokusohet te kursimi i energjisë
Vizitorët e shtëpisë gjermane diellore prekin muret e çuditshme transparente. Vetëm në shikim të dytë ata kuptojnë se ata përbëhen nga kompaktdisqe, shtresa e ndritshme e të cilave është gërvishur. Disqet ishin vendosur pastaj njëra pas tjetrës dhe janë pjekur së bashku në furrë. Edhe dyshemeja përbëhet nga material i riciklueshëm, nga trarë prej druri të një stadiumi të rrënuar. Druri i mobiljeve është nga mobilje të vjetra. Në to ka etiketa: Nuk ka çmim blerjeje, por kursime të energjisë në këmbim me gjëra krejt të reja.

Pia Auferkorte shpreson se do të ketë të tjerë, që do të veprojnë në këtë mënyrë: “Shumë janë të habitur se çfarë niveli i lartë cilësie arkitektonike dhe projektuese mund të arrihet kështu.” Për shembull, ajo që kanë krijuar studentët e Universitetit të Konstancës: Florian Eggert hap derën për në banjë. Asnjë dritare në dhomë, në fakt duhet të ishte errësirë. Por në tavan lëvizin pika drite, që ndriçojnë dhomën. Kjo funksionon, sepse një kolektor diellor në oborr mbledh rrezet e diellit dhe i dërgon përmes një kabllo fibre në banjon e errët. Në dhomën e teknikës Eggert kontrollon prodhimin nga fotovoltaik: Megjithëse ka disa re, është një ditë e mirë. Sistemi në çati prodhon aq shumë, saqë ekipi “Ecolar” nuk ka nevojë të ndezë panelet në fasada. Konkursi përcakton një limit prej dhjetë kilovatësh. “Gjatë ditës ne e ngopim rrjetin me shumë, shumë energji, por që për fat të keq nuk mund ta ruajmë”, thotë me keqardhje Eggert. Sepse toksinat e baterive të magazinimit ata nuk donin t’i kishin në shtëpi.

Shtëpia në xhunglën e Brazilit
Shkopinj prej bambuje lagë portikun e ‘Shtëpisë Eko’ brazilian në hije të lehta. “Ne kemi kopjuar shumë nga banorët autoktonë indianë”, thotë Umberto Violatto i Universitetit të Sao Paolos. Objektivi ishte një ndërtesë, që ndodhet në mes të xhunglës, të furnizohet vetë me energji dhe të mund të riciklojë mbeturinat e saj. Violatto u tregon vizitorëve tualetin e thatë: Përmbajtja duhet të çohet në çdo gjashtë muaj në plehra. Edhe bimët përreth shtëpisë kanë një funksion: Ata duhet të filtrojnë dhe pastrojnë ujin nga kuzhina dhe banjo. “Kështu banorët nuk humbasin ujë të pijshëm, për të ujitur kopshtin apo për të larë makinën.” Të kthehemi te rrënjët – kjo është në fund të fundit mënyra efektive e të menduarit, thotë Violatto: “Brezi i gjyshërve tanë dinte të rishfrytëzonte gjithçka, ndërsa ne e kemi harruar.”

Franca preferon mënyrën urbane
Studentët francezë të arkitekturës konkurojnë me një koncept për një qytet të madh. “Nuk është një problem thjesht francez, që zonat e ndërtimit bëhen gjithnjë e më të pakta dhe më të shtrenjta, por njerëzit ëndrrojnë të bëjnë jetë individuale”, thotë Benjamin Le Naour i ekipit Rhone Alpe. “Për këtë arsye shumë lëvizin në fshatra, duke shkaktuar dëme mjedisit dhe stres”. Francezët këtu në Madrid paraqesin idenë e tyre të kullave të banimit “Nanotours”: Deri në dhjetë kate, secili kat është një apartament më vete. Në Madrid arkitektët kanë ndërtuar dy kate. Një korridor lidh tre kulla banimi me ashensor të përbashkët, shkallë, kazanë plehrash dhe kopshte për erëza.
Muret në banesë përbëhen prej balte, ngrohja e frigoriferit than peshqirët. Çatia prej xhami është e mbuluar e gjitha me celula solare gjysmëtransparente. Le Naour shpreson se nanotours-ët e parë mund të jenë gati që nga viti 2014 ose 2015 në Lyon dhe Grenoble.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit