Stoltenberg për herë të dytë i kërkon falje Turqisë

0

ANKARA (AA) – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është takuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Gjeneral Hulusi Akar, ku “në mënyrë të qartë” i ka kërkuar falje gjeneralit Akar, raporton Anadolu Agency (AA).

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë ndodhet në Kanada për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax, ku dhe është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg, pasi ka mësuar që Akar ndodhet në Kanada, ka dashur të kërkonte falje për herë të dytë ballë për ballë.

Në takimin e zhvilluar me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, mësohet se Stoltenberg “në mënyrë të qartë” i ka kërkuar falje gjeneralit Akar.

Pasi ka shprehur keqardhjen për shkak të ngjarjes së përjetuar, Stoltenberg i ka kërkuar Akar-it që faljen e tij t’ia përcjellë edhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Ndërsa, Akar ka theksuar se nuk do të jetë e mjaftueshme vetëm largimi nga detyra i dy punonjësve fajtorë për ngjarjen në fjalë dhe ka shtuar se në ushtri ka një sistem të hierarkisë, ku duhet të ndëshkohen edhe eprorët e tyre përgjegjës.

Nga ana tjetër, Stoltenberge e ka njoftuar se autoritetet norvegjeze kanë nisur një hetim të gjerë për këtë çështje dhe se nuk dëshirojnë që kjo ngjarje të dëmtojë Unionin.

Pala turke, ndër të tjera ka shprehur shqetësimin në lidhje me ndihmën e kryer për grupet në Siri dhe Irak, të cilat Turqia i njeh si organizata terroriste dhe gjithashtu ka theksuar se ndihma ndaj armiqve nga aleatët është e papranueshme.

Pas kësaj, NATO gjithashtu vuri në dukje se situata do të dëmtonte unitetin dhe bashkëjetesën e aleancës dhe se kjo nuk duhet të ndodhë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, më parë në një deklaratë me shkrim në lidhje me skandalin e ndodhur në stërvitjen “Trident Javelin” të NATO-s në Norvegji, pasi ka theksuar se është i informuar për ngjarjet e ndodhura, ai kishte shprehur, “kërkoj falje për gabimin e ndodhur”.